Kur Zhang Junjie ishte 17 vjeç, ai vendosi të protestonte jashtë universitetit të tij lidhur me rregullat e Qeverisë së Kinës. Brenda pak ditësh ai u shtrua në një spital psikiatrik dhe u trajtua për skizofreni.
Junjie është një nga dhjetëra personat e identifikuar nga BBC-ja që u shtruan në spital pasi protestuan ose u ankuan tek autoritetet.
Shumë njerëzve me të cilët ekipi i BBC-së foli iu dhanë ilaçe antipsikotike dhe në disa raste terapi elektrokonvulsive (ECT), pa pëlqimin e tyre.
Ndonëse ka pasur raportime për dekada me radhë që shtrimi në spital përdoret në Kinë si një mënyrë për të ndaluar qytetarët që kundërshtojnë autoritetet, pa përfshirë gjykatat, një avokat kinez i ka thënë BBC-së se çështja, të cilën autoritetet legjislative kërkuan ta zgjidhnin, së fundmi është përballur me disa ndryshime.
Junjie thotë se ai u ndalua dhe u rrah nga stafi i spitalit përpara se të detyrohej të mjekohej.
Sprova e tij filloi në vitin 2022, pasi ai protestoi kundër politikave të ashpra të bllokimit të Kinës. Ai thotë se profesorët e tij e panë atë tek protestonte pas vetëm pesë minutash dhe e kontaktuan babanë e tij, i cili e mori në shtëpi. Ai thotë se babai i tij thirri policinë dhe të nesërmen, në ditëlindjen e tij të 18-të, dy burra e çuan atë në atë që ata pretenduan se ishte një qendër testimi për Covid-19, por në fakt ishte një spital.
“Mjekët më thanë se kisha një sëmundje shumë të rëndë mendore ... Më pas më lidhën në një shtrat. Infermieret dhe mjekët më thanë vazhdimisht, se për shkak të pikëpamjeve të mia për partinë dhe qeverinë, duhet të jem i sëmurë mendor. Ishte e tmerrshme”, tha ai për BBC World Service. Ai qëndroi atje për 12 ditë.
Junjie beson se babai i tij u ndje i detyruar që ta dorëzonte tek autoritetet, sepse ai punonte për qeverinë lokale.
Pak më shumë se një muaj pasi u përjashtua nga universiteti, Junjie u arrestua edhe një herë. Ai kishte kundërshtuar ndalimin e fishekzjarrëve për Vitin e Ri Kinez (një masë e vendosur për ta luftuar ndotjen e ajrit) duke bërë një video duke i ndezur ato. Dikush e ngarkoi atë në internet dhe policia arriti ta lidhte me Junjie.
Ai u akuzua për “kundërshtim dhe probleme”, akuzë e përdorur shpesh për të heshtur kritikat ndaj qeverisë kineze. Junjie thotë se ai u shtrua përsëri me forcë në spital për më shumë se dy muaj.
Pasi u lirua, Junjiet iu dhanë ilaçe antipsikotike. BBC-ja e ka parë recetën, ishte ilaçi Aripiprazole, i përdorur për të trajtuar skizofreninë dhe çrregullimin bipolar.
“Marrja e ilaçeve më bëri të ndihesha sikur truri im ishte rrëmujë”, thotë ai, duke shtuar se policia i vinte në shtëpinë e tij për ta kontrolluar nëse ai e kishte marrë atë.
Nga frika e një shtrimi të tretë në spital, Junjie vendosi të largohej nga Kina. Ai u tha prindërve të tij se po kthehej në universitet për të mbledhur gjërat e tij, por, në fakt, ai iku në Zelandë të Re.
Ai nuk u tha lamtumirë as familjes e as miqve.
“Kisha dhimbje nga koka te këmbët”
Junjie është një nga 59 personat për të cilët BBC-ja ka konfirmuar, ose duke folur me ta, ose me të afërmit e tyre, ose duke parë dokumentet gjyqësore, se janë shtruar në spital me arsyetim se kanë probleme me shëndetin mendor, pasi kanë protestuar ose sfiduar autoritetet.
Çështja është pranuar nga Qeveria e Kinës. Ligji për Shëndetin Mendor i vitit 2013 synonte ta ndalonte këtë abuzim, duke e bërë të paligjshëm trajtimin e dikujt që nuk është i sëmurë mendërisht. Ai gjithashtu thekson në mënyrë eksplicite se trajtimi psikiatrik duhet të jetë vullnetar, përveç nëse pacienti shfaq rrezik për veten ose të tjerët.
Në fakt, numri i njerëzve të ndaluar në spitalet e shëndetit mendor kundër vullnetit të tyre është rritur kohët e fundit, sipas një avokati kinez i cili punon për Shërbimin Botëror të BBC-së. Huang Xuetao, i cili ishte i përfshirë në hartimin e ligjit, fajëson dobësimin e shoqërisë civile dhe mungesën e kontrolleve dhe ekuilibrave.
“Kam hasur në shumë raste të tilla. Policia kërkon pushtet duke shmangur përgjegjësinë”, thotë ai.
“Kushdo që i njeh mangësitë e këtij sistemi mund ta abuzojë”.
Një aktivist i quajtur Jie Lijian i ka thënë BBC-së se ai ishte trajtuar për sëmundje mendore pa pëlqimin e tij në vitin 2018.
Lijian thotë se ai u arrestua për pjesëmarrje në një protestë ku kërkoheshin paga më të larta. Ai thotë se policia e mori në pyetje për tri ditë para se ta çonte në një spital psikiatrik.
Ashtu si Junjie, Lijian thotë se atij iu dhanë ilaçe antipsikotike që ndikonin në të menduarit e tij kritik.
Pas një jave në spital, ai thotë se refuzoi ta mjekonin. Pasi u përlesh me stafin dhe iu tha se po shkaktonte telashe, Lijian u dërgua për në repartin ku merrej terapia ECT, terapi që përfshin kalimin e rrymave elektrike nëpër trurin e një pacienti.
“Kisha dhimbje nga koka te këmbët. Nuk e ndjeja trupin tim. Ishte vërtet e dhimbshme. Goditja elektrike fillonte. Pastaj ndalej. Më ra të fikët disa herë. Ndjeva sikur isha duke vdekur”, thotë ai.
Ai thotë se u lirua pas 52 ditësh. Ai tani ka një punë me orar të pjesshëm në Los Angeles dhe po kërkon azil në SHBA./BBC
Në vitin 2019, një vit pasi Lijian thotë se ishte shtruar në spital, Shoqata Kineze e Mjekëve përditësoi udhëzimet e saj për ECT-në, duke deklaruar se duhet të administrohet vetëm me pëlqim dhe nën anestezi të përgjithshme.
Përfshirja e mjekëve
BBC-ja donte të zbulonte më shumë mbi përfshirjen e mjekëve në raste të tilla. Të folurit me media të huaja si BBC-ja, pa leje, mund t’i fuste në telashe, kështu që opsioni i vetëm i ekipit të BBC-së ishte të fshihej. BBC-ja mbajti konsulta telefonike me mjekë që punojnë në katër spitale, të cilët, sipas dëshmive të siguruara, kanë të bëjnë me shtrimin e detyruar në spital.
BBC-ja përdori një histori që e shpiku, për një të afërm që ishte shtruar në spital pasi kishte postuar komente antiqeveritare në internet dhe pyetëm pesë mjekë nëse kishin hasur ndonjëherë në raste të dërgimit të pacientëve në spital nga policia.
Katër konfirmuan se kishin hasur në raste të tilla.
“Departamenti psikiatrik ka një lloj pranimi të quajtur “problembërësit”, tha një mjek.
Një mjek tjetër, që punonte në spitalin ku qe i shtrirë Junjie, konfirmoi se policia vazhdon mbikëqyrjen e pacientëve pasi të dalin nga spitali.
“Policia do t’ju vijë për kontroll në shtëpi për t’u siguruar që i merrni ilaçet. Nëse nuk i merrni, mund të shkelni përsëri ligjin”, tha ai.
BBC-ja iu drejtua spitalit në fjalë për koment, por nuk morën përgjigje.
BBC-së i është dhënë qasje edhe në të dhënat mjekësore të aktivistit të demokracisë Song Zaimin, i shtruar në spital për të pestën herë vitin e kaluar, gjë që tregon se sa të lidhura janë pikëpamjet politike me diagnozat psikiatrike.
“Sot ai ishte... duke folur shumë, duke folur në mënyrë jokoherente dhe duke kritikuar Partinë Komuniste. Prandaj, ai u dërgua në spitalin tonë për trajtim spitalor nga policia, mjekët dhe komiteti i banorëve të tij lokalë. Ky ishte një shtrim i pavullnetshëm”, thuhet në të dhënat e siguruara.
BBC-ja i kërkoi profesorit Thomas G. Schulze, president i zgjedhur i Shoqatës Botërore të Psikiatrisë, të rishikonte këto të dhëna. Ai u përgjigj si më poshtë: “Për atë që përshkruhet këtu, askush nuk duhet të pranohet në mënyrë të pavullnetshme dhe të trajtohet kundër vullnetit të tij. Kumbon abuzim politik”.
Midis viteve 2013 dhe 2017, më shumë se 200 njerëz raportuan se ishin shtruar gabimisht në spital nga autoritetet, sipas një grupi gazetarësh në Kinë që dokumentuan abuzime me Ligjin për Shëndetin Mendor.
Raportimi i tyre përfundoi në vitin 2017, sepse themeluesi i grupit u arrestua dhe më pas u burgos.
Drejtësi për viktimat
Për viktimat që kërkojnë drejtësi, sistemi ligjor duket të jetë i vendosur kundër tyre. Një burrë që po e quajmë Li, i cili u shtrua në spital në vitin 2023 pasi protestoi kundër policisë lokale, u përpoq të ndërmerrte masa ligjore kundër autoriteteve për burgosjen e tij.
Ndryshe nga Junjie, mjekët i thanë Li se ai nuk ishte i sëmurë, por më pas policia punësoi një psikiatër të jashtëm për ta vlerësuar, i cili e diagnostikoi atë me çrregullim bipolar dhe ai u mbajt në spital për 45 ditë.
Pasi u lirua, ai vendosi ta kundërshtonte diagnozën.
“Nëse nuk e padis policinë është sikur ta pranoj se jam i sëmurë mendor. Kjo do të ketë një ndikim të madh në të ardhmen dhe lirinë time, sepse policia mund ta përdorë atë si një arsye për të më mbyllur në çdo kohë”, thotë ai.
Në Kinë të dhënat e kujtdo që është diagnostikuar ndonjëherë me një çrregullim serioz të shëndetit mendor mund të ndahen me policinë, madje edhe me komitetet e banorëve lokalë.
Por Li nuk ishte i suksesshëm. Gjykatat e refuzuan ankesën e tij.
“Ne dëgjojmë liderët tanë duke folur për shtetin e së drejtës”, tha ai.
“Nuk e kemi ëndërruar kurrë se një ditë mund të mbyllemi në një spital psikiatrik”.
BBC-ja ka gjetur 112 persona të listuar në faqen zyrtare të gjykatave kineze, të cilët midis viteve 2013 dhe 2024 u përpoqën të ndërmerrnin veprime ligjore kundër policisë, autoriteteve lokale ose spitaleve për trajtimet e tilla.
Rreth 40% e këtyre paditësve kishin bërë ankesa ndaj autoriteteve. Vetëm dy fituan çështjet e tyre.
Dhe faqja duket se është e censuruar, pesë raste të tjera që BBC-ja i ka hulumtuar mungojnë në bazën e të dhënave.
Çështja është se policia gëzon “diskrecione të konsiderueshme” në trajtimin e “problembërësve”, sipas Nicola MacBean nga The Rights Practice, organizatë për të drejtat e njeriut në Londër.
“Të dërgosh dikë në një spital psikiatrik, duke anashkaluar procedurat, është një mjet shumë i lehtë dhe shumë i dobishëm për autoritetet lokale”.
Sytë tani janë te fati i vlogeres Li Yixue, e cila akuzoi një oficer policie për sulm seksual. Yixue thuhet se është shtruar në spital për herë të dytë pasi postimet e saj në rrjetet sociale ku ka folur për këtë përvojë u bënë virale. Mësohet se ajo tani është nën vëzhgim në një hotel.
BBC-ja i ka dërguar gjetjet e hulumtimit në Ambasadën Kineze të Mbretërisë së Bashkuar.
Thuhet se vitin e kaluar Partia Komuniste Kineze “ripohoi” se duhet ‘të përmirësojë mekanizmat” rreth ligjit, i cili thotë se “ndalon në mënyrë eksplicite ndalimin e paligjshëm dhe metoda të tjera të privimit ose kufizimit të jashtëligjshëm të lirisë personale të qytetarëve”./BBC