Shuhet në moshën 84-vjeçare mjeshtëri i valleve popullore Besim Zekthi

28 Qershor 2020, 17:29| Përditesimi: 28 Qershor 2020, 20:09

  • Share

Shuhet në moshën 84-vjeçare mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi. Artisti Besim Zekthi humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në shtëpinë e tij në Tiranë.  Artisti Besim Zekthi gjatë krijimtarisë së tij ka dhënë kontribut, si kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, por ka shkëlqyer edhe si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ajo që do të mbahet  mend gjatë nga brezat e ardhshëm është  “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”, ku për këtë të fundit është vlerësuar me “Gjerdanin e Artë” të vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në 1970-n. Për kontributin e tij ta vyer në kulturën shqiptare mban titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”.

Ora 22:08
Kryemadhi: Besim Zekthi, emblema dhe simboli i valles shqiptare!

Humbja nga jeta e Besim Zekthit ka trishtuar edhe Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila në një postim në Facebook, thotë se është emblema dhe simboli i valles shqiptare!

"I trishtë dhe gjithë pikëllim lajmi se është ndarë nga jeta Besim Zekthi, emblema dhe simboli i valles shqiptare! I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se pushoi së rrahuri zemra e Besim Zekthit, njërit prej artistëve më të dashur të shqiptarëve! Ndaj nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen e madhe që ndjej. Por, ndërsa përpiqem të shkruaj këto radhë ngushëllimi për familjen e tij, për Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, shqipe e të cilit ai qe dhe do të mbetet gjithmonë, si dhe për të gjithë botën shqiptare të artistëve, për humbjen e madhe dhe të pazëvendësueshme, kam në sy imazhin e tij aq krenar e stoik si kreshnikët, me kërcimin magjepsës; sa burrëror dhe elegant njëherësh, gjithë temperament dhe ndjeshmëri, të cilat vetëm Besim Zekthi mund t’i zotëronte dhe të na i dhuronte me perfeksionin e një mjeshtri që meritoi dhe meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen e një kombi të tërë! Ashtu, me atë imazh do të jetë Besim Zekthi përjetë në kujtesën e shqiptarëve, të cilëve ai iu fali dashurinë e shpirtit të tij. Lamtumirë Besimi ynë i dashur! Të ndrittë shpirti dhe u prehsh në paqe, Besimi ynë i pazëvendësueshëm dhe i paharrueshëm!", shkruan Monika Kryemadhi.

Ora 20:00
Rama: Lamtumirë kërcimtarit legjendar, Ruçi: Zekthi, një xhevahir në gjerdanin e artë të kulturës shqiptare

Për ndarjen nga jeta të Besim Zekthit ka reaguar edhe kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.  Në një postim shkurt në Facebook, Rama shkruan: "Lamtumirë kërcimtarit legjender, Besim Zekthi". Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi thotë se Besim Zekthi është një xhevahir në gjerdanin e artë të kulturës shqiptare.

Ora 19:28
Basha: Artistë si Besim Zekthi janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë

Për kreun e PD-së, Lulzim Basha artisti Besim Zekthi ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare. Sipas Bashës artistë si Besim Zekthi janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë.  Kryedemokrati Basha thotë se vdekja e Besim Zekthit  është një dhimbje e pangushëllueshme për familjen dhe një moment trishtimi për të gjithë artdashësit.

"Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Besim Zekthit, artistit legjendë, mjeshtrit të madh që e ngriti në majat më të larta interpretimin e valles shqiptare.  Me një kontribut të jashtëzakonshëm për mbi gjysëm shekulli në Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Besim Zekthi ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare në çdo skenë prestigjioze të botës. Ai u njëhsua në memorien kolektive me shqipen që fluturon e lirë,  Besim Zekthi ishte shqipja që na dha krahë, dhe kjo simbolikë e ushqente secilin prej nesh me shpresën se ditë më të mira do të vinin për kombin tonë. Bashkëpunimet e jashtëzakonshme të Besim Zekthit me Panajot Kanaçin, Rexhep Çelikun, Lili Cingun, apo edhe me rapsodin e papërsëritshëm Dervish Shaqën i dhanë publikut shqiptar valle të papërsëritshme si “Kreshnikët e Lirisë”, “Dasma e Rugovës”, “Komitët e Lirisë”, etj.  Artistë si Besim Zekthi janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë, ata janë burim krenarie dhe frymëzimi, prandaj edhe ruajtja e trashëgimisë së tyre profesionale është detyrim për brezat e rinj që e lëvrojnë vallen, këngën dhe artin tonë burimor.  Largimi prej nesh i Besim Zekthit është një dhimbje e pangushëllueshme për familjen dhe një moment trishtimi për të gjithë artdashësit. I gjendem pranë me mendimet dhe lutjet e mija familjarëve dhe miqve të tij në këtë moment të rëndë. U prehtë në paqe", shprehet Basha në Facebook.

Ora 19:17
Ndarja nga jeta e Besim Zekthit, Meta: Kryeshqiponja e valles së shqipeve lartësoi kulturën shqiptare edhe në periudha të errëta

Për vdekjen e Besim Zekthit ka reaguar edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta. Në një postim në Facebook, Meta e konsideron si kryeshqiponjën e valles së shqipeve. Sipas Presidentit Meta edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian.

Mesazhi ngushëllues i Presidentit Meta
Lamtumirë kryeshqiponja e valles së shqipeve, Besim Zekthi! Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese. Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata. Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën. Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar. Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi. Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi. Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve. Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Popull: 29/06/2020 01:42

    Kush e ka pare ne skene e nuk eshte prekur deri ne deje nga shpirti i tij. I rralle!!Ngushellime familjes por edhe poullit shqiptar. Veshtire te kete nje te dyte si ai.

    Përgjigju
  • Rodakaj: 28/06/2020 21:37

    Artist i madh kombit sot i ka ikur nje perle .i pa zevendesushem.ng ushellime fam iljes.

    Përgjigju
  • Liri: 28/06/2020 21:30

    Artist i madh kombit sot i ka ikur nje perl . I pa arritshem .ngushellime familjes.

    Përgjigju
  • Shqiptari: 28/06/2020 19:22

    Legjenda e Shqiponjes famemadhe...., nuk do te harrohet dhe veshtire se arrihet nje talent i tille...

    Përgjigju
  • LORA: 28/06/2020 19:08

    Besim Zekthi eshte nje emer i ndritur ne artin e valles epike shqiptare. Faleminderit mjeshter per trashegimine e shkelqyer qe i le Kombit. Te qofte i lehte dheu i shqipeve.

    Përgjigju
  • Aiqeteqi: 28/06/2020 17:37

    Sa te jet rilindja ne pushtet kuren e kures skan per te bere pushime shqiptaret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?