TIRANË - Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ndeshja e prapambetur (raundi 1 i Superligës) mes Teutës dhe Dinamos do luhet më 17 shtator. E projektuar për fundjavën e 23-24 gushtit, sfida u shty fillimisht për më 5 shtator për shkak se Dinamo ishte pjesë e garave evropiane.
Klubi i Dinamos ka kërkuar sërish një tjetër shtyrje, kjo për shkak se dy futbollistët e saj, Naser Aliji është i grumbulluar nga Shqipëria dhe Hekuran Berisha nga Kosova U-21. Në të tilla kushte, me dy mungesa të rëndësishme, kërkesa e tyre është aprovuar.
Paçka se Teuta gjatë ditës së djeshme njoftoi disa herë se sfida do luhej më 5 shtator, ka qenë FSHF-ja që ka vendsur 'pikat mbi i', duke e shtyrë sërish këtë duel; edhe pas miratimit të palëve.
Pra, sfida e raundit të parë të Superligës mes Teutës dhe Dinamos do luhet më 17 shtator në orën 15:00 në stadiumin 'Niko Dovana' të Durrësit.
Komente
