Shoferët që humbasin të gjitha pikët dhe përfundimisht edhe patentën, po hasin vështirësi në rimarrjen e saj. Pas dështimit të ritestimit të parë ku gjashtë nga 13 që humbën pikët për të kaluar testin, e njëjta gjë ndodhi edhe me një listë tjetër humbësish. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor u zhvillua ritestim për pesë persona nga 18 të regjistruar në total. Të gjithë u rrëzuan në ritestim, asnjëri nga të pestët nuk mundi të rimerrte sërish patentën në testin e teorisë. Të gjithë ata, tashmë, duhet të fillojnë edhe njëherë nga e para mësimin në Autoshkollë, në mënyrë që të tentojnë sërish të marrin patentën, me vetëm një mundësi prove.
Nëse në gjashtë ngelësit e pak ditëve më parë, të cilët ishin kryesisht shoferë të rinj me një eksperiencë 10-vjeçare, e njëjta gjë nuk ndodhi me ritestimin e dytë. Pesë shoferët ishin pajisur në distancë të ndryshme kohore me patenta, më i largëti daton në vitin 1994, për vijuar me vitet 2007, 2010, 2014 dhe 2019.
Deri më tani, numri në total i atyre që kanë humbur pikët dhe rrjedhimisht edhe vetë patentën ka shkuar në 31. Të gjithë iu nënshtruan nga fillimi Autoshkollës për shtatë ditë, duke kryer të gjitha pagesat standarde. Nga 31 humbësit e pikëve vetëm 11 prej tyre shkuan në ritestim brenda afatit 30 ditor dhe asnjëri prej tyre nuk ia doli të rimerrte teorinë, duke bërë më shumë se tre gabime, aq sa është edhe limiti i vendosur. Ata nuk kanë më një shanc të dytë. E vetmja zgjidhje është rikthimi sërish në Autoshkollë për shtatë ditë, kryerja e pagesës nga fillimi dhe tentativa për të hyrë në provim sërish, me vetëm një tentativë. E nëse edhe së dyti nuk arrin ta marrë, procedura ripërsëritet e ripërsëritet gjithnjë nga e para, ndryshe nga ata që pajisen me patenta për herë të parë, të cilët kanë të drejtë të hyjnë në provimin e teorisë deri në pesë herë.
Heqja e pikëve të patentës hyri në fuqi një vit më parë me ndryshimet e Kodit Rrugor. Kryesisht humbasin pikë ata shoferë që konsiderohen si më të rrezikshëm në rrugë dhe kryejnë manovra të këqija. Një shofer kur pajiset me patentë ka në dispozicion 20 pikë, të cilat mund t’i zbriten ose rriten në varësi të sjelljes së tij në rrugë. Shkelja më e rëndë që parashikon heqjen njëherësh të 15 pikëve që me herën e parë është ajo kur shoferi nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti me dëme në njerëz.
10 pikë hiqen kur shoferi nuk pranon të paraqesë dokumentacionet që i kërkon policia, nuk ndalon në postblloqe, qarkullon nën ndikimin e narkotikëve, nuk ndalon ose nuk lejon të kalojnë emergjencat dhe qarkullon me mjet transportues mallrash pa zbatuar rregullat e sigurisë. Më tej renditen edhe shkeljet më të buta, për të cilat hiqen më pak pikë. Për këto shkelje, por edhe të tjera, kur ripërsëriten brenda një viti, vlera e pikëve të hequra shtohen.
Një pit-stop edukativ është parashikuar për shkelësit me pasojë të lehta në rrugë, në momentin kur kryejnë rinovimin e patentës. Ndryshimet në Kodin e ri Rrugor kanë parashikuar që të shpërblejnë edhe ata që janë model i mirë në rrugë. Nëse brenda 2 vitesh nuk kryen shkelje, atëherë në patentë shtohen 2 pikë për çdo 2 vjet, deri në një maksimum prej 30 pikësh.