Shuhet Agim Krajka/Tekstshkruesi i këngës ‘Lemza’: Ishte kompozitor i rinisë edhe fizarmonicist virtuoz (VIDEO)

2 Mars 2021, 16:43| Përditesimi: 2 Mars 2021, 22:02

  • Share

Artisti që i dedikoi muzikës gjithë jetën e tij, duke u frymëzuar nga folklori shqiptar, Agim Krajka është shuar në moshën 83-vjeçare. Për dekada të tëra, Agim Krajka kompozoi valle edhe këngë, si “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre” apo “Kafe Flora”. Shkroi pjesë për orkestër simfonike edhe filmat shqiptarë, si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” apo “Një shoqe nga fshati”, por nuk hoqi asnjëherë dorë nga dashuria e tij e parë, instrumenti i firzamonikës. Regjisori Haxhi Rama, i cili është edhe tekstshkruesi i disa prej këngëve të Agim Krajkës rrëfen gjurmët, që ka lënë kompozitori i rinisë tek publiku.  

“Fillimisht i shpreh ngushëllimet e mia familjes! Së dyti duhet të them se u shua Gim Krajka, por  vetëm fizikisht. Sa i përket bashkëpunimi që kam pas me të, unë jam ndër të parët. Ai ishte fizarmonicist në Ansamblin e Ushtrisë kur kishte bërë këngën e “Lemzës” pa tekst, të cilën ia propozon Vaçe Zelës që ta këndojë. Unë isha në klasë me Vaçen edhe si djalë i ri që isha, shkruaja poezi, por pa pretendime. Kur Agim Krajka i kërkoi Vaçes që të këndonte këngën, ajo i vuri kushtin, që unë t’i bëja tekstin. Kështu ka nisur gjithçka. Unë se kisha marrë seriozisht, derisa sa spikeri i ushtrisë erdhi një ditë e më kërkoi tekstin. Të nesërmen në mëngjes, në një flet fletoreje katërlekëshe, sa u prezantuam me Gimin, unë i dorëzova tekstin. Më pas nisi që të hapeshin fjalët, që do të bëhej Festivali i Këngës. Morëm pjesë me “Lemzën”, unë nuk arrita që ta shikojë. Por kur takova Gim Krajkën, edhe pse kënga nuk arriti në dhjetëshe, më tha: “E kam mat me sahat, 7 minuta kanë qenë duartrokitjet për “Lemzën””.  Gim Krajka është quajtur kompozitori i rinisë”, rrëfen regjisori Haxhi Rama,i cili ka shkruar tekstin e këngës “Lemza”, i cili pati dhe të tjera bashkëpunime me të, si “Djaloshi dhe shiu” apo “Ne jemi tre”.

Kompozitori Vasil Tole dhe dirigjenti Zhani Ciko e cilësojnë veprimtarinë artistike të Agim Krajkës, artistit që kompozoi për të gjithë, të artë në muzikën shqiptare

“Agim Krajka u fut në muzikën shqiptare në momentin shumë të rëndësishëm, kur për herë të parë u shpalos Festivali i Këngës në RTSH. Ai hapi derën e festivalit edhe u fut atje për të qenë një nga bashkudhëtarët e suksesshëm të këngës shqiptare. Ndryshe nga të tjerë, nuk u prezantua vetëm në këngë, por bashkë me poetin dhe këngëtaren. Ai kishte menduar mirë, ishte besnik i këngës shqiptare, u mbështet në vokalitetin e një këngëtareje, si Vaçe Zela dhe kishte dhe një poet që u shkonte me temën e tyre rinore shqiptare, Haxhi Ramën”, shpjegon dirigjenti Zhani Ciko.

“Për Agim Krajkën kur mësova lajmin, mu kujtua një fjali e huazuar nga Ernest Koliqi që ka thënë, “Një krua melodie, që u tha”. Ai e shndërroi muzikën e tij normale, në një kohë jonormale. Për këtë arsye me largimin e tij, krijimtaria e Krajkës merr një përmasë tjetër, pasi nuk duhet harruar që pjesa më e madhe e muzikës së tij është bërë para viteve ’90. Ai arriti në këtë nivel për shkak të talentit, por dhe për shkak të profesorit të tij Çesk Zadeja, që i frymëzonte studentët që të shkruanin muzikë, duke u mbështetur tek tharmi kombëtar”, shprehet kompozitori Vasil Tole.

Kompozitori edhe instrumentisti Agim Krajka është vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?