Shtëpia e At Gjergj Fishtës shndërrohet në Muze! Rama: U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë (VIDEO)

23 Tetor 2020, 14:07| Përditesimi: 23 Tetor 2020, 17:41

  • Share

LEZHË- Shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Përurimi është bërë në ditën e tij të lindjes, ku i pranishëm ka qenë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Magariti. Pas shumë problemesh me pronësinë e tokës, por edhe vështirësi të hasura gjatë restaurimit, pasi shtëpia e Fishtës rrezikonte të shembej, tashmë është kryer restaurimi i plotë. Në fjalën e tij, Rama ka lartësuar figurën e Fishtës. " U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë", tha mes të tjerave Rama.

"Shtëpia e rindërtuar e at Gjergj Fishtës çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t'u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare. Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.

Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”. At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd.

Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.

Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.

Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s'ka po kocka thyen. U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë! “Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”, tha Rama.

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Për herë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008. Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës. .Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes.Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.Paralelisht, Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijmtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte.

Përpata ceremonisë së përurimit të këtij objekti, u shënua një incident, ku ish- deputeti Eduart Ndocaj u shoqërua në polici. Ai tentoi që të merrte pjesë në këtë ceremoni, por nuk ishte ftesë. Aktiviteti ishte me ftesë me qëllim që të shmangen grumbullimet e mëdha për shkak se vendi është në një kohë pandemie.

Ora 13:45
Rama thumbon Metën: Për Fishtën nuk ndryshoi gjë as kur filluan të shpërndaheshin dekoratat që krijojnë fuqi imagjinare

Nga Fishta, kryeministri Edi Rama ka sulmuar edhe presidentin Ilir Meta sa i përket dhënies së dekoratave.

"Fatkeqësisht për Fishtën gjërat nuk shkuan aq mirë as kur ndryshoi regjimi dhe filluan të shpërndaheshin dekorata…që janë thjesht dekorata për ata që japin, ja japin vetes për t’i dhënë një fuqi imagjinare mbi të tjerët, kështu Fishta u fut në të gjitha gojët e atyre…në fakt, gurët e shtëpisë së tij u morën, kur emri i tij u rikthye në skenë si një pikë referimi, dhe parapërfytyroni, kjo banesë u shpall në 1991 monument kulture, ndërsa në 1994 u shkatërrua,” tha Rama.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mondi: 24/10/2020 05:57

    Zoti kryeminister a me ban vesht apo the qe duhet Te kthehen edhe emigrant Te tjere Si Altini e Fredi Te investojn ne shqipri , Po kush vje Te investoj ne shqipri qe ju i prisni me airoport ei kontrolloni njerzit neper xhepa se sa lek jan duke sjell me vete , ne ni koh qe europa su ba ze ju beni Te zgjutin ose hajdutin.

    Përgjigju
  • Auguri: 23/10/2020 16:35

    E ty t'lumtë o z.kryeministër..,je t'u shkrujt Eminin në Historinë e Shqiptarisë! Duhet me marrë shembullin e Italisë..e ne cdo Qytet të Kombit duhet të ketë Shtatore e Përmendore të Heronjve e Rilindasve të Kombit e Gjuhës Shqipe...

    Përgjigju
  • Haha: 23/10/2020 15:19

    Kaubojsi shkoi per kesh Zadrime

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?