Për gjatë një jave në Mbretërinë e Bashkuar është zhvilluar një operacion policor mbarëkombëtar me fokus shkatërrimin e fermave të kanabisit njohur si shtëpitë e barit. Operacioni i koduar ‘Mille’ çoi në sekuestrimin e kanabisit me vlerë të përafërt prej 48 milionë stërlina ndërsa goditi grupe të organizuara kriminale në Angli dhe Uells.
Ndërkohë 242 persona të arrestuar. Sipas Top Channel, mes tyre janë 148 shtetas shqiptarë, 55 shtetas britanik dhe disa të tjerë të nacionaliteteve të tjera.
Forcat policore në të gjithë vendin janë përqendruar në identifikimin dhe asgjësimin e plantacioneve të mëdha kanabisit, me synimin për të luftuar dhunën, shfrytëzimin dhe krimin e organizuar.
Kjo është hera e tretë që policia ndërmerr një aksion të tillë, si pjesë e një strategjie afatgjatë për të luftuar këtë aktivitet të paligjshëm.
Ky operacion i madh, i kryer nga forcat policore, njësitë rajonale kundër krimit të organizuar (ROCUs) dhe partnerë të tjerë, synon të godasë burimet e të ardhurave të këtyre grupeve kriminale dhe të ndalojë aktivitetet e tyre të lidhura me migracionin e paligjshëm, krimin e dhunshëm dhe shfrytëzimin e personave të pambrojtur.
Arrestime dhe sekuestrime
“Kjo javë aksionesh ka parë ekzekutimin e qindra urdhër-kontrolleve, sekuestrimin e dhjetëra armëve dhe sekuestrimin e drogës me vlerë miliona paund. Kanabisi mund të duket i padëmshëm, por prodhimi dhe shitja e tij nxisin akte të tjera të rënda kriminale, që dëmtojnë komunitetet tona. Ka lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun e drogës së klasit A, rrjetet kriminale të shpërndarjes dhe dhunën e bandave, si dhe nivele alarmante të shfrytëzimit të njerëzve” deklaroi Zëvendës Shefi i Policisë (ACC) Adam Ball, i cili drejtoi operacionin.
242 persona të arrestuar
65 armë të sekuestruara, përfshirë 14 armë zjarri
Sasi të konsiderueshme kokaine dhe ketamine
183,590 paund të sekuestruar në para të gatshme
Gjithashtu, 19 persona, të dyshuar si viktima të trafikimit dhe skllavërisë moderne, janë referuar për mbështetje të specializuar.
Ku kultivohej kanabisi?
Policia vuri re se pothuajse gjysma e ambienteve të bastisura ishin bosh, një model i ri i kultivimit të kanabisit në ambiente të braktisura. Në ato raste kur persona jetonin aty, policia gjeti kushte të rënda jetese, me instalime të rrezikshme elektrike dhe dëmtime të shkaktuara nga tymi dhe uji.
Hetimet gjithashtu evidentuan rolin e “ndihmësve profesionistë” në këto rrjete kriminale, përfshirë pronarët që lëshojnë ambiente për kultivim dhe elektricistët që ndihmojnë me instalimet.
“Ne mbetemi të shqetësuar për njerëzit e pambrojtur që manipulohen për të migruar ilegalisht dhe për t'u shfrytëzuar nga këto grupe kriminale. Ekziston një rrezik i madh shfrytëzimi për ata që detyrohen të punojnë në këtë treg të paligjshëm, dhe ne do të vazhdojmë të ndërhyjmë për t’u ofruar ndihmën e nevojshme,” shtoi Zëvendës Shefi i Policisë ACC Ball /Policia britanike/
Komente

Qa kena mjedhe do korrim. Ky ashte brezi i demokracis si kena eduku
Përgjigju