Shtëpia që mori me qira i solli ters! Në kërkim të bashkëshortit, zhdukur para një viti në Greqi, mbërrin dëshmia e parë për 43-vjeçarin

11 Qershor 2020, 21:59| Përditesimi: 11 Qershor 2020, 22:02

  • Share

Tersi që i solli ajo shtëpi që morën me qira, e përndoqi prej vitesh. Historia e rrallë e një gruaje që është në kërkim të bashkëshortit rrëfehet nga vetë ajo, në studion e emisionit "Pa Gjurmë".

Alma Zaçe është në kërkim të bashkëshortit që humbi gjurmët në mars të vitit 2019 pasi emigroi  për të disatën herë në Greqi. Viktor Zaçe la pas një djalë dhe prej një viti nuk është bërë më i gjallë. Në studion e emisionit 'Pa Gjurmë' e shoqja bashkë me djalin 17-vjeçar bëjnë apel për ndihmë, në kërkim të 43-vjeçarit.

"Djalin e pata të sëmurë. Dhe e mbajta 6 muaj në spital. Endesha e vetme bë spital pasi Viktori kishte ikur që në vitin 2016 drejt Greqisë, pa na thënë. U sëmur papritur dhe nuk e kuptoja çfarë kishte. Ndryshoi i gjithi, ikte dhe vinte. Unë po terrorizohesha, bashkë me djalin. Qante dhe thoshte nuk e kuptoj çfarë po ndodh me familjen. Kjo gjë i ndodhte vetëm brenda shtëpisë, jashtë ishte normal. Kishte një tmerr brenda në atë shtëpi. Unë si Almë se meritoja të jetoja tek prindërit, sepse kisha familjen time. Kishte raste thoshte kam qenë në burg. Vëllai im i madh ka folur me të privatisht dhe i ka thënë më lini pak kohë sepse nuk jam mirë.

Ishte në gjendje shumë të rëndë, më kërkonte të largohesha nga shtëpia. Nuk ishte më Viktori që kishte qenë. Familjarët e tij nuk e besuan që Viktori ishte sëmurë, sepse nuk e kishin parë me sytë e tyre. Ai na tha më mirë vdes dhe ju nuk ju lë kurrë. Por një ditë nuk e gjeta, djali ishte në shkollë dhe kur u ktheva në shtëpi nuk e gjeta. Djali m'u sëmur. U lidha pas shumë përpjekjesh. Herë merrte, herë nuk merrte. Që nga viti 2016 i mora një prokurë Viktorit, pasi doja të udhëtoja drejt Greqisë për të mjekuar djalin. Shkuam në Athinë, por nuk e takuam Viktorin. Nuk na jepte një adresë. Kur telefononte më thoshte se jetoj me një shok. Kishte raste dërgonte disa para. Vinte, qëndronte pak ditë dhe ikte prapë. Marsi i vitit të kaluar ka qenë kontakti i fundit dhe kam folur unë. Telefonatat ishin shkurt dhe të çuditshme", rrëfen bashkëshortja e Viktorit

Nga kjo jetë në udhëkryq, në familjen Zace, kur babai më shumë mungonte sesa ishte në shtëpi, rëndohet edhe gjendja psikologjike e djalit, asokohe një 14-vjeçar. E mbetur vetëm me të birin, i cili u bë pre e bullizmit nga bashkëmoshatarët, Alma mbeti pa përkrahje. Gjendja e djalit rëndohej, ndërsa Viktori ishte zhdukur përsëri.

"Pas vitit 2018 e kam shtruar djalin në spital pasi djalin ma rrahën në lagje shokët. Më rrahën tha dhe nuk ta them, sepse më kanë kërcënuar se do ju vrisnin juve. Djali në shtator mu bë shumë keq. Edhe djali e kërkon. Viktori e ka dashur shumë familjen. Dua të marr një përgjigje se çfarë ka ndodhur a është gjallë, ku jeton. Të interesohet për djalin se si e la dhe si e ka. Mendoj se është një person i tretë, jashtë familjes i cili e tërheq atë që të mos kontaktoj me familjen. Ka marrë me numër telefoni dhe me numër kabine. E kam telefonuar më mbrapa numrin e celularit por nuk e ngriti kush", thotë ajo.

Në studio edhe i biri i tij e ka një mesazh për të atin.

"E pyesja ku ndodhej por nuk tregonte se ku. Fjala ime është të kthej kokën mbrapa dhe të kthehet tek unë, ose të më kthej një përgjigje se është mirë. Njerëzit nga ana e babait nuk janë shumë të interesuar. Kam mbi një vit pa folur edhe me to", apelon 17-vjeçari.

Një dëshmi që mbërriti gjatë transmetimit të emisionit, nga ku mësohet se Viktor Zaçe është parë në Selanik të Greqisë në mars të këtij viti, ngordhi zemrat e familjarëve në studio. Ky informacion është ende duke u verifikuar, pasi ndez një dritë jeshile për fatin e 43-vjeçarit.

Para se te largohej, Viktori kishte shfaqur sjellje te çuditshme. Gjithçka e ka zanafillën tetorin e vitit 2015, kur Viktori emigroi në Selanik të Greqisë, duke qëndruar atje për afro 10 ditë. Ai i kërkonte ndihmë të shoqes, e cila nuk dinte si ta ndihmonte, por duke besuar në bestytni dyshonte se bashkëshortit të saj i kishin bërë magji. Viktori kërkonte Almës ta merrte djalin dhe të largoheshin, pasi kishte frikë se mos i vriste. Viktori i shprehte Almës se ishte shumë i sëmurë dhe i kërkoi asaj që të kujdesej për djalin.

Në mars të vitit 2019 ishte e fundit herë që Viktori flet në telefon me Almën dhe djalin, kur ai u premton se do të kthehej në Shqipëri. Ka kaluar mbi një vit dhe Viktori nuk u bë më i gjallë, e ndërsa Almës i duhet të rrisë e vetme djalin e saj. Deri pak kohësh jetonte në një shtëpi me qira në Tiranë, ndërsa pronari e nxori jashtë. Aktualisht Alma jeton tek shtëpia e prindërve bashkë me djalin dhe është në kërkim të bashkëshortit 43-vjeçar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?