TIRANË- Bashkëpunimi mes Sali Berishës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk është një marrëdhënie e përhershme. Kështu ka pohuar anëtari i Kryesisë së LSI-së, Besnik Jakaj në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv me gazetarin Denis Minga. Jakaj theksoi se në politikë gjithçka është marrëdhënie interesi.
“Nuk ka gjë të vulosur me vulë të përjetshme, gjithçka është e përkohshme dhe është marrëdhënie interesi. Secila ka parti ka identitetin e vet dhe do ruajë elektoratin e vet”, tha Jakaj në Report Tv.
Jakaj thotë se Partia Demokratike në 200 ka ardhur në pushtet falë koalicionit me LSI-në. Ai i kujtoi edhe ‘favoret’ Lulzim Bashës, ku tha se në 2011 ai e fitoi Bashkinë e Tiranës falë votave që ka mbledhur LSI. Të njëjtën gjë, Jakaj thotë se LSI bëri edhe në zgjedhjet e 25 prillit ku bëri fushatë për të bërë Lulzim Bashën kryeministër.
“Koalicionet politike janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme. NE 2005 PD ka ardhur në pushtet falë koalicionit me LSI që i ka hequr 18 mandate Nanos. Në 2009 kjo qeverisje nuk arriti të merrte mandatet. Në 2011 PD në shumë vende fitoi Bashkitë, i referohemi Bashkisë së Tiranës, me Bashën, falë diferencës së votave të LSI. Më 2021 më 25 prill LSI për shkak të përplasjeve dhe marrëveshjeve Rama-Basha, LSI doli vetëm por ka bërë fushatë me kandidat për kryeministër Lulzim Bashën”, u shpreh ai.
Për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Përparim Çaçën, zgjedhjet e 6 marsit do të jenë një test politik për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Ndërkohë lidhur me kërkesën e PD-së kundrejt KQZ që të mos e regjistrojë ‘Shtëpinë e Lirisë’ për shkak se përdorën simbolet e PD-së, Çaça thotë se ishte thjesht për një tentativë për konsum politik.
“6 marsi test i rëndësishëm për të parë nëse kemi të bëjmë me një shumicë portalesh, njerëz që më shumë bërtasin apo flasin, apo është një maxhorancë reale me vota në terren. (...) Gjykoj që kanë qenë në aspektin procedural, jo material. Duhej që do regjistrohej në këtë mënyrë, duke qenë se Komisioni Rithemelimit nuk ishte i regjistruar. Ajo që kërkoi PD ishte tentativë për konsum politik, nuk kishte lidhje me pjesën ligjore se vetë KQZ e dha zgjidhjen. Si për ironi të fatit ka filluar loja të nxehet. Përplasja mes dy grupeve, për fat të keq, të dyja grupimet e përçarë të PD-së kanë zgjedhur kandidatë të mirë. Më shumë po shikohet si një luftë për të marrë vendin e dytë sa bashkitë, ky është fakt”, tha Çaça.
Një prej anëtarëve të grupit të '90, Bislim Ahmetaj është i bindur që Basha do e kthejë PD në parti familjare dhe se demokratët do i bashkohen Komisionit të Rithemelimit të Berishës.
“Avantazhi i shtëpisë së lirisë është se kandidatët i zgjodhi anëtarësia. Është hera e parë që zgjedhjet lokale janë qartësisht politike, asnjëherë se kanë pasur rëndësinë politike. Dyshja Rama-Basha janë përballë Berisha-Meta. Basha është hera e vetme që futet në zgjedhje me një lloj morali, sepse do t’i prishë punë anëtarësisë vet dhe të fitojë Edi Rama. Ai do ta shndërrojë atë në parti familjare. Shumica juaj do vijnë tek Rithemelimi. Shumica absolute e demokratëve do vijnë tek partia e re”, tha Ahmetaj.