I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, do të vizitojë Rripin e Gazës më 1 gusht, për të inspektuar qendrat për shpërndarjen e ndihmës, tha Shtëpia e Bardhë.
Witkoff dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, do të përpiqen “të sigurojnë një plan për dërgimin e më shumë ushqimeve dhe do të takohen me banorë vendas të Gazës për të dëgjuar nga ta për këtë situatë të rëndë në terren”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, më 31 korrik.
Më herët gjatë së enjtes, Witkoff u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Mediat izraelite kanë raportuar se biseda e tyre është përqendruar në situatën humanitare në Rripin e Gazës, pengjet që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si dhe për çështjen e Iranit.
Vizita e Witkoffit në Izrael u zhvillua në kohën kur janë intensifikuar kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit, pas raportimeve për uri të thellë në Gazë dhe në kohën kur janë bllokuar bisedimet në Doha për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
Portali Ynet raportoi se Witkoff gjatë vizitës në Gazë, personalisht do të shikojë punën që bën Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF).
GHF-ja mbështetet nga Izraeli dhe SHBA-ja dhe puna e këtij fondacioni është përballur me kritika nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera.
Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se në Gazë ka “uri të vërtetë”.
Një ditë më vonë, Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), autoriteti kryesor ndërkombëtar për kriza ushqimore, paralajmëroi se “skenari më i keq i urisë aktualisht është duke ndodhur në Gazë”.
Në mes të rritjes së kritikave ndërkombëtare dhe raportimeve për vdekje të lidhura me urinë, Izraeli që nga fundjava po zbaton një pauzë 10-orëshe në ditë të luftimeve në disa zona të Gazës, për të lejuar që ndihma të arrijë te më shumë njerëz.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë që nga nisja e luftës janë vrarë më shumë se 60.000 persona, ka thënë Ministria e Shëndetësisë, e cila vlerëson se shumica nga viktimat ishin gra dhe fëmijë. Megjithatë, kjo ministri në shifrat që publikon për viktimat nuk bën ndarjen mes viktimave civile dhe luftëtarëve të Hamasit./REL
Komente
