Tetë familje në fshatin Mbyet të Fierit kundërshtojnë vendimin e qeverisë për shpronësimet, pasi tokat e tyre bujqësore, që kërkohen nga bashkia, për të zgjeruar varrezën publike, janë vlerësuar me çmim të ulët. Në VKM thuhet se një dynym tokë do të shpronësohet me 260 mijë lekë dhe një rrënjë ullinj me 11 mijë lekë. Banorët kërkojnë çmim më të arsyeshëm pasi nuk kanë burim tjetër të ardhurash.
“Ne e kemi përfituar këtë tokë nga ligji 7501. Kemi mbjellë ullinj prej 40 vitesh dhe marrim prodhim, tani vijnë na e marrin për varreza. Le ta marrin por të na japin çmim me të lartë, me çfarë t’i ushqejmë fëmijët?! Ne me këtë tokë ushqehemi, se shesim vajin. Bashkia vjen e merr tokën pa njoftuar, pa konsultuar. Vjen e shkul ullinjtë këtu, pa rënë dakord me ne për çmimin e tokës”, thanë ata.
Ndërkohë policia bashkiake ka shkuar për të prerë ullinjtë por ka hasur në rezisencën e banorëve. Përballë kësaj situate të tensionuar ka ndërhyrë policia e shtetit duke shoqëruar tre prej tyre, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë të lirë.
E kontaktuar në telefon drejtoresha e shërbimeve publike në bashkinë e Fierit, Entela Kola tha se në bazë të VKM - së do të vijojë puna për zbatimin e projektit “Zgjerimi i varrezave publike, faza V, fshati Mbyet, njësia administrative Portëz”.
Komente
