TikTok do të vazhdojë të ekzistojë për të paktën tre muaj të tjerë në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump është gati të zgjasë afatin për shitjen ose ndalimin e tij për herë të tretë që nga marrja e detyrës këtë vit, raporton BBC.
"Presidenti Trump do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv shtesë këtë javë për të mbajtur TikTok-un në funksionim", tha të martën Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Aplikacioni popullor për ndarjen e videove supozohej të ndalohej në SHBA pasi pronari i tij kinez, ByteDance, refuzoi t'ia shiste atë një blerësi amerikan brenda afatit të janarit.
Leavitt tha se zgjatja 90-ditore do të "siguronte që kjo marrëveshje të mbyllet në mënyrë që populli amerikan të mund të vazhdojë të përdorë TikTok me sigurinë se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe të mbrojtura".
Një vendim i tillë për zgjatjen e afatit është në kundërshtim me vullnetin e Kongresit, i cili miratoi masën për shitje ose ndalim vitin e kaluar. Paraardhësi i tij, ish-presidenti Joe Biden, e nënshkroi menjëherë projektligjin duke e kthyer në ligj. Ligji kishte për qëllim të adresonte shqetësimet se TikTok, i cili ka 170 milionë përdorues amerikanë, mund të përdoret nga Kina si një mjet për spiunazh dhe manipulim politik.
Administrata Trump tha në prill se SHBA-të dhe Kina ishin afër një marrëveshjeje që do vendoste kontrollin e shumicës së operacioneve të TikTok në SHBA nën pronësinë amerikane, por nuk është finalizuar.
Komente
