Shtohet 1 mln $ fond për spitalet: Të rritet stoku për mjetet e mbrojtjes personale (Maskat e dezinfektues)

25 Shkurt 2020, 18:46| Përditesimi: 25 Shkurt 2020, 19:06

  • Share

TIRANË - Shtohen 1 milionë dollarë në buxhetin e spitaleve për të rritur stokun e mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat spitalore, siç janë maskat mbrojtëse apo dezinfektues për duart e doreza. Vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri.

Në një njoftim zyrtar për mediat, Ministria e Shëndetësisë, thotë se fondi shtesë është vetëm për stok furnizues për spitalet, pra për bluzat e bardha dhe jo për farmacitë. Me përhapjen e koronavirusit në Italinë fqinje, në Shqipëri pati kërkesa të larta të qytetarëve për maska mbrojtëse apo për dezinfektues për duart, si masa parandaluese ndaj koronavirusit. Kjo situatë u tentua të kthehet në abuzivitet, pasi përballë kërkesave të larta, në farmaci pati rritje të çmimit të maskave mbrojtëse në fytyrë. Teksa qytetarët u dyndën duke boshatisur farmacitë, për të frenuar abuzimin e mundshëm, Prokuroria e Tiranës ditën e sotme ka nisur hetimet për veprën "“Manipulimi i tregut”  për të mbledhur të gjitha provat dhe për të dokumentuar rastet e subjekteve që në mënyrë abuzive rritën çmimin e maskave. 

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale, për të përballuar situatën. Ministria e Shëndetësisë siguron se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID 19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët se do të ofrojë informacione të përditshme, ashtu siç ka bërë deri më tani, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut", thuhet në reagimin e ministrisë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?