Ministria e Infrastrukturës ka shtyrë me rreth 1 muaj afatin për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare për ndërtimin e autostradës së re Milot-Balldre.
Gara e hapur më 19 dhjetor 2024 me afat deri më 17 shkurt 2025 është shtyrë për më datë 10 mars, por pa pasur një njoftim mbi arsyet e këtij vendimi. Pra kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në këtë garë mund të paraqesin ofertat e tyre deri më 10 mars.
Tenderi për Milot-Balldre u shpall në Agjencinë e Prokurimit Publik në fund të vitit 2024, pas 6 vitesh zvarritje, dhe vlera e ndërtimit të kësaj autostrade të re është përllogaritur në 364.7 milionë euro pa TVSH, dhe kohëzgjatja 35 vite.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Kjo autostradë do të jetë me pagesë për qytetarët njëjtë si Thumanë-Kashar, tarifa do të fillojë nga 0.5 euro për motoçikletat deri në 5 euro për mjetet e mëdha.
Në tender është planifikuar që punimet për këtë segment rrugor prej 17 kilometrash të nisin që këtë vit dhe të përmbyllen në vitin 2028
Gara për këtë autostradë nisi në vitin 2018, ku kompania ANK përmes një propozimi të pa kërkuar fitoi të drejtën për të ndërtuar rrugën me kosto 256 milionë euro, por kompania nuk arriti të plotësonte kushtet. Pas gati 6 vitesh zvarritje, gara për ndërtimin e autostradës së re Milot-Balldre u rihap përsëi, më 19 dhjetor 2024.
Komente
