Plani i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të shkuar në SHBA gjatë muajit nëntor mbeti vetëm synim. 70 ditë më parë, kryeministri Kurti u tregoi deputetëve në Kuvend se planifikon që në nëntor të udhëtojë drejt SHBA-së, gjë e cila nuk ndodhi.
Deklarata e Kurtit erdhi pasi deputetët opozitarë e pyetën atë se përse nuk shkoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Megjithatë Kurti nuk do të udhëtojë për në SHBA këtë vit. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kjo vizitë është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm.
“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Uashingtonin”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.