Një ditë përpara se të përfundojë afati që kanë bizneset për të aplikuar për garancinë e dytë sovrane, Ministria e Financave ka vendosur të shtyjë afatin. Ministrja e Financave Anila Denaj ka njoftuar se bizneset do të kenë mundësinë për të aplikuar për marrjen e kredisë deri në fund të muajit shtator të këtij viti. Afati fillestar ishte data 2 gusht 2020. Një vendim i tillë sipas Denaj është marrë për të lehtësuar dhe zbutur efektet që po lë pandemia tek çdo biznes.
Që nga fillimi i aplikimeve në muajin qershor e deri më tani e kanë përfituar vetëm 45% e bizneseve që kanë aplikuar. Nga të dhënat zyrtare thuhet se deri më 27 korrik kanë aplikuar për garancinë e dytë 263 biznese dhe është aprovuar vetëm për 119 biznese. Deri më tani është dhënë 3.1 miliardë lekë nga fondi i garancisë së dytë sovrane, nga 15 miliardë që është shuma e vënë në dispozicion.
Kjo linjë e dytë garancie u miratua nga Këshilli i Ministrave në muajin maj, është me një normë interesi jo më shumë se 5%, dhe nuk mbulohet e gjitha nga shteti. Në këtë linjë të dytë shteti do të garantojë 60% të vlerës së kredisë ndërsa 40% mbulohet nga bankat, pra bankat do të kenë të drejtën të kërkojnë edhe kolateral për pjesën që mbulojnë vetë. Vlera e kredisë së vendosur në dispozicion nga huadhënësi për huamarrësin në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300 milion lekë. Bizneset këtë kredi mund ta përdorin për kolateral dhe për investime.