Shtimi i numrit të emigrantëve, përtej efektit negativ që mund të sjellë në shumë aspekte në vend, ku bizneset kërkojnë punonjës e profesionistë, nga ana tjetër po ndikon pozitivisht në shtimin e vlerës së remitancave.
Përgjatë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve kanë arritur vlera rekord, që prej vitit 2008 kur janë raportimet e para nga Banka e Shqipërisë mbi këtë fenomen.
Në total vjet emigrantët sollën në vend 929 milionë euro duke u rritur me 95 milionë euro në raport me vitin 2022.
Por nga ana tjetër vlera e remitancave mund të jetë më e lartë, pasi ka emigrantë që zgjedhin që paratë për familjarët e tyre ti sjellin cash dhe jo nëpërmjet kanaleve formale. Sidomos në periudhën e fundvitit, kur kthehen për të festuar në vend.
“Gjatë periudhës, është vërejtur rritje e dërgesave në formën e prurjeve në cash, atribut i ardhjes së emigrantëve gjatë periudhës së fundvitit”, thuhet në raportin e BSH.
Sipas Bankës Botërore remitancat janë jetike për mijëra familje, dhe ato vijnë kryesisht nga Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra dhe ShBA. Gjatë periudhës së pandemisë, dhe më pas kur vendi u përfshi nga kriza e çmimeve, remitancat kanë kontribuar pozitivisht në përballimin e kostove të jetesës për familjarët e tyre.
Në 1 dekadë 2013-2023, emigrantët kanë sjellë në vend 7.5 miliardë euro për familjarët e tyre.
REMITANCAT NË NJË DEKADË
Viti 2013 545 mln euro
Viti 2014 592 mln euro
Viti 2015 598 mln euro
Viti 2016 615 mln euro
Viti 2017 636 mln euro
Viti 2018 670 mln euro
Viti 2019 702 mln euro
Viti 2020 673 mln euro
Viti 2021 761 mln euro
Viti 2022 834 mln euro
Viti 2023 929 mln euro