Shtypi turk: Kush është ky Mema që, vjen këtu katër herë, me fanella të ndryshme!

26 Shkurt 2023, 21:19| Përditesimi: 26 Shkurt 2023, 21:22

  • Share

Po, historia e tij është jeta dhe karriera e Ali Memës, një nga legjendat e futbollit kombëtar, nga fillimet, debutimi, protagonist me “17 Nëntorin” e famshëm të viteve ’60-’70-të, vërtet e rrallë…! Në rolin e portierit, kur priti penalltitë në finale me “Besën” e Kavajës, lojtar formacioni në barazimet e mëdha me Irlandën, Gjermaninë Perendimore, deri te transferimi enigmë në Shkodër, si futbollist i “Vllaznisë”. Refuzimi, fletë-rrufetë që shpërthyen kur nuk pranoi publikisht të luante kundër Tiranës, pastaj takimet me “Kilmarnok”, “Standard”, “Ajaks” dhe mungesa në sfidën e jetës. Dashuria e bujshme dhe pasionante me Lizën, një “Klaudia Kardinale” për kohën dhe çfarë bënte Ali Mema, vitet e fundit të jetës së tij, ai që çmendi turqit kur e panë për të pestën herë në Stamboll? Një përfaqësues unik i klubit kryeqytetas, atij futbolli nostalgjik e argëtues, por që pati një fund melankolik!

Imazh i madh e nostalgjik, çfarë përfaqësonte Ali Mema? Nuk kishte televizion, por stadiume të mbushura plot dhe fundjava, prag dhe post-ndeshja ishte më shumë se një festë sportive që përfshinte gjithë qytetin. Një futboll i bukur, rivalizues, plot kualitet, elegancë, zgjuarsi, ego, inteligjencë, sakrificë, ndershmëri dhe trimëri, interpretues i të cilit ishte edhe Ali Mema. Me një shikim periferik, vizion loje, organizator, njeriu asist, Mema ka qenë oksigjen për skuadrën edhe kur ajo ishte në momente të vështira.

Kurajoz, i palodhur me temperamentin e jashtëzakonshëm që e karakterizonte, ai ishte një impuls i madh për shokët, tifozët, duke ndryshuar jo në pak raste, rezultatin e takimit. Çdo ndeshje ka qenë një betejë për Ali Memën, ndonëse 172 cm. i gjatë, u ka shënuar të gjitha skuadrave, duke realizuar gola të rrallë, me kokë, nga goditjet standarde, madje nga çdo pozicion. Ndër mesfushorët më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar, një talent i rrallë, ai të impononte respekt. Shumë i sjellshëm, asnjëherë polemizues dhe i ashpër me kundërshtarët, madje as problematik me arbitrat.

Luante me të dyja këmbët, por arma e tij e fuqishme ka qenë loja në ajër, sepse ishte zotërues i plotë i “qiellit” kur kërcente. Ka mbajtur 4-ën dhe 6-ën, por simbol në fanellën e Ali Memës, ka qenë nr. 5. Një lider autentik për ekipin dhe për shpirtin e garës që, injektonte tek të gjithë, si një furtunë e vërtetë, britma e së cilës tingëllonte fort, jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje.

Ali Mema ishte dëshmitar i një kohe kur futbolli kishte vlera të mëdha sportive, sociale, humane për familje, tifozë, fëmijë, breza etj. Loja e tij ka qenë më shumë se një poezi, plot art dhe pasion…!

Dinastia, Arbana – Mema…!

Një detaj shumë i rëndësishëm për familjen më të madhe sportive, një dinasti e vërtetë Arbana-Mema. E njohur dhe me prejardhje nga Arbana, një fshat në jug të kryeqytetit, pas një vendimi të qeverisë së Mbretit Zog, që urdhëronte familjet të mos mbanin si mbiemër emrin e fshatit, qytetet ku jetonin apo kishin origjinën, familja Arbana, e detyruar e ndryshoi llagapin, duke përdorur atë Mema, një lagje e vogël, në zonën e Arbanës.

Pastaj transferimi në Tiranë, te rrugica “Zela”, më pas e njohur si “Shqyqyri Bërxolli”. Aty kanë dalë Memat: vëllezërit Haxhi, Beqir, Osman dhe Ali, si dhe fëmijët e tyre: Sulejman e Ardi. Osman Mema mban rekordin me 7 tituj kampionë (mund të jetë i vetmi në Shqipëri), 3 me “Partizanin” e 4 me “17 Nëntorin”.

Një karrierë e shpejtë suksesi

Një karrierë e filluar nga fusha e “Shallvares”, ajo e Agait, me skuadrën e lagjes dhe rrugicave, te SHNUMI, (pasi Ali Mema aty kishte shtëpinë), në Spartakiadat në Shtëpinë e Pushimit të Pionierëve në Plepat e Durrësit. Ishte 13 vjeç, nxënës në shkollën “Kostandin Kristoforidhi”, kur në vitin 1957, ditën e përurimit të fushës së futbollit të Pallatit të Pionierëve, zhvillohet ndeshja e të rinjve të “17 Nëntorit” me Pallatin me të cilin Aliu ishte titullar, me trajner Hiqmet Meçen.

Duke parë një talent, një xhevahir në duar, mjeshtri Xhavit Demneri, e afroi te skuadra e tij dhe shumë shpejt, kur ishte vetëm 17 vjeç, papritur do ta njoftonte të paraqitej tek të rriturit. Këtu startoi karriera e shkëlqyer e tij, gjatë të cilës do të ketë disa trajnerë, pa dyshim Myslym Allën, por edhe Zyber Konçin, L.oro Boriçin me Kombëtaren dhe Xhevdet Shaqirin me “Vllazninë” e Shkodrës.

Me “17 Nëntorin” e famshëm

Tipik lojtar i futbollit pasionant e agresiv kryeqytetas, me të cilin u ndërtua dhe u krijua “17 Nëntori” i madh i periudhës ’60-’70-të. Bëhet fjalë kur në harkun kohor 1963-’64, te kjo skuadër afrohen lojtarët që aktivizohen me klubet e tjera, si Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Osman Mema, Luigj Bytyçi, Pavllo Bukoviku, Justin Kazanxhi, Gëzim Kasmi dhe bashkë me Niko Xhaçkën, Bathoren, Gud Tafajn, Elinin, Perikli Dhalesin, Nurishmin, Bari Ishkën, Konomin, Tomorr Gjokën, Arben Çelën, Nuri Bylykun etj., nisin ciklin e një grupi që ka tjetër filozofi e që e dominon për një 5-vjeçar të plotë mjedisin futbollistik shqiptar duke sjellë një futboll të ri, ndryshe nga ai i luajtur deri në ato vite.

Më spektakolar, duke rivalizuar e thyer njëkohësisht hegjemoninë disavjeçare të dyshes “Partizani” – “Dinamo”, “17 Nëntori” i Myslym Allës shfaqet një skuadër e përbërë krejtësisht me futbollistë që ishin produkt i talenteve të shkollës me traditë tiranase.

Me këtë skuadër ka luajtur edhe Ali Mema. Kampion në 1964-’65, 1965-’66, 1968 dhe 1969-’70, deri në takimin e fundit, në vitin 1972, kur e mbyll karrierën pas 12 vitesh si protagonist.

Penalltitë që i dhanë famë edhe si portier…!

Mbrojtës i djathtë i qendrës, stoper, mesfushë, sulm, kudo. Por edhe portier. Ai ka pritur 3 penallti në finalen e paharruar me “Besën” e Kavajës. Prill i vitit 1963, finalja e Kupës së Republikës, 3-2 për “Besën” në Tiranë dhe pas një jave 1-0 për “17 Nëntorin” në Kavajë.

Fusha e vjetër e qytetit të Kavajës, pas 120 minuta lojë shifrat ishin në barazim, 3-3. Do të ekzekutoheshin 5 penalltitë vendimtare, një formulë shumë e avancuar për kohën – e ideuar nga komentatori i njohur, Anton Mazreku – e papraktikuar më parë në Shqipëri, madje në asnjë vend tjetër, as nga FIFA e UEFA, në aktivitete zyrtare të saj.

Pasi Pavllo Bukoviku ka realizuar për tiranasit, Ali Mema (zëvendësonte Metanin dhe Beliun të dëmtuar), i futur në portë nga trajneri Lym Alla, ka pritur tre 11- metërsha të gjuajtur nga T’habit Rexha, “Biti” siç e thërrisnin, (i cili, përveçse futbollist, ishte edhe një këngëtar i njohur i qytetit).

Pak muaj më vonë, skena u përsërit sërish: në përfundim të një ndeshje miqësore, midis Kombëtares dhe Besës në fushën e Kavajës, “Biti” i pat propozuar Memës që të qëndronte në portë pasi do të gjuante edhe një herë nga pika e bardhë: “Biti” godet dhe Mema ia pret përsëri.

Petrit Dume e pëlqen, stërvitet te “Partizani”

Ali Mema ka përfunduar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, pas të cilit duhet të kryejë zborin 6-mujor. Sapo është mbyllur sezoni 1965-’66, “17 Nëntori” është shpallur kampion, njëkohësisht ai është edhe lojtar i përfaqësueses shqiptare në kulmin e formës dhe famës së tij.

“Partizani”, e nuhat situatën dhe ka rastin që ta marrë në Klubin e tij pasi, e kanë mobilizuar pranë repartit ushtarak në Laprakë, madje ka zhvilluar edhe disa seanca stërvitore, ku gjen Panajot Panon, me të cilin ka luajtur bashkë te “17 Nëntori” i vitit 1960, edhe në Kombëtare.

Gjeneral-lejtnant Petrit Dume, Shefti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i njohur për pasionin e tij emblematik për sportet dhe në veçanti për futbollin e pëlqen si lojtar, këmbëngul dhe i propozon të qëndrojë te “Partizani”, por Mema, ia ka bërë të qartë se, është kundër, e pa dëshirën e tij, është e pamundur. Atëherë e nisin në Shkodër.

Nga 6, e mbajnë 18 muaj ushtar, në repart me Bujar Kapexhiun

Historia e transferimit në Shkodër e Ali Memës, është një ndër “mekanizmat” e sistemit komunist. Nga një zbor 6-mujor, ai u kthye në një shërbim ushtarak, që zgjati plot 18 muaj.

Nisi në verën e 1966-ës dhe Ali Mema u kthye në Tiranë, në fillim të vitit 1968-të (bashkë me Foto Andonin e “Partizanit”).

Motivet janë disa: për të dobësuar “17 Nëntorin”; arsye politiko-sportive; sipas disa vendimeve për sportistët ushtarë, shpallur nga qeveria, etj. Por, ende sot mbetet enigmë qëndrimi i gjatë i tij në Shkodër…! Në Divizion, në repartin ushtarak 9001 të Këmbësorisë, aty ku e kanë caktuar, i janë bashkuar edhe aktorët Bujar Kapexhiu e Fatos Haxhiraj. Edhe ata për zborin 6-mujor…!

Madje, vetëm Memës i kanë lejuar të mbajë flokët e gjata dhe Kapexhiut mustaqet, pasi “ky luan në film” – thoshte Qazim Kapisyzi, gjenerali i famshëm, komandant i Divizionit.

Si “Mbret” në Shkodër dhe fletë-rrufetë, pse refuzoi të luante ndaj “17 Nëntorit”!

Transferimi i Ali Memës te “Vllaznia” u prit me entuziazëm dhe simpatia e lidhja e tij me Klubin Sportiv, qytetin, tifozët, familjet, futbollistët, etj., ka qenë dhe mbetet unike edhe sot.

I gjithë mjedisi e ka jetuar ardhjen e tij dhe, nëse ka një futbollist që është pritur e trajtuar si “Mbret”, është Ali Mema, kur ishte në Shkodër. Janë 18 muaj, ndër më të bukurit e karrierës së tij. Në familjen Dedja, Duria (nëna e Mendu Dedjes) i ka shërbyer me gjithçka.

Një fakt i rëndësishëm është se në aspektin sportiv te “Vllaznia”, Mema u përshtat shpejt duke injektuar egon, shpirtin e sakrificës. Por kur vinin përballjet me “17 Nëntorin”, kanë qenë momentet më të vështira, gjatë karrierës shkodrane të Ali Memës.

“Para një sfide, kur flitej se Alija ishte në pikëpyetje nëse do të luante apo jo, trajnerin Xhod Shaqiri, e thërrisnin në Komitetin e Partisë”, kujton legjenda e futbollit, Ramazan Rragami. “Pse nuk po don me lujt Mema tesh? – e pyesin. – Ai asht titullar dhe duhet me kenë në fushë”. Si një strateg, Shaqiri gjykonte se është më mirë të mos e aktivizojë dhe kështu vepronte.

Mirëpo të nesërmen, qytetarët sportivë pasionantë shkodranë, të painformuar, shpërthejnë në fletë-rrufe ndaj trajnerit Shaqiri, por mos aktivizimin e Memës!

Por, edhe në një sfidë tjetër “17 Nëntori” – “Vllaznia” (Kupë Republike, takimi i dytë), në pjesën e parë, Mema godet traversën e portës veriore të kryeqytetasve, që mbrohet nga Gud Tafaj, por në pushim, me sinqeritetin që e karakterizon, i është drejtuar trajnerit: “Nuk mundem, e kam shumë të vështirë të luaj kundër Tiranës”.

Janë pjesë të memories sportive, në veçanti asaj shkodrane, të klubit “Vllaznia” për të cilin ai luajti deri në sekondën e fundit. “Alija, Alija dona gol!”, ka bërtitur stadiumi “Vojo Kushi”, kur kërkohej goli i shumëpritur. Sa herë është kthyer atje si kundërshtar, vetëm e kanë duartrokitur.

Letër qeverisë dhe ministrit, Beqir Balluku

Qëndrimi shumë mujor pas përfundimit të 6 muajve të zborit në Shkodër me “Vllazninë” e detyroi të atin e Memës që t’i shkruante një letër qeverisë, në të cilin i kërkonte kthimin i Ali Memës në shtëpi, pranë familjes.

Një kërkesë e tillë, i’u dërgua edhe Beqir Ballukut, si ministër i Mbrojtjes Popullore që ishte. I kërkohej motivi i qëndrimit të tej zgjatur pa arsye dhe kthimin e Ali Memës pranë familjes, pasi ishte i martuar dhe me fëmijë. Letra humbi dhe nga dikasteri nuk pati asnjëherë përgjigje zyrtare.

Mema qëndroi te “Vllaznia” edhe në muajt e parë të kampionatit, të 1968-ës, i cili u zhvillua në harkun e një viti kalendarik, duke fituar me tiranasit titullin kampion në muajin dhjetor, pas një rivaliteti deri në fund me “Partizanin”.

 Prenk Jakova mbyll provat e “Skënderbeu”-t

Një çast tejet emocionues e lidh karrierën e Ali Memës me artistin dhe kompozitorin e famshëm, Prenk Jakova, një nga kolosët e mëdhenj të muzikës shqiptare. I njohur me “Mrika”-n, si opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, apo me “Margjelo”- n, edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, mbetet unik episodi, kur ai ishte duke punuar në Tiranë.

Duke zhvilluar provat me orkestrën e Teatrit të Operës, në kulmin e punës për të vënë në skenë operën e dytë të tij “Skënderbeu”, ai iu drejtua orkestrës dhe me zërin e një muzikanti, u thotë: “Do t’i mbyllim shpejt provat, se do të nisem për në Shkodër, pasi sot lot për herë të fundit Alija”.

Mungesa në ndeshjen dramatike dhe sfidat e mëdha…!

Ali Mema nuk ka qenë i pranishëm dhe nuk ka luajtur në takimin e paharruar për Klubin dhe historinë e sportit shqiptar, siç ka qenë përballja “17 Nëntori” – “Partizani” në fund të qershorit 1967. Takimi përfundoi 2-1 për tiranasit, por në përfundim të sfidës, në korridorin e “Qemal Stafa”-s, ka një grindje midis lojtarëve, e cila u shua shpejt.

Por në mbledhjet që u zhvilluan më pas në Federatë, ajo është konsideruar si shfaqje e huaj dhe skuadrat u përjashtuan nga vazhdimi i kampionatit, ndonëse kishin mbetur vetëm 3 javë, e “17 Nëntori” thuajse ishte kampion. Si rezultat i kësaj, pas një vendimi të FSHF-së, titulli iu dha “Dinamos” që ishte në vendin e tretë, pa asnjë mundësi për të marrë trofeun…!

Dhe pikërisht në këtë përballje, Ali Mema nuk ka qenë prezent, pasi luante në Shkodër. Ndërsa në Kupën e Kampioneve, ka disa në të cilat ka qenë protagonist: takimet e dyfishta me skocezët e “Kilmarnok”, pastaj me belgët e Standart dhe në barazimin e madh 2-2 me “Ajaksin” e Krujfit në Tiranë, në shtatorin e vitit 1970.

 

Pastaj duelin Mema-Overat në takimin Shqipëri-Republika Federale Gjermane, 0-0 në Tiranë, por edhe rastin e humbur kur i vetëm para portës me “Standartin” e Liezhit (Belgjikë) ia dha topin në dorë portierit, gjatë një kombinimi perfekt të “liverpulçes”, skemë taktike e njohur që, “17 Nëntori”, aplikonte në goditje dënimi.

Një manovrim që habiti belgët e që, do ta bënte të famshëm nëse realizonte, ndërkohë që me të tilla goditje kishte ndëshkuar skuadrat në kampionatin shqiptar.

Mema, një emër që habiti turqit

I rrallë është fakti që habiti turqit dhe veçanërisht median, kur e panë Ali Memën për herë të pestë në vendin e tyre me pesë fanella të ndryshme: Katër herë në harkun e pak viteve, me ngjyrat e “Dinamos”, “17 Nëntorit”, “Partizanit” e “Vllaznisë”, të gjitha takime për Kupën Ballkanike.

Si përforcim i marrë nga “Dinamo” në vitin 1961 kur luante me “17 Nëntorin” dhe nga “Partizani” kur ishte me “Vllazninë”, një ndeshje kjo e rivalizuar deri në fund, që fitohet 3-2 në minutat shtesë nga turqit, me një autogol. Pastaj me “17 Nëntorin” në vitin 1964, me “Vllazninë” para se të largohej dhe në një takim miqësor me përfaqësuesen e Tiranës.

“Kush është ky Mema, që vjen me pesë fanella të ndryshme në Turqi?”, shkruanin ato, duke e shoqëruar me foto me të gjitha bluzat me të cilat ai kishte luajtur atje.

Në Shkodër, Mema gjeti: Danin, Fred Çapalikun, Gjonin, Mendu Dedjen, Lekajn, Gjergjin, Ismet Hoxhën, Selami Danin, Pukën, Selmanin, Lek Koçobashin, Qerajn, e në veçanti me Sabah Bizin, luajti për një kohë të gjatë te “Vllaznia” dhe pak muaj me Rragamin, kur ky u kthye në Shkodër, në fillim të ’68-ës.

Por, mjeshtrat e mesfushës shqiptare, do t’i bashkonte edhe kombëtarja, madje në disa sfida epokale, të paharruara: Në barazimin 1-1 me Irlandën në Tiranë në nëntorin e ’65-ës, janë Rragami (“Partizani”), Ali Mema (“17 Nëntori”) madje edhe Foto Andoni (“Partizani”).

Ndërsa tre mjeshtrit e mesfushës do të jenë prapë bashkë në takimet vijuese, gjatë vitit 1967: Në Dortmund, prill: RFGJ-Shqipëri 6-0, në formacion janë: Ramazan Rragami (Partizani), Ali Mema (17 Nëntori) dhe Sabah Bizi (“Vllaznia”). Pastaj në Beograd, Jugosllavi-Shqipëri 4-0, nëntor, sërish në fushë: Rr. Ragami (“Partizani”), S. Bizi (“Vllaznia”) dhe A. Mema (17 Nënt ori”) .

Ndërsa në takimin e 17 dhjetorit, Shqipëri- RFGJ 0-0, reparti i mesit përbëhet nga: A. Mema (“Vllaznia”), R. Rragami (“Partizani”), S. Bizi (“Vllaznia”). Me ekipin përfaqësues, Ali Mema luajti në 11 takime zyrtare dhe 1 miqësore. I pari më 30 tetor në Tiranë, Shqipëri- Danimarkë 1-0 dhe i fundit, ai ndaj RFGJ-së, 0-0 në “Qemal Stafa”.

Marrëdhëniet me Lym Allën, si asnjë tjetë

Askush përveç Ali Memës, nuk ka pasur një raport të tillë komunikimi, me strategun, krijuesin e “17 Nëntorit” legjendar, trajnerin e shquar Myslym Alla, i vetmi, të cilit njeriu shumë autoritar, ia kishte krijuar këtë privilegj. Në Kuçovë, rezultati është në barazim, ndërsa Mema i dëmtuar qëndron në stol. I ka kërkuar që ta aktivizojë, por vendimi i Allës është i padiskutueshëm.

Këmbëngulja e tij edhe kur kanë mbetur pak minuta e ka detyruar Lym Allën ta aktivizojë dhe menjëherë 3-0 për “17 Nëntorin”. Asnjëherë t’i jepte detyra, t’i tregonte se ku dhe si do luante, pasi në skemat e tij, Ali Mema ishte i kudondodhur. Dëmtimet, gjuri i lidhur apo i fashuar me gjunjëza, e kanë shoqëruar në pjesën më të madhe karrierën e tij. Në shi, baltë, çfarëdo terreni dhe kushtesh natyrore ai ka luajtur edhe pse i kushtëzuar nga dëmtimet.

Gjithashtu në stërvitje, duke ia ditur temperamentin, edhe pse i dëmtuar, Alla nuk e hiqte, madje e aktivizonte me ekipin e dytë për të krijuar rivalitet. Po kështu edhe kur ishte në rolin e zv.trajnerit vite më vonë ka qenë trajner e lojtar në stërvitje në krah të Fatmir Frashërit, Enver Shehut, Sul Memës. Kishte intuitë, e lexonte shumë mirë ndeshjen.

Por, ajo që kujtohet për Ali Memën, është e lidhur me seancat stërvitore. Dita e enjte, kur skuadra zhvillonte lojë kontrolli, Ali Mema luante me skuadrën e dytë. Ndeshja kthehej në një sfidë tërheqëse, rivalizuese dhe brenda grupit ajo zhvillohej me ego të madhe. Ali Mema, ndonëse jo në moshën e futbollistëve, luante kudo dhe kundër më të mirit. Ka qenë model edhe në këtë drejtim, si askush tjetër.

Dashuria pasionante për Lizën

Ajo e Ali Memës me Lizën, është një ndër historitë më të bujshme të dashurive të sportistëve të njohur shqiptarë. E tillë ka qenë dhe mbeti deri në fund, madje është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës dhe karrierës së Ali Memës.

Shumë e bukur, një “Klaudia Kardinale” për kohën, njohja, dashuria e tyre filloi dhe shpërtheu në Teknikumin e Fizkulturës, pastaj në ILKF, (Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, për t’u kurorëzuar kur ishin të rinj, vetëm 23 vjeç, me Almën, fëmijën e parë. Luiza Filipi, një atlete rekordmene në shtizë e disk, për shumë vite ka qenë mësuese e Edukimit Fizik në gjimnazin “Partizani”.

Ali Memën, nuk mund ta imagjinoje kurrë pa Lizën dhe e kundërta, një kopje shumë tërheqëse. Si një tip i veçantë për linjat estetike që kishte, ajo tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, por edhe “kjo është Liza, gruaja e Ali Memës”, ishin fjalët shoqëruese. Jetuan të lumtur deri në çastin e fundit kur në vitin 2004, shumë e re, Liza u nda nga jeta.

Çfarë bënte Ali Mema, pasi la futbollin?

Ali Mema e la futbollin në vitin 1972, kur, me një orientim të Komitetit të Partisë të Tiranës, cikli i “17 Nëntorit”, u konsiderua i mbyllur dhe skuadra duhet të rinovohej. U larguan shumë titullarë, midis tyre edhe Ali Mema, kur ishte vetëm 29 vjeç, me një karrierë brilante dhjetëvjeçare.

Mësues i Edukimit Fizik në Politeknikumin “17 Nëntori”, atje ku doli në pension, gjithmonë me biçikletën e preferuar, ndonëse ka qenë viktimë “e disa të tilla të vjedhura”, por që nuk ia ndryshuan dot pasionin.

Kurrë duhan e pije alkoolike, i rregullt në jetë e sport e, shumë familjar. Nga të dy fëmijët, djali Ardiani e pasoi pasionin e të atit, si futbollist, trajner dhe mësues i Edukimit Fizik, por jo në lartësinë dhe në famën e Ali Memës.

Nëse do të kishte një “Oskar”, apo një “Top të Artë” për atë çfarë ka demonstruar, si një kampion i vërtetë, model për shokët, skuadrën, trajnerët, brezat, futbollin jo vetëm tiranas, për të gjithë ata që e kanë parë drejtpërdrejt, Ali Mema do të ishte fitues i padiskutueshëm.

Një udhëheqës i vërtetë, një “Ser” o “Signore”, do të ishte fjala e vetme përmbledhëse që të jep idenë e plotë e që sintetizon figurën e jashtëzakonshme të Ali Memës, për gjenialitetin që ai djalë simpatik, elegant me futbollin e tij origjinal dhe mjeshtëror, transmetoi në fushat e lojës ku ai dha shpirtin e tij.

Deri sa u nda nga jeta më 26 mars të vitit 2019, (ku u përcoll për në banesën e fundit me nderime eceremoni të mëdha zyrtare) Ali Mema jetoi në një apartament te “Brryli”, ku prej shumë vitesh ishte në vetmi, pa Lizën e tij. Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem Gahinji: 27/02/2023 18:36

    Aliun e kam njohur si sportedashes.Njeri dhe sportist qe linte mbeesa.Te shoqen e kam njohur kur ishte mesuese ne shkollen Mihal Grameno,atehere shkolles e mesme.Nje vajze shume e mire,Jo vetem e bukur si klaudia Cardinale

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?