Emmanuel Macron

Bota

Shtëpia e Bardhë ‘ngrin’ Macron për çështjen e Gazës: Ajo që bën është e parëndësishme!

26 Korrik, 09:06| Përditesimi: 26 Korrik, 11:37

  • Share

Më i ashpri nga kritikët ishte, edhe një herë, Donald Trump. Gjatë një ndalese në Edinburg, ai e hodhi poshtë vendimin e Emmanuel Macron për të njohur shtetin palestinez me një koment përçmues: “Ajo që thotë Macron nuk ka rëndësi, nuk ka asnjë peshë”. Më pas, me një shkëndijë sarkazme, shtoi: “Është një djalë i mire”. Që në samitin e G7 në Kanada, në qershorin e kaluar, presidenti amerikan ironizoi: “Emmanuel gabon gjithmonë”.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ironizoi mbi njoftimin e Macron, duke deklaruar në mënyrë provokuese se Parisi do të ishte gati të ofronte Rivierën Franceze për të strehuar popullin palestinez. “Deklarata e njëanshme e Macron mbi krijimin e një shteti palestinez nuk specifikonte se ku do të ndodhej. Tani mund të zbuloj ekskluzivisht se Franca do të propozojë Rivierën Franceze dhe se kombi i ri do të quhet “Franc-en-Stine”, ka shkruar ish-guvernatori republikan i Arkansasit në profilin e tij në X. Qëndrimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë iu besua Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili e cilësoi si “të pamatur” zgjedhjen franceze, duke e akuzuar për “ushqyerje të propagandës së Hamasit” dhe për shkaktimin e një “shuplake për viktimat e 7 tetorit”.

Akuzat u hodhën poshtë nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot: “Zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë e mundshme drejt një paqeje të qëndrueshme. Njohja e shtetit të Palestinës nuk është një favor për Hamasin. Është, përkundrazi, një disfatë simbolike për terrorizmin dhe një sinjal mbështetjeje për ata që kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe paqes”. Në një klimë gjeopolitike të ndezur, Franca e ka thyer hezitimin dhe po përgatitet të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Nëse Izraeli flet për një “tradhti” dhe akuzon Francën për “dorëzim ndaj Hamasit”, Parisi merr përkundrazi lavdërime nga Rusia, Kina dhe Arabia Saudite. Pikërisht me Riadin, Franca do të kryesojë javën e ardhshme në Nju Jork një mbledhje për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete. Një takim që ishte planifikuar në qershor, por që u shty pas sulmit izraelit ndaj Iranit.

Aleatët kryesorë evropianë po lëvizin me kujdes. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer shmangin dënimin por e cilësojnë si “të parakohshëm” njohjen. Kryeministri britanik përsëriti të premten se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin e Palestinës vetëm në kuadër të një marrëveshjeje paqeje të negociuar, duke zhgënjyer kështu shumë anëtarë të partisë së tij laburiste dhe të tjerë, që shpresonin se do të ndiqte shembullin e Francës dhe do të vepronte me më shumë shpejtësi: gjithsej 220 deputetë nga nëntë parti të ndryshme firmosën dje një apel drejtuar kryeministrit për njohjen e Palestinës.

Vendimi i Parisit, që pritet të ketë ndikim të madh në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Tel Avivin, vjen në ndoshta momentin më dramatik të konfliktit izraelito-palestinez, me një “katastrofë humanitare në zhvillim në Rripin e Gazës” siç shkruajnë në një deklaratë Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania pas një telefonate për të trajtuar urgjencën. Macron, Starmer dhe Merz folën pasdite me qëllimin për të ndalur katastrofën humanitare në zhvillim. Tre kancelaritë evropiane i bëjnë thirrje qeverisë izraelite të “heqë menjëherë kufizimet për shpërndarjen e ndihmave”.

“Katastrofa humanitare që po shohim në Gaza duhet të marrë fund tani - thonë tre liderët - dhe refuzimi i ndihmës humanitare thelbësore për popullsinë civile është i papranueshëm”. Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania përsërisin kërkesën e tyre për lirimin e pengjeve izraelite dhe çarmatimin e Hamasit dhe shtojnë se “kundërshtojnë me vendosmëri çdo përpjekje për të imponuar sovranitetin izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara”. “Kërcënimet për aneksim, vendbanimet dhe dhuna e kolonëve kundër palestinezëve - thuhet në deklaratën e përbashkët - rrezikojnë perspektivat për një zgjidhje të negociuar me dy shtete”./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?