Shtohet me 5 mld lekë buxheti 2022! Debate te ‘Ekonomia’, Ibrahimaj: Në fokus rindërtimi, sporti dhe blegtorët! Opozita: Akt klientelist, parashikime të dobëta

16 Dhjetor 2022, 14:14| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 14:56

  • Share

Akti Normativ i qeverisë që shton të ardhurat buxhetore të viti 2022 me 5 miliardë lekë, me në fokus blegtorët, rindërtimin dhe sportin, nxiti debate në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.  Për opozitën, shtesat në ardhurat buxhetore nuk janë meritë e qeverisë, por nga rritja e çmimeve. Sipas Deputetëve të PD, adresimi i këtij fondit të ri është për interesa klienteliste dhe nuk reflekton interesin e shqiptarëve.

"Asnjë ndjeshmëri për shtresat në nevojë. Ju do votoni si t’ju thtoë lideri global, që vetë sdo ta votoj, se sdo ketë kohët ë merret me këto. Nuk nxirrni arsyen e vërtetë se përse janë rritur të ardhurat, por kjo ka ndodhur prej çmimeve", tha Leskaj.

"Kapacitete planifikuese të qeverisë minimale. Akti tretë normativë këtë vit. Rindërtimi dhe inceneratorët është një nga problemet më të mëdha të buxhetit", tha Tabaku.

"Vit i vështirë në parashikime. 1 000 blegtorë më shumë do mbështeten nga buxheti…Rritja e të ardhurave jo vetëm prej rritjes së çmimeve.  Konsumi i popullatës 9.07% është rritur në 6 muajt e parë të 2022. Pagat mesatare janë rritur 9%,  në krahasim me 2021, më e lartë se inflacioni… pensionet janë rritur 9.5%. në administratën publike.Pagat në adm publike u rritën 7% në krahasim me shumë se vjet. Rritja ekonomike është rritur, numri bizneseve është rritur", tha Ibrahimaj.

Kundërshti me parashikimet buxhetore ka patur dhe nga deputeti socialist, Erion Braçe, veçanërisht për fondet e alokuara ndaj FSHF dhe KOKSH.

"KOKSH është OJF, për çfarë u duhen këto para. Edhe FSHF është OJF. Ju duket se ska para, pse duhen gjithë këto fonde. FSHF shan qeverinë çdo ditë", tha Braçe.

"KOKSH është pjesë e programit të klasave sportive. Për FSHF do ketë një VKM ku do sqarohet e gjithë veprimtaria dhe si do përdoret mbështetja…", tha Ibrahimaj.

"Po për çfarë! Si?" - pyeti Braçe.

Debati mes Braçes dhe Ibrahimajt u ndërpre nga një telefonatë e cila mesa duket ishte e pamundur të refuzohej nga ish zv/kryeministri. Ndryshimet morën dritën jeshile të komisionit. Të ardhurat e Buxheti të vitit 2022 pasurohen me 5 miliardë lekë, duke u rritur në 581.8 miliardë lekë. Borxhi e defiçiti publik, 83.8 miliardë lekë nuk ndryshon.  Rritet fondi rezervë në 3.5 miliardë lekë, fondi për politikat e të pagave shkurtohet me gati 700 milionë lekë. Shfuqizohet fondi 3 miliardë lekë i planifikuar për shpronësimet. Fondi i rindërtimit i parashikuar 20 mld lekë, do të rritet në 32.4 mld lekë. 1 miliardë lekë do alokohet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor.

Ora 14:45
Braçe del i revoltuar nga Komisioni i Ekonomisë: Mjaft, s’ja vlen më të jem deputet! S’kam pse të jem i pari, kur bujqit janë të fundit

Deputeti socialist Erion Braçe ka paralajmëruar sërish largimin nga politika. Braçe ka dhënë një tjetër sinjal ditën e sotme pas mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, i cili ka dalë i revoltuar duke kundërshtuar mënyrën e ndarjes së fondeve.

Braçe shprehet se nuk ja vlen më të jesh i pari, kur bujqit nuk po mbështeten nga kjo qeveri, por në fakt janë gjithmonë të fundit kur vjen puna tek ndarja e buxhetit.

“Bujqit janë të fundit kur ndahen paratë e buxhetit, fakti është ky!Kur ata janë të fundit, unë skam pse te jem i pari. Boll me! As që ja vlen më! VO: popullariteti? Me pëlqen me mire pa popullaritet! Por një gjë po ua them ama: Tërshëra nuk është kurrë grurë, pavarësisht ngjyrës!", shkruan deputeti.

5 miliardë lekë shtesë për të ardhurat e buxhetit të vitit 2022 u miratuan sot në Komisionin e Ekonomisë, por Braçe kundërshtoi ashpër mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Në një video pas përfundimit të mbledhjes, Braçe thotë se për bujqësinë shkuan vetëm 200 milionë lekë, ndërsa ai prej kohësh ka kërkuar nga qeveria dhe ministria e Bujqësisë që të japin 1 miliardë lekë për këtë sektor.

Sipas tij, mbështetja e dhënë për bujqësinë është e pamjaftueshme. Braçe thekson se nafta duhet të sigurohet falas për të gjithë bujqit dhe mbështetje për tufën bazë të matrikullimit.

"Dola nga Komisioni i Ekonomisë, sapo! Paratë u ndanë, 30 miliardë u shpërndanë, bujqësisë ju dhanë vetëm 200 milion lekë! Vetëm kaq! Prej dy muajsh kam kërkuar me ngulm 1 MILIARDE LEKE për dy zëra të skemës mbështetëse: Naftën falas për bujqit, tufën bazë të matrikulluar. Mendova të paguanim plotësisht 1/3 e familjeve bujqësore që nuk kanë marrë naftën ende. 2000 i kam veç unë në Divjakë e Lushnjë. Mendova të paguanim plotësisht 3400 familje blegtorale qe edhe pse kanë plotësuar kushtet, nuk kanë marrë ende paratë! Pra, kërkoj prej muaj vetëm 1/30 e parave që u shpërndanë sot”, shkruan Braçe.

Ish-zv.kryeministri thotë se Ministria e Bujqësisë justifikohet duke thënë se kërkesat e tij janë populizëm dhe propozime për të rritur popullaritetin e një personi të caktuar.

JOOOOOOOOOOOOOO! JOOOOOOOOOOOOOOOOOOO! Për NAFTEN nuk do ketë me para-pas këtij akti; për tufën baze te matrikulluar do ketë vetëm 200 milion për vetëm 1000 familje blegtorale nga 3400 që kanë mbetur pa paguar. Kaq! Po mësoj që ministria e bujqësisë ka vendosur kështu! Argumenti: janë populizëm e propozime për të rritur popullaritetin e një njeriu, e dëgjova me zë e sy më sy sot”, shkruan ai.

Largimin nga politika, Braçe e ka paralajmëruar edhe herë tjetër, duke thënë se do lërë mandatin e deputetit, pasi nuk po e lënë të kryejë detyrën e tij duke hedhur akuza në drejtim të Kuvendit se është o kapur. Braçe ka kritikuar vazhdimisht qeverinë mbi politikat e marra për bujqësinë dhe blegtorinë, e madje shpesh është shprehur se propozimet e tij bien në vesh të shurdhër pasi nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria.

Braçe shihet edhe si zëri opozitar brenda qeverisë, ndërsa këto qëndrime janë parë si luftë brenda PS. Një koment mbi këtë situatë e ka pasur edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se “ish. zv-kryeministri është i lirë të thotë ç’të dojë”.

Ora 13:44
Braçe te ‘Ekonomia’: 70 mln lekë për FSHF, qershia mbi tortë! Bërtet kundër qeverisë e ankohet tek UEFA

1671196941_Screenshot5.jpg

Ish zv/Kryeministri Erion Braçe ka debatuar ashpër me Delina Ibrahimajt, Ministër i Financave për alokimin e një fondi për FSHF dhe KOKSH. Sipas tij, FSHF është OJQ dhe ka para. Braçe thotë se fondi duhet ti dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Sa është mos realizimi i shpenzimeve kapitale? Sa janë detyrimet e prapambetura në total në 31 dhjetor të këtij viti. I shtohet rindërtimit fondi 12.4 mld lekësh, në buxhet fillestar kemi patur 20 mld lekë të reja. Kur planifikuam vjet këtë vit, thamë që jemi pranë fundit me procesin e rindërtimit, sa para paguajmë ne deri në 31 dhjetor në total dhe sa para të tjera na duhen për të mbyllur këtë proces?

Pyetje tjetër për disa zëra, 2 mld lekë për Koorporatën e investimeve. Meqë do votojmë ne për këtë 2 mld lekëshin, cilat janë projektet dhe për çfarë do të shpenzohen këto? 2 mld për Alb Gaz dhe 2 mld lekë të tjera për Aviacionin Civil! Këto që shkojnë tek Alb Gazi, për çfarë projektesh konkrete. Jam kurioz ta di këtë! 500 mln lekë për projektet e digjitalizimit për policinë e shtetit dhe DPD, çfarë do të bëhen konkretisht në këto dy institucione?

250 mln lekë për KOKSH, ju e dini që KOKSH është OJQ, çfarë u bë vjet me 500 mln lekë që i dhamë këtij institucioni për të njëjtën arsye për infrastrukturën sportive…Kemi ministri të arsimit e sporteve, e nuk shkojnë te ministria që është për këtë punë. Qershia mbi tortë, 70 mln lekë për FSHF, për ekipin kombëtar, dini gjë që këto skanë lekë. Është OJF që bërtet gjithë ditën për statusin e saj nga politika, ankohet te UEFA, që po më marrin statusin..etj, do paguhen 70 mln lekë tek FSHF për çfarë?” – tha Braçe.

Ora 11:34
Rritja e Buxhetit me 5 miliardë lekë, Ibrahmaj: Rrjedhojë e punës së mirë të qeverisë! Spaho ‘harron’ që ERE ka hequr fashën 800 kwh

Edmond Spaho, Deputet i Partisë Demokratike gjatë punimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ka bërë një lapsus. Teksa po diskutohet akti normativ për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 5 mln lekë, ai pyeti ministren për fashën e energjisë 800 kwh. Por kjo fashë është hequr nga bordi drejtues i ERE-s, pak ditë më parë siç dëshmohet nga njoftimi i bërë nga ky institucion, në pikën 1 të tij.

"Doja të dija veç punës së mirë të qeverisë, a ka ndonjë factor të jashtëm që ka ndikuar në mbledhjen e më shumë të ardhurave, përshembull rritja e çmimeve, pasi se dëgjuam. Nëse ka ndikuar ky factor, në çfarë mase? Ju thatë se ka rritje të konsumit familjar! Me thënë të drejtën, unë në familjen time se ndjej këtë, por nëse ka ndodhur te të tjerët do gëzohesha, nga se ka ardhur kjo rritje e konsumit? Janë rritur pagat e pensionet? Është ulur inflacioni përtej normës së vjetore? Më rezulton që mallrat e shërbimet janë rritur, madje, ato që lidhen direkte me shportën, këtu, shtojmë dhe kursimet për energjinë elektrike, pasi jemi nën kërcënime të shumta në treg", tha Edmond Spaho.

Më herët ministrja Ibrahimaj prezantoi ndryshimet e parashikuara në buxhet.

"Performanca e mirë ekonomike e vendit ka sjellë rritje me 5 miliardë lekë të të ardhurave në buxhetin e shtetit të vitit 2022, duke i rritur ato në nivelin 581.8 miliardë lekë për vitin 2022", tha Ibrahimaj. 

Sipas ministres, me aktin normativ është rritur fondi rezervë në 3.5 miliardë lekë, fondi për politikat e të pagave krahasuar me aktin normativ korrikut shkurtohet me gati 700 milionë lekë, ndërsa shfuqizohet fondi 3 miliardë lekë i planifikuar për shpronësimet. Një pjesë e fondeve do të shkojë edhe për rindërtim, sipas nevojave të Ministrisë së Financave. Në fillim të vitit, në funksion të rindërtimit ishte fondi 20 miliardë lekë, ndërsa pas rishikimeve të vazhdueshme arrin në 32.4 miliardë lekë. Një pjesë tjetër e fondit të rishikuar, 1 miliardë lekë do alokohet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor. Më rishikimin e buxhetit nuk ka ndryshim në defiçitin buxhetor, që qëndron 83.8 miliardë lekë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?