Kriza mes Rusisë dhe NATO-s mbërrin në OKB. Sot, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet me urgjencë për të shqyrtuar shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët Mig të Kremlinit. “Një përgjigje — njofton qeveria e Talinit — ndaj shkeljes së pacipë të së premtes së kaluar nga Rusia. Është hera e parë në 34 vite të anëtarësimit të Estonisë në Kombet e Bashkuara që vendi kërkon zyrtarisht një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit”. E gjitha kjo ndodh në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila tashmë, në këtë kontekst, do të marrë një tjetër kah. Luftërat — në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në Evropën Lindore — do të bëhen zemra e diskutimit. Një tregues se tensioni Lindje-Perëndim është rikthyer në nivelet e Luftës së Ftohtë.
Në këtë klimë, Donald Trump ka paralajmëruar se në rast përshkallëzimi në Poloni, SHBA do ta ndihmonte Varshavën. Për të njëjtën arsye, nesër do të mblidhet edhe Këshilli Atlantik për të diskutuar të njëjtat çështje (veçanërisht alarmin estonez) dhe për të vlerësuar, siç parashikon neni 4 i NATO-s, nëse provokimet e Moskës mund të përbëjnë rrezik real për vendet anëtare të aleancës. Aq më tepër kur shkeljet ruse nuk po ndalen. Tashmë janë shndërruar në një dukuri pothuajse të përditshme. Pas pranisë së dronëve rusë në Poloni dhe të Mig-ëve në Estoni, dje Deti Baltik u bë skenë e një episodi tjetër shqetësues tensioni: avionët suedezë dhe ata gjermanë u detyruan të ngriheshin në fluturim për të shoqëruar një avion “armiqësor” që nuk iu përgjigjej as thirrjeve radio. “Jas 39 Gripen (suedezë) dhe Eurofighter (gjermanë) u ngritën nga jugu i Detit Baltik — thuhet në një njoftim të Forcës Ajrore të Stokholmit — për të identifikuar dhe monitoruar një avion rus IL-20 në hapësirën ajrore ndërkombëtare”. Avionët suedezë u ngritën sipas urdhrit të NATO-s, ndërsa ata gjermanë vepruan në mënyrë të pavarur.
Pra, u konfirmua edhe një herë dje se përballja vështirë se do të zbutet në një kohë të shkurtër. Madje edhe Trump, i cili këto muaj ka shmangur të rreshtohet hapur në krah të Evropës, ka shpallur se do të qëndrojë në krah të Polonisë. Dhe kjo ndonëse Pentagoni ka konfirmuar synimin për të ulur praninë në Evropë, sidomos në vendet lindore. Uashingtoni ka njoftuar synimin për të shkurtuar një pjesë të ndihmave ushtarake për Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë, të gjitha vende anëtare të NATO-s që kufizohen me Rusinë. Një nxitje për Evropën që të bëhet më e pavarur nga pikëpamja e mbrojtjes. Megjithatë, kjo qasje nuk përfshin shitjet e armëve dhe nuk merr parasysh që javët e fundit gjykimi i presidentit amerikan ka nisur të ndryshojë në lidhje me marrëdhëniet me Putinin dhe me rezultatin e samitit të gushtit në Alaskë.
Një tablo që largon dukshëm mundësinë për të arritur një armëpushim në Ukrainë. Edhe vetë banori i Shtëpisë së Bardhë dje u shpreh i dekurajuar për këtë. Rusia po e ngre tonin për të marrë sa më shumë përfitime në planin diplomatik, duke qenë e bindur se ndodhet në pozitë të tillë që ta vazhdojë luftën kundër Kievit pa një ndërhyrje të qenësishme nga ana e Shteteve të Bashkuara./La Repubblica
Komente
