Qytetar i mirë është ai që flet mirë për vendin e tij, ishte porosia që kryetari Erion Veliaj u dha 4 qytetarëve të rinj që morën shtetësinë shqiptare. Mes tyre pasaportën e Republikës së Shqipërisë do ta mbajë dhe Driton Kuka trajneri i kampiones së xhudos, Majlinda Kelmendi.
4 shtetas të rinj, marrin shtetësinë shqiptare. Mes tyre edhe Driton Kuka, trajneri i kampiones në xhudo Majlinda Kelmendi. Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se Shqipëria dhe Kosova po njohin ditët e tyre më të mira, duke e vënë theksin në numrin e madh të turistëve në Tiranë.
“Po jetojmë ditët tona më të mira kur krejt mediat botërore, falë edhe çikave tona në sport dhe muzikë, po flasin kaq mirë për vendin tonë. Ndonjëherë, ne harrojmë të flasim aq mirë për vendin tonë, por sikur secili prej nesh të flasë nga goja e tij me të njëjtën gjuhë prej mjalti, që flet secili prej turistëve kur intervistohet në rrugë, me dashuri për Shqipërinë, do ishim edhe më mirë,” tha Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj i këshillon shtetasin e rinj që këtë identifikim të ri ta shohin si një mision për vendin e tyre.
“Unë besoj se ky është një moment për të reflektuar e për ta trajtuar pasaportën e Shqipërisë, jo vetëm si një leje kalimi për të thjeshtuar pak kufijtë, as si një kartolinë për ta vendosur në mur si medalje, por si nënshkrimi i një misioni dhe i të qenit e një skuadër, se ku rrëzohemi bashkë, edhe ngrihemi bashkë, jemi më të fortë”, tha Veliaj.