6 të arrestuarit mes të cilëve 2 punonjës të OSHEE, për shtëpinë e barit të zbuluar në zonën "Kashar 2" kanë dalë para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masat e sigurisë. Të arrestuarit ishin: Xhevrije Sulaj, Shqipe Sulaj, Luan Sulaj, Ylli Sulaj, Lutfi Basha faturist, Rifat Kuçi me detyrë elektriçist pranë OSHEE, dhe u procedua penalisht shtetasi Z. V, kryeplaku i fshatit, për moskallëzim krimi.
Vetëm për Ylli Sulaj është dhënë masa e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërsa për Shqipe Sulaj ‘Detyrim paraqitje’ dhe për Xhevrie Sulaj u vendos ‘arrest shtëpie’. Ndërsa Luan Sulaj, Lufti Bashën dhe Rifat Kuci janë lënë të lirë pasi është vlerësuar i paligjshëm arrestimi në flagrancë i tyre.
Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në zonën e Kasharit kishin përshtatur katin e dytë dhe të tretë të një vile një banesë të tillë, për të kultivuar bimë narkotike kanabis sativa. Banesa rezulton në pronësi të Xhevrie Sulajt, por Ylli Sulaj mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Policia sekuestroi 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celulare. Kemi veprimtari mjaft të rrezikshme, një ndërtesë 4 katëshe të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, bashkëpunim, sigurim mjetesh e pajisjesh.
Ylli Sula ka marrë përsipër akuzat për kultivim të bimëve narkotike në banesën që rezulton në emrin e nënës së tij, Xhevrie Sulaj, duke kërkuar lirimin nga akuzat të kësaj të fundit, të motrës Shqipe Sulaj dhe të kushëririt të parë Luan Sulaj. Nga përgjimet e policisë rezultoi se Luan Sulaj njoftoi Ylli Sulajn me kodin "Na pikoi catia" për të treguar se ishin pikasur nga forcat blu. Ndër të tjera, elektriçisti dhe faturisti kanë kërkuar lirinë duke pretenduar se nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Në godinë ishin dy matës energjie, njëri në emër të Ylli Sulës që ka qenë debitor dhe i ishte ndërprerë. Tjetri ishte në emër të Shqipe Sulajt dhe përdorej për energji. Në gjykatë, Ylli Sulaj tha: “Shqipja dhe Xhevria nuk kanë lidhje me këtë çështje. Lidhja e energjisë nga matësi në matës është i lidhur me sahatin. Nuk është lidhje jashtë sahatit”.
Ndërsa për faturistin Lufti Basha, avokati tha se ka bërë lexim me korrektesë të sahatit dhe nuk është në detyrën e tij për të parë lidhjen e energjisë, vetëm për të kontrolluar nëse sahati kalon 700 kWh.
Për elektricistin Rifat Kuçi, avokati tha se detyra e tij nuk lidhet me sahatin matës, por me kontrollin e ndonjë lidhje jashtë sahatit. “Vetëm kur marr urdhër për kontrolle kam për detyrë ta bëj. Vëzhgoj thjesht sahatin”, tha Kuçi.
"Alo, po na pikon çatia". Ky ishte kodi që përdori Luan Sulaj për të njoftuar kushëririn se kishte mbërritur policia në banesën ku kishte kultivuar kanabis. Luani u afrua tel banesa, u konstatua nga policia dhe u bë arrestimi në flagrancë, ndërsa Ylli Sulaj nuk jetonte aty por shkonte shpesh dhe të dy flisnin me kode për të njoftuar njëri-tjetrin për çdo gjë.
OPGJ ndërhyri në banesë pas informacioneve se kultivohej bimë narkotike dhe ndërhynë në flagrancë. Në katin e dytë dhe të tretë të vilës 4 katëshe rezultoi se kultivohej kanabisi pasi ishin instaluar dhe pajisje për ndriçimin dhe ngrohjen e bimës.