Për një çift të ri, në Tiranë dhe jo vetëm, blerja e një apartamenti me kursimet e tyre duket e pamundur.
“Çmimet janë rritur, njerëzit shumica janë të papunë. Çiftet e reja nëse janë në punë bashkë të dy edhe mund ta blejnë, nëse janë me një rrogë nuk bëhet asgjë.
Të blesh shpi nuk bëhet fjalë. Fëmijët e mi nuk e blejnë dot, leje nuk të japin. Një lejë bën 10 milionë lekë.”, shprehen qytetarët.
Por edhe më keq është kur për të blerë shtëpinë vendosin të marrin kredi. Sipërmarrësi Zef Shtjefni thotë se nëse më parë një kredi për shtëpi shlyhej në një dekadë, sot nuk të mjaftojnë as 30 vite, pasi vlera që merret është më e madhe për shkak të shtrenjtimit banesave!
“Një familje shqiptare e re duhet të ketë mundësi ta blejë edhe me kredi por të ketë mundësi që ta shlyej çmimin për 10-15 vite dhe sot nuk munden pasi i duhen 30 vite, atëherë të punosh 30 vite për një apartament 1-1 atëherë ky nuk është çmim real”, shprehet Zef Shtjefni sipërmarrës në sektorin e ndërtimit.
Nëse një vit më parë një apartament kushtonte 60 mijë euro, të njëjtën tashmë e merr mbi 64 mijë euro. Por përse kjo rritje e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri?
“Ka një rritje të përgjithshme të çmimeve të materialeve të ndërtimit në vend, por edhe ato të importit. Ky është shkaku kryesor që ka ndikuar tani. Pra, rritja është shumë e madhe pas COVID pasi u bllokuan fabrikat prodhuese, u mbyllen ndërmarrjet dhe u bllokua transporti. Janë shtrenjtuar materialet bazë, çimento, hekuri, tullat, gipset, pllakat, të gjitha janë rritur me 50 deri në 100%”, pohon sipërmarrësi Shtjefni.
Faktorë të tjerë që kanë ndikuar në vlerën e një banese, janë taksat dhe pagat më të larta me qellim frenimin e largimit të punonjësve.
“Rritja e taksave lokale është faktor që ndikon drejtpërdrejt pasi konsumatori do ta paguaj. Kjo situatë de facto nuk është mungesë e fuqisë punëtore, por është ikja e punonjësve të kualifikuar. Biznesi por edhe shteti që të mos iki krahu i kualifikuar detyrohet të rrisë pagat që njerëzit të demotivohen për të lëvizur për paga me diferencë të vogël, por rritja e pagave nuk është e vogël pasi nëpër ndërmarrje rritja është 30-40%, dhe kjo shprehet tek çmimi i produktit”, tha Shtjefni.
Por a do të stabilizohet tregu i pasurive të paluajtshme?
“Kjo është kërkesë ofertë pasi kur rritet kërkesa në treg rriten edhe çmimet, dhe kur bie kërkesa bien edhe çmimet. Nëse dikush do ti blejë këto apartamente sepse ka treg, atëherë nuk ka ndalim dhe rritja do të vazhdojë në përputhje me blerjen. Ai që e lëviz është ngopja e tregut, nëse ndërtuesit do të vazhdojnë ndërtimet dhe tregu do të ngopet me ndërtesa do të bjerë edhe çmimi”, shprehet ai.
Në raportin e fundit Banka e Shqipërisë raportoi se çmimet në e apartamenteve në të gjithë vendin u rritën me 6.7% në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa rritja me e madhe shënohet në Tiranë me 16%.