Për të pestën ditë radhazi, ne sheshin “Skënderbej”qytetarët nuk mundën të marrin dozën e dytë të vaksinës kineze. Coronavac vijon të ketë mungesa.
Mungesat pritet të plotësohen ditët në vijim, me mbërritjen në Shqipëri të vaksinave të tjera kineze nga Turqia. Report Tv mësoi se kompanisë turke që i premtoi Shqipërisë 1 milionë doza, iu ndalëm dërgesat e Coronavac nga kompania prodhuese në Kinë, për të sjellë vaksina të një lloji tjetër.
Por sipas autoriteteve, bëhet fjalë për vaksinë me të njëjtën përbërje, që i ndryshon vetëm emërtimi.
“Fillimisht ne patëm vaksinë Sinovac të Sinovacut dhe ndoshta këtu konfundohen njerëzit, që e kishte emrin Coronavac Vero Cell dhe më pas ,pas paketimit në Turqi vaksina erdhi me emërtimin Coronavac 600 SU dhe nuk u përdor fjala Vero Cell. Në vetvete brendësia e saj është identike, është thjeshtë emërtimi në paketim, marrëveshje që bien dakort prodhuesit dhe paketuesit. E rëndësishme është që vaksina në vetvete nuk ndryshon, pastaj emërtimet mund të jenë të ndryshme në varësi të kompanive që i paketojnë apo regjistrimeve që bëjnë në vende të ndryshme por baza brenda është identike Coronavac 600 SU”-tha Erida Nelaj.
Për të gjithë qytetarët që nuk bënë dozën e dytë në datën e caktuar në kartën e vaksinimit, Nelaj thotë se shtyrja nuk sjell asnjë problem shëndetësor.
“Ne japim referencë datën minimale si orientuese pra asnjëherë për para kësaj date por mbas kësaj date në çdo kohë mund të bëhet doza e dytë në momentin që është e disponueshme dhe ajo që do të kërkoja mirëkuptim nga qytetarët është që përpara se të drejtohen për vaksinim më mirë të komunikojnë paraprakisht nëse ka vaksinë gjendje apo jo”-u shpreh Nelaj.
Sipas menaxheres së programit kombëtar të vaksinimit në ISHP kontrata është firmosur për të sjellë 500 mijë vaksina së afërmi.
“Sasi të tjera pritet të vijnë. Tashmë u nënshkrua dhe kontrata për 500 mijë dozat e tjera dhe pritet të vijnë sasit e para ku ne do të plotësojmë të gjithë që kanë nevojë për dozën e dytë dhe do të fillojmë sërish vaksinimet masive me doza të para”-tha Nelaj.
Deri tani në vendin tonë që me nisjen e vaksinimit masiv janë kryer 700 000 vaksinime.