Përgjegjësi i OSHEE-së Shkodër, Ramir Hadëri i ka konsideruar të paligjshme arrestimet e 5 punonjësve të OSHEE në fshatin Bërdicë për shpërdorim detyre, pasi u zbulua një ‘shtëpi bari’. Vetë Hadëri, ndaj të cilit është nisur hetim në gjendje të lirë, ka reaguar i revoltuar duke thënë se punonjësit e policisë i kanë bërë presion dhe se duhet të ishin ata që duhet të futeshin në burg, pasi ai nuk ka bërë asnjë veprim për të shpërdoruar detyrën.
“Nga portalet marr vesh që jam në ndjekje penale për shpërdorim detyre. Nuk e kuptoj pse policia urdhëron arrestimin e punonjësve të OSHEE dhe nuk ka asnjë polic të ndaluar që lejoi ndërtimin e shtëpive të barit. Të më tregojnë një indicie që kanë për mua që vendosin të më ndjekin penalisht dhe do hyj në burg, vetëm një indicie dua. Arrestimet janë të paligjshme. Në burg duhet të shkojë e gjithë kupola e policisë jo unë”, tha Hadëri.
Policia e Shkodrës ka zbuluar mbrëmjen e kaluar një laborator droge në njësinë Bërdicë në një shtëpi. Mësohet se janë arrestuar 8 shtetas mes të cilëve 5 punonjës të OSHEE.
Lajmi kryesor:
'Shtëpi bari' në Bërdicë të Shkodrës, 8 në pranga! Lirohen pak orë pas arrestimit 5 punonjësit e OSHEE, prokurori: Ndalimi i tyre i paligjshëm! Sekuestrohen 2 mijë rrënjë kanabis (EMRAT+VIDEO)
//ReportTv.al