Kronikë

Gjykata e Lartë pranon kërkesën e Saimir Tahirit, çështja rikthehet në apel me trupë të re gjykuese! Rrëzohet kërkesa e SPAK për kthim në shkallë të parë

28 Shtator 2021, 13:31| Përditesimi: 28 Shtator 2021, 15:29

  • Share

Gjykata e Lartë ka marrë vendim për çështjen 'Tahiri'. Është pranuar kërkesa e ish-ministrit të Brendshëm për të rikthyer çështjen në apelin e GJKKO me trupë të re gjykuese. Kështu që është rrëzuar kërkesa e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.  Gjithashtu Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën Jaeld Çelës për pafajësi.

Kujtojmë se SPAK kishte  kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i apelit të GJKKO për rigjykim të Tahirit, ndërkohë që vetë ish ministri kërkon ndryshimin e vendimit të Apelit dhe kthimin po në këtë shkallë me trupë tjetër gjykuese. Relator i çështjes është gjyqtari Ilir Panda, ndërkohë që Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe janë anëtarë të Trupit Gjykues.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. 

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.

Vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në datën 28.09.2021, ka marrë në shqyrtim, në seancë gjyqësore, çështjen me palë; Dorëzues Rekursi: S.T. dhe J. Ç. dhe Kërkuese: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.  Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 60, datë 19/09/2019, ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit S.T. për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. Në bazë të nenit 406, paragrafi i parë, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.T., për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin S.T.  dhe vënien e tij në provë për një afat prej 3 (tre) vjet, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale, duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Heqjen e të drejtës të pandehurit S.T. për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal.

Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ç. për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e ti j me 5 (pesë) vjet burgim. Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit J.Ç., për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Heqjen e të drejtës të pandehurit J.Ç. për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 (tre) vjet.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur deklarimin e pafajshëm të të pandehurve të mësipërm për veprat penale të Trafikimit të narkotikëve, në bashkëpunim, dhe të Grupit të strukturuar kriminal.

Pas ankimit të ushtruar nga prokuroria dhe të pandehurit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, ka vendosur:

Prishjen e vendimit nr. 60, datë 19/09/2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një trupe tjetër gjykuese.

Pasi e shqyrtoi çështjen ne tërësi dhe dëgjoi parashtrimet dhe kërkesat e prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve, Kolegji Penal i Gjykatës, vërejti se:

Çështja e përbërjes së rregullt të trupit gjykues është çështje thelbësore e parimit të gjykatës së caktuar me ligj si pjesë e procesit të rregullt ligjor. Gjyqtari, që në bazë të Kodit të Procedurës Penale ka shkaqe papajtueshmërie sipas nenit 15 të këtij Kodi, nuk mund të jetë pjesë e një trupe gjyqësore e cila mund të japë një vendim të konsideruar të ligjshëm.

Cilësimi i ndryshëm ligjor i fakteve për të cilat akuzohen të pandehurit mund të kryhet nga gjykata me vendimin përfundimtar, aq më tepër kur ai nuk është një cilësim juridik më i rëndë.   

Kolegji vërejti se nuk ka patur mosrespektim të dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim.

Pretendimet e tjera, në rekurset e paraqitura nga të gjykuarit, që kanë të bëjnë me vlerësimin e provave të paraqitura nga prokuroria në kërkesën për gjykim Kolegji konsideron se analiza dhe çmuarja e provave është atribut i gjykatave të faktit dhe si të tilla nuk janë objekt i shqyrtimit në Gjykatën e Lartë; aq më tepër që çështja në shqyrtim është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se palët në gjykim kanë qenë dakord me aktet e fashikullit hetimor të prokurorit.

Përsa i përket kërkesës së të gjykuarit J.Ç., për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, Kolegji vëren se masa e sigurimit si e tillë është trajtuar në Gjykatën e Lartë dhe, me Vendimin nr. 218, datë 03.07.2020, është vendosur mospranimi i rekursit të paraqitur kundër vendimit nr. 18 akti, datë 19.05.2020, të Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kërkesa e të gjykuarit J.Ç., që pretendonte veprime procedurale për marrjen e provave, siç është caktimi i një eksperti ose grupi ekspertësh mjekoligjorë për të verifikuar diagnozat mjekësore, vlerësohet si një kërkesë e papranueshme për sa kohë që Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti por është gjykatë ligji. Duke vërejtur mos ndryshimin e kushteve, kritereve dhe nevojave të sigurimit për të cilat është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg”, duke e shqyrtuar në referencë të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji nuk mund ta pranonte kërkesën.

Nga sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi:

Prishjen e Vendimit nr. 16, datë 26.6.2020, të Gjykata së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Rrëzimin e kërkesës së të gjykuarit J.Ç., për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

 

Ora 13:24
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia: Gjykata e lartë foli, ne kërkojmë me insistim pafajësinë

Avokati i Saimir Tahirit Maksim Haxhia në një prononcim për mediat pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Gjykatës së Apelit, tha se për shkelje të rëndë procedurale që e cenonin rëndë vendimin.

‘Ishin më të gjera sesa vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e lartë nuk ka të drejtë të bëjë komente. Gjykata e Lartë u përqendruar vetëm në shkeljet e rënda proceduriale. Përfundimisht vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit. E ktheu çështjen në po të njëjtën gjykatë, por me trupë tjetër gjykuese. Ne jemi në insistimin tonë, kërkojmë pafajësi. Në tre pika kryesore Gjykata e lartë përmendi shkeljet, në gjykim në Apel kanë marrë pjesë gjyqtarë që kanë cenuar paanshmëri, pasi kanë shfaqur mendim dhe kanë dhënë vendim me fakte të lidhura dhe nuk u shkëputen nga interpretimi fakteve.’- tha Haxhia.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dori: 28/09/2021 14:31

    Po Yuri Kim, ka ndonje koment

    Përgjigju
  • Qobani: 28/09/2021 13:22

    Athua si doket hilja,pom thot marimanga dil në restoran,ha me parat e tua,kta që po han me parat e mia,ndoshta bien në rrjetat e mia,se vdiqa urie

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?