Bota

Rritjen e çmimeve të ushqimeve në të gjithë botën e konfirmojnë edhe Kombet e Bashkuara, FAO: Niveli më i lartë i 10 viteve, bien ndjeshëm rezervat botërore

7 Tetor 2021, 17:11| Përditesimi: 7 Tetor 2021, 18:43

  • Share

Të gjitha çmimet e mallrave ushqimore u shtrenjtuan në shtator në të gjithë botën njofton Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Shkak për këtë shtrenjtim është bërë shtrëngimi i kushteve të furnizimit dhe kërkesa e fortë për produktet kryesore si guri apo vaji.

"Ndër drithërat kryesore, gruri do të jetë fokusi në javët e ardhshme pasi kërkesa duhet të testohet kundrejt rritjes së shpejtë të çmimeve," thotë ekonomisti i lartë i FAO -s, Abdolreza Abbassian.

Në raport me një vit më parë FAO raporton se Indeksi i Çmimeve të Ushqimit është rritur me 32.8%. Sipas FAO-s çmimet e drithërave u rritën me 2% krahasuar me muajin gusht, ndërsa çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare janë rritur deri në 41% krahasuar me një vit më parë. Sa i takon çmimit të misrit ai është rritur me 0.3%.

Po ashtu është shtrenjtuar me 1.7% çmimi i vajit vegjetal në raport me muajin gusht, ndërsa në krahasim me shtatorin e 2020, çmimi i vajit është rritur me rreth 60%.

“Çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës arritën nivelet më të larta të 10-vjeçarit të fundit për shkak të kërkesës së fuqishme të importit global dhe shqetësimeve mbi mungesat në tregun e punës që ndikojnë në prodhimin në Malajzi”, vijon më tej raporti i FAO-s.

Ndërkohë indeksi i Çmimeve të Sheqerit të FAO ishte 0.5% më i lartë se një muaj më parë - dhe 53.5 për qind nga një vit më parë , si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit dhe çmimet më të larta në Brazil, që është eksportuesi më i madh i sheqerit në botë.

Sipas analizave të kryera nga FAO, prodhimi i drithërave dhe pse pritet të arrijë në rekord me rritje prej 1.8% krahasuar me vitin e kaluar, por përsëri nuk do mund të përmbush të gjitha nevojat e konsumatorëve.

“Prodhimi botëror i drithërave në 2021 pritet të arrijë një rekord të të gjitha kohërave prej 2.800 milion ton, por kjo është më pak se kërkesat e parashikuar për konsum në sezonin 2021/22, sipas parashikimeve të reja në Furnizimin dhe Kërkesën e Drithërave më të fundit të FAO. Rrjedhimisht, raporti i stokut botëror të drithërave për përdorim 2021/22 pritet të jetë në 28.4 për qind, nga 29.2 për qind vitin e kaluar, por ende duke treguar një nivel të përgjithshëm komod”, vijon më tej njoftimi.

FAO parashikon që të prodhohet 776.7 milion ton grurë në 2021, ku rendimenti thuhet se do të jetë më i lartë në Evropën Lindore dhe Australi, të cilat pritet të kompensojnë rënien e prodhimit në Kanada dhe Federatën Ruse. Ndërkohë prodhimi botëror i orizit është parashikuar në 50 milion ton, një rekord i ri, duke reflektuar kryesisht pritjet më të mëdha nga prodhimi kryesor që është India.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?