Titulli ‘pronar’ po i bën shqiptarët gjithnjë e më borxhlinj nëpër banka, sidomos në vitet e fundit, kur çmimet e larta të pronave po e bëjnë vlerën e kredisë së marrë mjaft të kripur për qytetarët.
Vetëm në 6-muajit e parë të vitit qytetarët morën 362 milionë euro kredi për blerje banese, ose 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërsa interesi mesatar për huan hipotekore gjatë periudhës ishte mesatarisht 3.8%.
“Rritja vjetore e kredisë për banesa është më e larta e tre viteve të fundit”, thotë Banka e Shqipërisë.
Ky shtim i shpejtë i vlerës së kredisë gjatë këtij viti e sidomos në tremujorin e dytë thotë Banka Qendrore është stimuluar jo vetëm nga çmimet e larta por edhe nga kufizimi i kredisë për blerje banese që japin bankat prej 1 korrikut.
“Kredia është mbështetur si nga kërkesa e lartë – në kushtet e çmimeve të larta të banesave në treg dhe nga normat e interesit në nivele të ulëta historike – ashtu dhe nga një përshpejtim i kërkesave për marrje kredie në prag të aplikimit të masave shtrënguese makroprudenciale në këtë segment”, thuhet në raport.
Kufizimi i Bankës së Shqipërisë për blerje banese parashikon që kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%. Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë.
Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa kur është në valutë ulet në 35%.
Për të mos u prekur nga këto kufizime, qytetarët shtuan kërkesën për kredi para se vendimi të hynte në fuqi.
Nga ana tjetër vala e shtrenjtimit të pronave nuk pritet të ndalet, ndikuar edhe nga çmimet e reja të referencës që ka hedhur për konsultim publik Ministria e Financave që rrit çmimet për 60 bashkitë e bendit me përjashtim të Tiranës.
Komente
