Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në moshën 77-vjeçare të gazetari sportive Aleko Gjergo, nga një sëmundje e rëndë. Presidenti u shpreh se Gjergo ishte një nga ikonat e pazëvendësueshme në Radio Tirana dhe kontributi i tij në radiokronikën shqiptare është i pazëvendësueshëm.
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar sportiv, Aleko Gjergo, mjeshtrit të radiokronikës dhe komunikimit publik, një ndër ikonat e pazëvendësushme të Radio Tiranës, njeriut fisnik e intelektualit aktiv, autor i disa librave dhe përkthimeve.
Kam kujtimet më të mira dhe vlerësimet më të larta për personalitetin e tij të veçantë, edhe si një prej bashkëpunëtorëve të emisionit më të ndjekur sportiv radifonik të viteve ’90 “Nga njëra ndeshje, në tjetrën”.
Transmetimet e Aleko Gjergos, përbëjnë një trashëgimi të pasur të fondit të artë të radiokronikës shqiptare, aq e vlefshme për brezat e rinj të gazetarëve sportivë.
Duke ndarë dhimbjen e madhe me familjen Gjergo në këto momente tepër të vështira, u shpreh ngushëllimet më të ndjera atyre, gjithë të afërmve, dashamirësve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
I paharruar kujtimi yt Aleko Gjergo!” shkruan Meta në Facebook.
Gazetari i njohur Aleko Gjergo është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë. Ai ishte një nga figurat qendrore të transmetimit të emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.
Komente
