Kur rezervon pushime jashtë një pakete që garanton transportin apo ushqimin, shpenzimet ditore mund të variojnë nga personi në person. Kjo lidhet së pari me mundësinë që një person apo një familje ka në buxhetin e parashikuar.
Nëse ai është një buxhet ekonomik, alternativa e preferuar është gatimi në një apartament që ofron këto kushte, frekuentimi i plazheve publike apo atyre me çmime më të lira, shmangia e aktiviteteve të tjera që rrisin kostot si vizita në muze apo parqe arkeologjike, ture me anije.
Nëse buxheti është më i lartë, atëherë zgjedhja e një hoteli është alternativa që shkon ky grup, si dhe ngrënia e vakteve jashtë apo përfshirja e aktiviteteve të tjera sociale dhe kulturore gjatë pushimeve.
Monitor” zhvilloi edhe këtë verë një sondazh përmes aplikacionit ECR (Engaged Citizens Reporting), ku u përgjigjën 266 persona duke dhënë kështu një panoramë të përgjithshme mbi pushimet e shqiptarëve, kostot dhe problematikat që ata konstatojnë këtë sezon.
Shifrat e sondazhit të “Monitor” tregojnë se 52% parashikojnë që këto shpenzime ditore për aktivitete përveç akomodimit të variojnë mes 50-100 euro.
Më pak se 50 euro në ditë korrespondon me përgjigjet e 28% të të anketuarve ndërkohë që 15% parashikojnë mes 100-200 euro, kurse 200-300 euro të paktën 2% e përgjigjeve dhe mbi 300 euro të paktën 3% e të anketuarve.
Një vit më parë, vetëm 42% prisnin që të kishin shpenzime mes 50-100 euro, ndërkohë që ata me më pak se 50 euro në ditë ishin 43%.
Sa i takon buxhetit total të pushimeve, shumica apo 37% e të anketuarve parashikojnë një buxhet mes 500-1000 euro ndërkohë që 23% parashikojnë buxhetin mes 1000 dhe 2000 euro. Më pak se 500 euro janë përgjigjur vetëm 22%, kurse 8% parashikojnë një buxhet mes 2000 – 2500 eurove.
Pushimet verore, shumica janë të kënaqur nga përvoja e tyre e fundit
Pushimet verore konsiderohen shpesh si periudha kryesore e relaksit që planifikojnë individët apo familjet, për të marrë energji të reja për periudhën në vazhdim, ndaj “kënaqësia” që marrin nga përvoja e fundit merr rëndësi.
Nga sondazhi i “Monitor” duket se përvoja e fundit me pushime ka rezultuar pozitive për pjesën dominuese të përgjigjeve ku 35% e të anketuarve kanë mbetur të kënaqur nga pushimet e tyre të fundit të verës, ndërkohë që 28.7% janë përgjigjur se nga pushimet e fundit kanë mbetur shumë të kënaqur.
Të paktën 18.5% kanë qenë neutralë ndërsa 11.1% pak të kënaqur. Një pakicë prej 6% të përgjigjeve e kanë vlerësuar përvojën e tyre të fundit të pushimeve të verës jo pozitive, duke u përgjigjur “shumë të pakënaqur”.
Sfidat kryesore me të cilat turistët janë përballur gjatë pushimeve mund të jenë të ndryshme, ku pjesa më e madhe e të anketuarve vlerësojnë “çmimet e larta” si më kryesoren. Kjo ka arsye për thuajse gjysmën e të anketuarve.
Ndërkohë në 107 raste, përgjigjja ka qenë se infrastruktura është sfida tjetër me të cilën janë përballur, për të vijuar më pas me cilësinë e dobët të shërbimit, mungesën e informacionit apo problemet me sigurinë dhe në fund, edhe barrierat gjuhësore.
Muzika e lartë dhe mbetjet bëhen problem për pushuesit
Shqipëria po e gjen veten gjithmonë e më shumë në platformat online me të huaj që e duan apo e kritikojnë për atë që shohin gjatë vizitave të tyre në vendin tonë.
Disa nga komentet e tyre në rrjete sociale kanë të bëjnë sidomos me mbetjet që mund të gjenden kudo, por edhe për zhurmën e lartë të muzikës në plazhe.
Por duket se këto janë sfida reale edhe për vendasit të cilët gjatë sondazhit mund të komentonin mbi sfida apo pakënaqësi të tjera të hasura gjatë pushimeve dhe përgjigjet që dominojnë janë: mbipopullimi në plazhe, muzika e lartë apo ndotja akustike, mungesa e pastërtisë në plazhe, si dhe abuzimet që bëhen nga subjekte të ndryshme që kanë në përdorim bregun në lidhje me çmimet.
Një tjetër sfidë është cilësuar edhe trafiku, edhe pse këtë vit më pak në disa akse, por gjatë fundjave nuk mungon në zonat bregdetare në pika të segment të ndryshme.
Çfarë ndikon në zgjedhjen e një destinacioni nga kostoja tek siguria e klima
Zgjedhja e një destinacioni për pushime kalon në filtra të ndryshëm të një individi apo të një familjeje dhe rëndësinë e marrin një seri faktorësh, por më dominuese kryesisht është ajo e kostos.
Edhe në sondazh, 104 të anketuar thanë se kostoja ishte faktori më i rëndësishëm i përzgjedhjes së një destinacioni.
Faktor i dytë më i rëndësishëm ishte afërsia me atraksionet kulturore apo natyrore që ka ky destinacion. Deti dhe plazhi duket se nuk janë më të mjaftueshëm dhe shkëputja për aktivitete të tjera është një pjesë e rëndësishme që plotëson pushimet.
Në vendin e tretë është siguria dhe më pas vijnë afërsia dhe klima.
Në një pyetje mbi faktorë të tjerë të anketuarit kanë renditur se pastërtia në plazhe, qetësia, aksesi për fëmijë të vegjël janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm që merren parasysh gjatë përzgjedhjes së destinacionit për pushimet e verës.
Nga përgjigjet të paktën 78% e të anketuarve thanë se do t’ua rekomandonin destinacionin e tyre të fundit të udhëtimit të tjerëve.
35% e shqiptarëve udhëtojnë 3-5 herë gjatë vitit, 8% asnjë udhëtim në 12 muaj
Linjat low cost kanë rritur mundësinë e eksplorimit nga shqiptarët të destinacioneve të ndryshme kudo në Europë. Por një pjesë e mirë parapëlqejnë që në fundjava, në periudha të ndryshme të vitit, të udhëtojnë edhe brenda vendit, por kjo gjithmonë sipas mundësisë, sepse çdo udhëtim ka koston e tij.
Sondazhi tregon se të paktën 35% e atyre që u përgjigjën bëjnë mes 3-5 udhëtime në vit, ndërkohë që 40% e tyre 1-2 udhëtime si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Ka nga ata që udhëtojnë edhe më shumë me një limit mes 6-10 udhëtime në vit, dhe nga të anketuarit, të paktën 12% e përgjigjeve bien në këtë grup ndërkohë që 4% janë përgjigjur se kanë bërë më shumë se 10 udhëtime në 12 muajt e fundit.
Të paktën 8% e të anketuarve thanë se nuk kishin bërë asnjë udhëtim, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, në 12 muajt e fundit.
Çmimet, pastërtia dhe mbrojtja e vendasve, nga efektet e turizmit si masa
Të pyetur se çfarë masash mund të merren për të përmirësuar sektorin e turizmit në vend, përgjigjet e të anketuarve kanë qenë nga më të ndryshmet. Një prej tyre rekomandon që shteti të tregohet i kujdesshëm me qasjen që ka ndaj turizmit ku vendasit duhet të mbrohen nga efektet negative që sjell turizmi masiv duke nënkuptuar këtu rritjen e kostove.
“T’i kushtohet vëmendje mbrojtjes së shtetasit shqiptar.
Shihni protestat kundër turizmit në Spanjë, Itali e shumë vende të tjera. Turistët nuk kanë rritur konsumin dhe përfitimi që marrim ne si vend në raport me rritjen e çmimeve që kanë sjellë është shumë pak”, komenton një prej tyre.
Një tjetër thotë se duhet të mos lejohen praktikat abuzive siç janë parkimet para lokaleve apo hoteleve që bllokojnë qarkullimin për të gjithë, marrja e masave ndaj operatorëve që kanë plazhet në shfrytëzim dhe që nuk lejojnë konsumin e produkteve që merren me vete duke të detyruar të konsumosh nga restoranti dhe bari i tyre.
Të tjera rekomandime janë ato për një turizëm të qëndrueshëm apo për përmirësimin e infrastrukturës, si dhe edukimin e brezit të ri për të qenë i përgjegjshëm me mjedisin./Monitor
Komente

Kur marr furgonin per ne Vlore, tek posta eshte nje " perkujtimore" e 21 dhjetorit. "Silence of the lambs", salutary per turistet qe deshirojne te pushojne " kendshem" dhe me art. Nejse mund te shohim edhe filma te tjere ne darke, mbas pjekjes si BBQ ne diell dhe te vallezojme " till we drop"!
PërgjigjuPastërtia problem?! Pastërtia është skandal, jo thjeshtë problem. Pastërtia është PROBLEMI që do na kthehet në bumerang gjithë ky fluks turistësh. Kudo ka plehra dhe askund nuk shikon punonjës me fshesë në dorë të pastrojnë gjatë ditës.
Përgjigju