Komisioni i Ekonomisë miraton shtyrjen e rivlerësimit, pandemia uli aplikimet me 68%

6 Korrik 2020, 17:33| Përditesimi: 6 Korrik 2020, 17:49

  • Share

Pandemia COVID-19, ka stopuar procesin e rivlerësimit të pronave. Sipas Ministrisë së Financave vetëm për periudhën 18 mars deri më 18 maj 2020 numri i aplikimeve për rivlerësim ka rënë me 68%. Në total deri në mars janë rivlerësuar 15 mijë prona, ndërsa për periudhën më pas deri në fund të muajit maj numri i aplikimeve ishte 4800.

Deri në muajin mars numri i rivlerësimeve të kryera është 15 mijë. Ndërkohë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat edhe i pandemisë procesi i rivlerësimit të pasurive u ngadalësua nga periudha 18 mars deri më 18 maj sipas të dhënave, numri i aplikimeve është diku tek 4800, pra një rënie e ndjeshme, me më shumë se 68%. Ne gjykojmë që ky proces të vijoj, dhe afati të zgjatet deri më 31 dhjetor për t’ju dhënë më shumë mundësi qytetarëve të cilët të mund të rifillojnë procedurën e rivlerësimit të pasurisë”, tha në Komisionin e Ekonomisë Vasilika Vjerro.

Për këto arsye Kadastra Shqiptare dhe Komisioni i Ekonomisë kërkoj shtyrje të afatit me tre muaj që të përfitonin të gjithë. Ministria e Financave pas këtyre kërkesave vendosi të shtyj afatin deri më 31 dhjetor 2020, nga 30 shtatori që ishte afati fillestar. Kjo shtyrje është miratuar këtë të hënë edhe nga Komisioni i Ekonomisë.

Deri më tani sipas Ministrisë së Financave në buxhet janë arkëtuar nga rivlerësimi vetëm 100 milionë lekë, nga 4 miliardë lekë që pritet të mblidhen në fund të procesit, pasi pritshmëritë janë për një rivlerësim prej 50 mijë pronash.

Të ardhurat e realizuara deri në këto momente janë diku tek 100 milionë lekë dhe presim që të kemi më shumë aplikime dhe arkëtime në periudhën në vazhdim. Ne vazhdojmë të kemi të njëjtën pritshmëri që të ardhurat që do të realizohen do të jenë 3.5 ose 4 miliardë lekë deri në fund të këtij procesi”, u shpreh zëvendësministrja e financave Vjerro.

Çfarë është rivlerësimi?
Me anë të rivlerësimit qytetarëve ju jepet mundësia që të përafrojnë vlerën reale të pronës së tyre me vlerën e tregut. Ata që do të bëjnë rivlerësimin do të paguajnë tatimin në vlerën e 3% të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë, nga 15% që është normalisht. Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor në momentin e shitjes ai nuk paguan më këtë vlerë por vetëm 600 euro, sepse tatimi që paguan pas rivlerësimit zbret në 3%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?