Qeveria ka vendosur të shtyjë për herë të dytë afatin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, si pasojë e problemeve të krijuara nga pandemia COVID-19. Afati është shtyrë me 9 muaj, duke ju dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve që të rivlerësojnë pronat deri më 30 shtator 2021. Por për këtë amnisti interesi nuk ka qenë i lartë.
“Në kushtet kur doli vendimi ishte pandemia, patoi krizë ekonomike, njerëzit u orientuan tek fakti se çfarë do të ndodhi me pandeminë dhe jo tek rivlerësimi, dhe këtë vit ka pasur më pak rivlerësime se 4 dhe 8 vite më parë. Këtë herë % ishte 3 për rivlerësimin më e lartë se 1% i herës së parë dhe 2% i herës së dytë. Vlera më optimale për qytetarët ishte 2%”, pohon Sila.
Vlerësuesi i pasurive Lefter Sila thotë se përfitimet për qytetarët janë të mëdha pasi në momentin e shitjes së pronës nuk fdo të paguajnë tatim mbi të ardhurat 15% por vetëm 3%.
“Për qytetarët është akoma më i madh përfitimi pasi nga 15% që duhet të paguajnë kur shesin një pronë, tani do të paguajnë vetëm 3% dhe janë të siguruar dhe kur ta shesin nuk do të paguajnë tatimin përkatës prej 15%”, shprehet agjenti imobilar.
Nga ana tjetër këtë vit është konstatuar një mungesë interesi e lartë nga bizneset për këtë proces.
“Më shumë ka qenë apartamentet që janë rivlerësuar, por ka pasur edhe banesa, toka apo edhe vila. Nëse nga qytetarët ka pasur interes nga bizneset pothuajse nuk ka pasur fare, ndoshta edhe 5% që duhet të paguaj biznesi është e lartë”, thotë Sila.
Rivlerësimi është një proces që përafron vlerën e pasurisë me çmimin aktual të tregut. Sipas të dhënave të siguruara nga Report TV pranë Kadastrës Shqiptare thuhet se deri më tani janë bërë 56 mijë aplikime për rivlerësim, ndërsa janë miratuar vetëm 27 mijë e 407 të kërkesa.
Ndërkohë në total është parashikuar për tu rivlerësuar 50 mijë pasuri, dhe në buxhetin e shtetit do të arkëtoheshin 6 miliardë lekë. Nga rivlerësimet e bëra aktualisht janë arkëtuar në buxhet vetëm 3.3 miliardë lekë.