Gjykatësit e Apelit në Uashington shfaqën mëdyshje të hënën mbi kërkesën e ish Presidentit Donald Trump për të rrëzuar vendimin që e ndalon atë të bëjë komente publike lidhur me çështjen penale federale në të cilën akuzohet se është përpjekur të përmbysë rezulatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Ndërsa avokati i zotit Trump D . John Sauer arguentoi se urdhëri binte ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane që mbron të drejtën e shprehjes, gjykatësit në Gjykatën e Apelit në distriktin e Kolumbias ngritën pyetjen nëse komentet e tij mund të paraqesin kërcënim ndaj integritetit të procesit të pritshëm gjykues.
“Nuk po ju dëgjoj që të përmendni rëndësinë e një procesi gjykimi të drejtë”, tha i gjykatësja Cornelia Pillard avokatit Sauer.
Gjykatësja Pillard është mes 3 anëtarëve të trupit gjykues që dëgjuan ankimimin e zotit Trump mbi vendimin e gjyqtares Tanya Chutkan, e cila po shqyron çështjen ndaj tij, që e ndalon ish presidentin dhe avokatët e tij të kritikojnë publikisht hetuesit, personelin e gjykatës dhe dëshmitarë të mundshëm.
Sipas gjykatëses Chutkan, deklarata të tilla publike mund të ndikojnë tek dëshmitarët dhe mund të nxisin kërcënime ndaj njerëzve të përfshirë në këtë çështje.
"Urdhri është i pashembullt dhe vendos një precedent të rrezikshëm ndaj të drejtës së të shprehurit në politikë në të ardhmen," tha avokati Sauer gjatë seancës që zgjati rreth dy orë.
Donald Trump, kandidati kryesor për të marrë emërimin e republikanëve për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara, ka sulmuar zyrtarët që po shqyrtojnë çështjet penale dhe civile me të cilat ai përballet. Ai e ka quajtur prokurorin e posaçëm, Jack Smith, i cili ngriti akuzat lidhur me zgjedhjet federale, "të çmendur dhe "bandit", mes shumë fyerjesh të tjera.
Zbatimi i urdhrit që e ndalon zotin Trump të bëjë komentet publike është pezulluar gjatë periudhës që shqyrtohet ankimimi i tij në Apel. Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm për këtë çështje, si dhe në të tre çështjet të tjera penale.
Gjyqtarët pyetën juristin e Departamentit të Drejtësisë, Cecil VanDevender, nëse urdhri kishte një fokus të gjerë.
"Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm," tha gjyqtarja Patricia Millett, një gjykatëse e emëruar nga demokratët, njësoj si dy të tjerët në panel.
Avokati VanDevender tha se urdhri e lejon zotin Trump të komentojë gjerësisht për integritetin e çështjes.
"Ai mund të thotë, ‘Kjo ndjekje penale është e motivuar politikisht, e ngritur nga kundërshtari im politik", "Departamenti i Drejtësisë është i korruptuar dhe, "’gjyqi do të më nxjerrë të pafajshëm’, të gjitha këto", tha zoti VanDevender.
Gjykatësit nuk njoftuan se kur pritet të dalim me një vendim.
Javën e kaluar, një gjykatës apeli i shtetit të Nju Jorkut anuloi përkohësisht një vendim të ngjashëm, mbi kufizimin e komenteve nga zoti Trump për pjesëtaret e gjykatës që po shqyrtojnë çështjen ndaj tij, për mashtrim financiar.
Zoti Trump rifilloi menjëherë sulmet ndaj një nëpunësi gjykate të përfshirë në këtë çështje.
Në postimet në mediat sociale dhe daljet publike në kuadër të fushatës presidenciale, zoti Trump ka deklaruar se zyrtarët e gjykatës dhe të tjerë të përfshirë në problemet e tij ligjore janë politikisht të njëanshëm, duke nxitur frikën se ata mund të përballen me kërcënime fizike nga mbështetësit e ish-Presidentit.
Procesi i gjykimit për çështjen në Uashington pritet të nisë në mars, që përkon me kulmin e garës për emërimin e kandidatit për President të Partisë Republikane.
Zoti Trump është akuzuar për komplot për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i humbi përballë demokratit Biden. Zoti Trump ka akuzuar administratën e zotit Biden se po përdor sistemin e drejtësisë amerikane kundër tij./ VOA