TIRANË- Rritja e konkurrencës, e cilësisë, përmirësimin e çmimit dhe mbështetja me grante kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar mes ministres së Financave Anila Denaj, ministrit Eduard Shalsi dhe bizneseve. Denaj theksoi se qeveria po ndërmerr politika lehtësuese fiskale dhe procedurale për të ndihmuar sipërmarrjen vendase.
“Fokus është SME shqiptare. Si do të mundemi që të orientojmë politikat ekonomike për SME shqiptare për të rritur kokurrueshmërinë, shkallën cilësinë dhe aksesin në financë. Pse na vështirësohet zgjedhja shqip nëse do të donim të blinim shqip. Sot është aksesi në tregun lokal dhe objektivi sot është të diskutojmë çfarë e bën produktin shqiptar të mos gjendet në të gjithë formatin e tij në tregun lokal, pse nuk i gjejmë dot në supermarketet tona të gjitha produktet shqiptare? Pse nganjëherë na vështirësohet zgjedhja shqip nëse do të donim të blinim shqip?”, u shpreh ministrja Denaj.
Pyetjes së ngritur nga ministrja Denaj i përgjigjet sekretari i Bashkimit të Prodhuesve Arben Shkodra, i cili thotë se konsumatori nuk ka besim tek produkti vendas.
“Nuk ka shumë besim. Ka ndikuar shumë edhe promovimi I produkteve të huaja. Ka të bëjë shumë edhe certifikimi, tashmë konsumatori shqiptar kërkon cilësi dhe standard”, pohoi Shkodra.
Një tjetër problematikë e ngritur në takim është aksesi në tregun, ku Drejtorja e AZHBR, Frida Krifca tha se po punohet edhe në këtë drejtim. “Produkti është i jashtëzakonshëm, e ka të vështirë ta sjellë në formën dhe në paketimin e duhur në ruajtjen frigoriferike të duhur që duhet të ekzistojë në supermarket”, u shpreh Drejtorja e AZHBR, Frida Krifca.
Produkti shqiptar nuk konkurron dot me atë të rajonit pasi ka kosto më të lartë. Për këtë arsye Agim Rrapaj kreu i agrobiznesit ka kërkuar rishikim të disa politikave të qeverisë.
“Kjo politikë 20% e rimbursimit të grumbulluesit për shtetin dhe 6% rimbursim për fermerin. Shikojeni dhe një herë se nuk do na jap efekt. Shikojeni dhe një herë çështjen e karburantit, sepse është e papërballueshme për fermerin tashmë pas pandemisë”, thotë Rrapaj.
Në takim u tha se grantet e dhëna deri tani për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, ka dhënë rezultat pozitiv në zhvillimin e tyre.