Shkruan historinë, ekipi olimpik pritet me nderime në MAS! Rama: Shpërblimet për sportistët më të mirat në rajon

15 Gusht, 15:08| Përditesimi: 15 Gusht, 16:07

  • Share

Dy mundësit të cilët shkruan historinë e sportit shqiptar në Olimpiadë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, si dhe i gjithë ekipi kombëtar që mori pjesë në Paris 2024, janë pritur me nderime dhe entuziazëm në ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Medalistët e bronztë u vlerësuan për arritjet e tyre, ndërsa u premtua që mbështetja për sportistët do të vijojë.

“Qeveria shqiptare është e ngazhuar për mbështetjen e sportistëve në shumë drejtime, qoftë në përgatitjen e tyre qoftë përsa i përket mbështetjes përmes infrastrukturës sportive. Në këtë vit kemi rritur buxhetin për tetë federatat për parapërgatitjet për Lojërat Olimpike,”-u shpreh Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit dhe Sportit.

“Asnjëherë gjërat nuk ndodhin rastësisht, por falë punës, përkushtimit, federatës, trajnerit, sportistëve. Të mbështetjes nga Komiteti Olimpik, nga ministria dhe bashkia e Tiranës,”-tha Fidel Ylli, kreu i KOKSH.

Kryeministri Rama shkruan se medaljet përveç sakrificës së sportistëve janë edhe frut i mbështetjes së qeverisë shqiptare, ndërsa që me 12 gusht, siç është publikuar edhe në ‘Fletoren Zyrtare’, ka firmosur shpërblimin e sportistëve. Sipas kryeministrit shpërblimet për sportistët sipas ligjit shqiptar janë më të mira në të gjithë rajonin, ndërsa bëhet fjalë për një shumë prej 14.7 milionë lekësh.

5 milionë është shpërblimi për një medalje të bronztë, ndërsa pjesa tjetër shkon për trajnerët e dy mundësve që mundësuan medaljet e para për Shqipërinë. Pa harruar që Valiev dhe Dudaev do marrin edhe titullin honorifik të kolonelit, që u mundëson atyre mbështetje të përjetshme.  

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?