JERUZALEM – Ku është shteti palestinez që presidenti francez Macron dëshiron të njohë?
Përgjigjja brutale është: nuk ekziston.
Kur në protestat pro-palestineze dikush thërret “from the river to the sea”, pra “nga lumi Jordan deri në det”, duke shpresuar dëbimin e izraelitëve, nuk e di për çfarë flet. Nga Jordani deri në det ekziston tashmë një shtet, vetëm një, dhe ai është Izraeli. Palestinezët jetojnë në enklava që nuk kanë asnjë ngjashmëri me një realitet shtetëror. Ata nuk kanë sistem fiskal, as liri lëvizjeje. Nuk mund të importojnë ose eksportojnë pa miratimin e Izraelit. Policia e tyre është si rojet private të sigurisë, përballë ushtarëve izraelitë tërhiqet. Nuk kontrollojnë ujin, elektricitetin, internetin. Nuk votojnë prej 19 vitesh. E gjithë jeta e tyre varet nga vullneti i Izraelit. Ose nga kundërshtimi i tij.
Gaza, dalje në det?
Rripi i Gazës mund të ishte dalje në det për një shtet të mundshëm palestinez. Ka disa kilometra shkretëtirë që e ndajnë atë nga Bregu Perëndimor, rajoni tjetër i “Palestinës së ardhshme”. Lidhja e tyre me një autostradë të mbrojtur apo të nëndheshme nuk është e vështirë. Edhe ndërtimi i një porti është i mundur.
Por çfarë është sot Gaza? Qyteti dhe bregdeti i saj kanë qenë gjithmonë të pasur, që para Krishtit. Këtu filistinë (Palestinë ose Falestinë do të thotë “toka e filistinë”) kapën hebreun Samson dhe, edhe atëherë, përfundoi keq për të dyja palët.
Sot, nga 300 mijë banorë në vitin 1949 janë bërë 2,1 milionë. Që nga viti 2005 ata janë të mbyllur në “burgun më të madh të hapur në botë”.
Riviera
Në Gaza kishte universitete, spitale, fabrika, por zhvillimi dhe liria ishin një utopi edhe para 7 tetorit. Jo rastësisht këtu lindi terrorizmi i Hamasit dhe atentatorët vetëvrasës.
Tani, pas dy vitesh bombardimesh, Gaza është vetëm rrënoja – materiale dhe njerëzore. Do të duheshin miliarda për ta rindërtuar dhe dekada për të shëruar plagët e atyre që do të mbijetojnë.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duan ta shndërrojnë atë në një Riviera luksoze, ku banorët aktualë nuk janë të parashikuar. Por nëse nuk ia dalin? Gaza sot është një barrë njerëzore, ekonomike dhe politike për çdo shtet.
Potenciali
Bregu Perëndimor duhet të ishte pjesa më e fortë e Palestinës së ardhshme. Ka 4 milionë banorë, një eksport të kufizuar në vaj ulliri, gurë ndërtimi dhe hurma, por një potencial të madh turistik me Betlehemin dhe, nëse do të kontrollonte të paktën një pjesë, Jeruzalemin.
Në fakt, është një labirint administrativ ku Izraeli vendos dhe palestinezët përshtaten në hapësira gjithnjë e më të kufizuara.
Kolonitë
Që nga qeveria e parë e Netanyahu-t në 1996, vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor janë rritur jashtë mase. Sistemi është i thjeshtë, kush ka parë filmin fitues të Oskarit No Other Land e ka kuptuar. Një izraelit blen një copë toke, vendos një karvan dhe kërkon mbrojtje. Izraeli shpronëson tokat dhe shtëpitë palestineze për t’i ndërtuar rrugë të sigurta kundër sulmeve të mundshme terroriste.
Ndërkohë, karvani bëhet shtëpi dhe shpallet “koloni”. Me ligj Izraeli subvencionon kolonët (hebrejtë), i përjashton nga taksat, u ofron punë, jep leje armëmbajtjeje (200 mijë, një ushtri paralele) dhe, për “siguri”, largon palestinezët. Nuk ka rëndësi që ajo është Bregu Perëndimor dhe jo Izraeli, sipas Marrëveshjeve të Oslos. Komandon ushtria izraelite.
Trashëgimia e 7 tetorit
Pas 7 tetorit gjithçka është përkeqësuar. Për “siguri” Izraeli ka ngritur porta rreth të gjitha qendrave të Bregut Perëndimor. Të gjitha. Një shufër e verdhë që hapet ose mbyllet pa paralajmërim. Për të shkuar nga një fshat në tjetrin duhet të gjesh cili portë do të jetë hapur. Sigurisht mund të jenë të mbyllura të gjitha. Pa shpjegim, pa apel.
Kur ndodh, palestinezët e Bregut Perëndimor nuk mund të kthehen as në shtëpitë e tyre. Deri kur? Askush nuk e di. Ata që japin urdhrat nuk flasin arabisht dhe as mundohen të komunikojnë. Nuk kanë nevojë. Thjesht komandojnë.
“Franca e lirë” e gjeneralit De Gaulle nuk kishte territor apo ushtri, por kishte aleatë dhe prestigj. Administrata palestineze e presidentit Abu Mazen është e kundërta. Ka një fasadë force që e përdor kryesisht për të kontrolluar vetë palestinezët, një territor që po humbet pjesë, asnjë aleat. Nuk mund të quhet demokratike.
E mundur në zgjedhjet e 2006-s nga Hamasi, nuk e njohu rezultatin dhe një vit më pas shpërtheu lufta civile. Çfarë Palestine mund të njihet?
E vetmja që ekziston: e fortë, plot ngjyra, e gjallë – Palestina në mendjet e palestinezëve. Ajo ekziston, pa dyshim. Por do të duhen gjenerata dhe një vullnet ndërkombëtar, që nuk duket në horizont, për t’i dhënë pak përmbajtje këtij ëndrre./ Corriere della Sera
Komente
