Mediat shqiptare, publicistë, gazeta e televizione, të zënë me luftën për pushtet mes palëve armike dhe hamendjet nëse këto palë qelbësira do jenë të afta të na e rrezikojnë apo jo jetën ne qytetarëve, apo nëse e ardhmja jonë duhet t’i shohi ngjarjet e 1997-tës si lodra fëmijësh në krahasim me atë çka po na përgatit Monika me Lulin, dhanë fare thatë dy lajme. Madje jo të gjithë, por disa. Lajmi i parë: Beccheti, ish pronar i Agon Channel, e paska çuar Shqipërinë në gjyq dhe ja ka fituar nja 140 milion Euro. Lajmi i dytë: është vjedhur një vulë te arshiva e shtetit. Asnjë koment, askush s’u ndje, aq më pak qeveria.
Për lajmin e parë, s’di ç’të them! Një “Investitor” i kalibrit të Francesko Becchetit,që ka qenë i aftë të mundëte Dojçbank, natyrisht që këta tanët sdo i kish gjë. Provoni të gjeni e t’i hidhni një sy paçaures me emërin kontratë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë dhe do prekni menjëherë rrumpallën që ka bërë ky person me shtetin tonë dhe qorrollepsjen juridike ku e ka zhytur e nga ku s’del dot.
Për lajmin e dytë, s’mund të mbyllësh sytë e të qëndrosh në heshtje. Më duhet të qendroj dhe të shpreh shumë, sepse lidhet drejtëpërdrejtë me interesat e komunitetit ku ndaj interesat, pasionin dhe, kur duhet, kohën studimore. Çfarë shkruhet në lajmin për vulën? Është objekt fizik, i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, diku në afërsi të Delvinës; si pjesë përbërëse e saj, daton rreth viteve 1600. Drejtori i Përgjithshëm i Arshivës së Shtetit ka bërë denoncimin në policinë dhe Prokurorinë e Tiranës, në datë 10 maj. Deri në datën 7 maj ka dëshmi se ka qenë gjendje, ngase fermani është marrë nga përgjegjesi i Sektort të Evidecës për skanim, që do kryhej diku në zyrat e një kompanie të specializuar (?), kjo për të plotësuar kërkesën e një studiuesi. Ka ca rrethana të tjera, që s’po i përmend, sepse janë në hetim. Ngjarja të lë pa gojë.
Kur ndodhesh në honet e trishtimit, të kujtohen të gjitha. Të ndërmendet vjedhja lehtësisht e artefaktit më të vyer që ka shteti shqiptar, Epitafi i Gllavenicës. Më tej sheh shqiptarët,që me ngjarjet e viteve 1997-1998, undodhëntë vetmuar e të braktisur në fatkeqësinë e tyre, prej ushtrisë e kujdo tjetër që majmeshin, visheshin e ngjisheshin për t’ju ndodhur popullit në ditë të keqe. Pa mëdyshje që ke të drejtë të mendosh se ky shtet ishte i dështuar. Në ato vite ne ishim më keq se Somalia, Ruanda apo Haiti. Banka e muzeume u rropën nga çka kishte vlerë. Pastaj merr vesh që këtij shteti të dështuar i kanë vjedhur dhe thesarin, rreth 340 kg ar, nga e cila u gjetën krejt rastësisht rreth 24 kg. Më tej, në pyllin e ndërtimeve shumëkatëshe që lulëzuan, në këtë vendin tonë të mjerë, ku askush, asnjë institucion nuk kërkon të dijë burimin fillestar të këtyre investimeve, shastisemi nga lajmi se dikush, një punonjës i Bankës së Shqipërisë, mbushte brekët çdo ditë me prerjet 5000 lekshe të bankënotave dhe, dikur, pasi ka nxjerrë jashtë nja shtatë miliard lekë, kapet. Hajdo mo, të shkuara të harruara-thotë populli! Por, s’paska qënë e thënë, ndërsa merr vesh se pësimet nuk janë bërë mësim.
Trishtimi është vërtet i madh e nuk mund të heshtësh, se si e ndjen veten, dëshmitar i një bote shqiptare, thënë me dhimbje, të mbaruar tashmë. Humbja ose vjedhja, ka ndodhur në një nga institucionet që presupozohet se ka siguri maksimale, me punonjës e specialistë të stërkontrolluar, me kamera e teknollogji ruajtje e kontrolli modern. Arkivi Qendror Historik, pavarësisht përpjekjeve në kohën e mbretërisë, nuk u ngrit dot, megjithë dëshirën. Arkivi i Shtetit u krijua kur u ngrit në vitin 1947 një Institut i Studimeve. Në pragun e 100 Vjetorit të Pavarësisë, si kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, unë dhe anëtarë të tjerë ishim të motivuar të gjurmonim sa të mundnim fatin e dokumentit të pavarësisë. Në shtypin e shoqatës dhe atë të përditshëm botuam shumë artikuj, deri sa një ditë mbetëm pa mend e pa fjalë, kur historiani ynë i mirënjohur, i ndjeri Kristo Frashëri, gjatë një interviste pohoi se “...e dinte kush e kish, por nuk e tregonte”. Pikërisht, gjatë kësaj periudhe patëm edhe një informacion se “Vëllezërit jugosllavë” kishin ngarkuar kamjona me dokumente dhe i kishin nisur drejt portit të Durrësit. Më ndjeni, nuk di sa e vërtetë është kjo, por, nëse ka ndodhur, trishtimi është vërtet i thellë.
Arshiva e Shtetit, përveç dokumenteve të institucioneve, grumbulloi pa rreshtur dokumente të ruajtura nga privatët. Grumbulloi dhe vazhdon të grumbulloj, sepse ato më mirë se kudo tjetër janë ruajtur ndër poseduesit shtëpijakë, koleksionistë ose jo qofshin. Nëse, për sa thashë më sipër për grabitjen e vitit 1947, s’jam në gjendje të provoj gjë, sa i përket këtyre që do radhis më poshtë, janë të stërprovuara. Arshiva e Shtetit, me fillimin e viteve të demokracisë, u shndërrua në një plasdarm politik palësh. Vlerat e ruajtura, që duhet t’i shërbejnë historisë, u përdorën më së shumti për politikën korente. Ka qenë një drejtues që fotokopjoi dhe çoi në shtëpi dokumente që do i shërbenin “publicistit” për të sulmuar armikun. Jo pak herë arshiva u vu nën akuzë për pranime dokumente të fallsifikuara e të paraqitura si fotokopje, që më pas do ndikonin në vendime gjyqësore pronash. Arshiva pati frymëmarrje në kohën e të vetmes specialiste drejtuese, znj. Nevila Nika. Të tjerët pas saj kanë qenë allishverishe të pushtetit brënda tepsisë. Drejtimi i Arshivës befas u zhvesh nga drejtimi profesional dhe ju besua pazarit, “...më jep kaq vota të të jap Arshivën”. Pak a shumë kështu ka qenë. Drejtuesi jo domosdoshmërisht mund të kish njohuri e të merrte erë nga arshiva dhe aq më pak nga historia. Kur PDIU u bë aletate e PS-së, ju dha nga tava copa “Sigurime Shoqërore”. Kësaj copës së vogël të tavës ju shtua më pas dhe “thërrimja” që kish ngelur në tavë, Arshiva e Shtetit.
Nga rastet që përmenda, kur shtetit i vidhet prona publike, di se po vuan dënim në burg vetëm ai vjedhësi i Bankës së Shqipërisë. Pas çdo vjedhje, mund të ketë ndodhur të kapet vjedhësi, por nuk ka ndodhur kurrë të kthehet ndonjë vlerë e vjedhur, sidomos para. Të tjerë, ndonjë drejtor, ndonjë përgjegjës, ndonjë shef, për pakujdesi, mos ushtrim të funksioneve drejtuese, organizuese e kontrolluese, ndodhen në busg copë zero! Edhe nëse ka ndodhur të vihen nën akuzë, në komoditetin e shtëpisë e kanë “vuajtur” arrestin. Prokuroria, mungesën e kontrollit dhe të disiplinës, thyerjet e rregulloreve të brendshme të funksionimit të institucioneve (që herë-herë as e dinë se i kanë dhe sa i njohin), i ka evidentuar si shkaqe kryesore, si shthurrje të disiplinës, por askush nuk është bërë shembull. Në rastin e vjedhjes të vulës së fermanit të Manastirit të Kamenës, pronë publike dhënë në administrim Arshivës së Shtetit, do ishte fyerje e intelektit njerëzor ose tallje e hapur, nëse prokuroria dhe gjykatat tona do përplasen kuturu dhe mbas “tre ditesh” do e kredhin lajmin dhe akuzën në errësirë. Nuk është punë parash, ato shkojnë e vijnë me rëndesën në shpinën tonë, që mban shumë. Becchetit, pasi të paguajë zuzarë e zuska bashkëpuntorësh shqiptarë, do i mbeten mjaftueshëm për blerje lojtarësh futbollistë, për Leyton-in e tij në Angli. Ndërsa artefakti që Arshiva e Shtetit ka humbur është pjesë e historisë së Shqipërisë, është pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Përfytyrimet e cunguara të deritanishme, mbi çka ndodhur, kanë detyrimin t’ja japin opinionit sa më parë në një hapësirë të zbardhur, jo vetëm prokuroria, por sidomos mediat.
*Kryeredaktor i revistës “Koleksionisti”, organ periodik i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë.