Shtohen pikëpyetjet...A do të ketë një vaksinë antiCovid para zgjedhjeve në SHBA?

9 Shtator 2020, 17:57| Përditesimi: 9 Shtator 2020, 17:59

  • Share

Ndërsa shtohen pikëpyetjet nëse Shtetet e Bashkuara do të autorizojnë një vaksinë për koronavirusin përpara zgjedhjeve të nëntorit, ekspertët thonë se ekziston një mundësi e vogël që të ketë prova të mjaftueshme për një vaksinë të sigurt brenda kësaj periudhe.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë vazhdimisht se një vaksinë është e mundur para zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe ka ngritur akuzën se brenda agjencisë që merret me miratimin e barnave ekziston një “shtet brenda shtetit” që përpiqet të ngadalësojë provat klinike, me synimin për të penguar shanset e rizgjedhjes së tij për një mandat të dytë.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave e ka mohuar një pretendim të tillë, duke thënë se vendimet e saj bazohen vetëm mbi të dhënat shkencore.

Në përpjekje për të forcuar besimin e publikut në klimën e grindjeve politike, prodhuesit e ilaçeve u zotuan të martën se do t’u përmbahen standardeve shkencore të sigurisë në punën kërkimore për vaksinën.

Siguria e vaksinave ishte në vemendje të mërkurën, pas deklaratës së firmës AstraZeneca PLC se kishte vendosur të ndërpriste përkohësisht provat me Universitetin e Oksfordit pasi një prej vullnetarëve që bëri vaksinën në Britani, u prek nga një sëmundje e pashpjegueshme.

Kompania e quajti pezullimin diçka rutinë dhe tha se do t’i riniste provat kur këtë ta rekomandonte një komision i pavarur.

Edhe kompani të tjera kanë komentuar, duke lënë të kuptohet se ato mund të kenë një përgjigje nëse vaksinat e tyre do të jenë gati ose jo përpara muajit nëntor.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se rezultatet fillestare të provave ka të ngjarë shpallen në nëntor ose dhjetor, por fundi i tetorit mbetet një mundësi.

Për t’u marrë në shqyrtim si kandidate të mundshme, vaksinat duhet të provojnë se janë të paktën 50 për qind më të efektshme se substancat e llojit “placebo” që nuk kanë asnjë ndikim, por përdoren për të bërë krahasimin tek njerëzit që u nënshtrohen provave.

Për të provuar efektivitetin, zyrtarët e qeverisë kanë thënë se midis pjesëmarrësve duhet të regjistrohen të paktën 150 infektime me COVID-19, ndërsa tek personat e grupit “placebo” numri i rasteve duhet të jetë të paktën dy herë më i lartë.

Nëse një vaksinë është mjaft e efektshme, kompanitë mund ta japin përgjigjen e tyre më shpejt.

Kompanitë Pfizer Inc dhe Moderna Inc., eksperimentet e të cilave në SHBA janë më të përparuarat dhe ku janë regjistruar mijëra njerëz, thonë se mund të kenë prova të efektshmërisë, kur numri i të infektuarve të jetë vetëm disa dhjetëra.

Të dhënat shqyrtohen nga disa komisione të pavarura ekspertësh, të quajtura Borde të Monitorimit të të Dhënave dhe të Sigurisë, (DSMB), të cilat mund të rekomandojnë ndërprerjen e provave, nëse rezultatet janë jashtëzakonisht pozitive ose negative. VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?