Asambleja e Përgjithshme e OKB, foto arkiv

Bota

Shtetësia e Palestinës në OKB: 10 vende gati të votojnë pro! SHBA-të vënë veton projekt-rezolutës për Gazën

19 Shtator, 07:23| Përditesimi: 19 Shtator, 07:34

  • Share

Takimi është caktuar për të hënën. Emmanuel Macron do të mbërrijë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe do të zyrtarizojë, së bashku me vende të tjera, njohjen e Shtetit të Palestinës. Kur presidenti francez e shpalli vendimin në qershor, dukej si një gjest i izoluar. Më pas iu bashkuan Kanadaja, Australia dhe, pak ditë më parë, Luksemburgu. Vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika, e kishin kushtëzuar njohjen, por tani thuhet se janë gati të ndërmarrin hapin, i cili është pjesë e deklaratës programatike për "zgjidhjen me dy shtete" të miratuar në OKB.

Nëse është tashmë e sigurt që Gjermania dhe Italia nuk do ta ndjekin këtë linjë, në Paris përsërisin se mund të ketë "befasi" në orët e ardhshme. Dhe se në fund do të jenë rreth dhjetë shtete së bashku me Francën. Një koalicion i ri t të vullnetshmëve që Macron e ka ndërtuar me një punë diskrete, por intensive me Arabinë Saudite. "E fituam bastin diplomatik", thotë një burim diplomatik në Paris. "Shumë qeveri që dikur kërkonin të pritej, tani duan ta njohin Palestinën për të kontribuar në proces, jo më si hap përfundimtar. Një ndryshim paradigme themelor".

Macron është i vetëdijshëm edhe për rreziqet që hapen tani. Në Paris nuk i fshehin shqetësimet mbi rrezikun e një shteti-fantazmë, të copëzuar dhe pa sovranitet real, as mbi mundësinë që njohja të perceptohet si një shpërblim për terrorizmin. Franca parashikon një njohje “me etapa”, të lidhur me zhvillimet në terren. Hapja e një ambasade franceze në Ramallah është pjesë e masave të parashikuara, por në një fazë të mëvonshme. Një nga kushtet kryesore të vendosura është një reformë e thellë e Autoritetit Kombëtar Palestinez, i cili duhet të tregojë aftësinë për të ushtruar pushtet legjitim dhe një angazhim të dukshëm për rinovimin demokratik të institucioneve. Kjo pikë, vihet re, është edhe kushti që vendosin qeveritë që ende hezitojnë për t’iu bashkuar nismës.

Sfida tjetër e madhe, për Parisin, ka të bëjë me betejën e opinionit publik, sidomos në Izrael. Diplomatët francezë shpjegojnë se fushata armiqësore e nisur nga qeveria Netanyahu, e ndjekur pjesërisht edhe nga SHBA, ka shtrembëruar kuptimin e nismës, duke e paraqitur si një gjest unilateral pro-palestinez ose madje si një “dhuratë për Hamasin”. "Një shtet palestinez i besueshëm, i mbështetur dhe i njohur përfaqëson vdekjen politike të Hamasit", përsërit ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot. Nuk është rastësi që Macron ka zgjedhur të japë një intervistë për një televizion izraelit në prag të asamblesë së OKB-së.

Dokumenti i miratuar në konferencën e Nju Jorkut – bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite – i kërkon qartë Hamasit të dorëzojë armët dhe të lëshojë qeverisjen e Gazës në duart e Autoritetit Palestinez. "Arabia Saudite ka qenë vendimtare dhe nuk ka bërë kurrë një hap pas", theksojnë burime franceze, edhe pse praninë e Mohammed Bin Salman-it të hënën në SHBA ende nuk e konfirmojnë. AnP nuk ka mjete për të menaxhuar vetëm një operacion çarmatimi të Hamasit. Zgjidhja e parashikuar nga Franca është krijimi i një misioni ndërkombëtar stabilizimi, i frymëzuar nga një plan arab i paraqitur muajt e fundit dhe i përfshirë në deklaratën e Nju Jorkut. Një takim i parë mes partnerëve europianë dhe atyre të Lindjes së Mesme është mbajtur tashmë në Paris për të diskutuar mbi realizueshmërinë e misionit. Në ditët në vijim është parashikuar një mbledhje e re për të përcaktuar mandatin, legjitimitetin dhe përbërjen e tij.

Diplomacia franceze nuk përjashton hakmarrjen nga Izraeli, si mbyllja e konsullatës franceze. "Jemi gati për çdo skenar", paralajmërojnë burimet e Quai d’Orsay, duke kujtuar se masa të tilla do të preknin edhe mbi 180 mijë qytetarë izraelitë me pasaportë franceze. Paralelisht, Macron vazhdon të mbështesë se dinamika e re mund të sjellë një rilindje të Marrëveshjeve të Abrahamit, me një rol të rinovuar për SHBA. Ndërkohë, Uashingtoni dje vendosi të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi një projekt-rezolutë që i kërkonte Izraelit "heqjen e kufizimeve për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe armëpushim të përhershëm" dhe Hamasit "lirimin e pengjeve". SHBA-të ishin të vetmet që thanë jo./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dakord: 19/09/2025 08:04

    Jam kurioz të di kush është presidenti dhe kryeministri i shtetit të palestinës që do njohë Macron?? Kur janë bërë zgjedhjet e fundit në palestinë? Ups!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?