Kalaja e Lezhës pa rrugë, s’pret dot vizitorë! Turistët nuk shkojnë dot në monumentin e kulturës, nëse do kishte rrugë do priste 10-fishin e tyre

10 Prill 2022, 20:42| Përditesimi: 10 Prill 2022, 20:48

  • Share

Në Kalanë Mesjetare të Lezhës, ku heroi ynë, Skënderbeu, lidhi besën me princat shqiptarë, hapat e vizitorëve që duan të shuajnë kërshërinë ndihen rrallë e më rrallë...

“Ora shënon 14:00 dhe deri në këtë orar nuk ka shkelur asnjë vizitor në Kalanë e Lezhës. Kjo situatë është e vazhdueshme”

Nga 1 milionë turistë që vijnë çdo vit në Lezhë, në më të mirën e rasteve vetëm 0,3 për qind e tyre mbërrijnë tek porta e Kalasë, që hap panoramën e “qytetit që qëndron në ajër”.

“Ka sot, akoma nuk ka asnjë vizitor”, tha Dedë Përgjoni.

Shkaku duket i lashtë si vetë ky monument kulture, e lidhet me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme, që do t’u lejonte turistëve të shijonin peizazhin e arkitekturën e këtij aseti të ndodhur majë kodrës në lindje të qytetit.

“Mund të them 10-fishin nëse do të vinin ato autobusë me turistë”, tregoi ai.

Jo vetëm neglizhenca, por edhe gabimet e pushtetit lokal e qendror kanë bërë që kalaja të mos vizitohet për ditë të tëra.

“Një nga gabimet e mëdha që është bërë në projektin e asaj rruge është mos parashikimi i gjerësisë që do shërbente për tu ngjitur autobusët”, tha Përgjoni.

Ndërhyrjet e një dekade më parë në 1,8 km rrugë  që do të çonte turistët në kala, rezultojnë të papërshtatshme. Rruga është tepër e ngushtë,  e në të nuk mund të lëvizin mjetet e larta.

“Ke dy kthesa jashtëzakonisht të vështira, të cilat e bëjnë të pa mundur ngjitjen e autobusëve, sidomos ato me turistë të huaj që janë mësuar me rrugë me standarde”, përfundoi përgjegjësi i kalasë.

Përflitet për një tjetër plan, që parashikon një tjetër rrugë në anën jugore që lidh qytetin me kalanë, por sa kohë nuk ka afate të përcaktuara, Kalasë së Lezhës do t’i mungojnë vizitorët.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?