Mjeshtëri i restaurimeve, piktori i njohur dhe studiuesi më i mirë i Onufrit, Mustafa Arapi, i shtruar prej disa ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” humbi betejën me Covid 19 mëngjesin e sotëm në moshën 70-vjeçare.
Vajza e tij, Dorina Arapi, përmes një statusi të ndjerë ka dhënë lajmin e kobshëm për familjen, miqtë edhe të afërmit, që në ditët më të vështira i qëndruan pranë.
Të trishtë e cilësojnë këtë lajm miqtë e tij artistë, si Adrian Devolli, Bashkim Zahaj, Frederik Stamati dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Për ta kjo humbje e këtij personalit të pikasur në fushën e artit është dhe e pazëvendësueshme për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Mustafa Arapi u lind Tiranë. U diplomua në Akademinë e Arteve për Pikturë. Pas studimeve kontribuoi në Institutin e Monumenteve të Kulturës, si restaurues i veprave të artit bizantin, edhe si shef i Sektorit të Artit. Për disa vite dha mësim, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe përpos artikujve studimorë ka nxjerrë në dritë qindra metra katrorë afreske. Ka restauruar ikona e tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit,
pjesën qendrore të ikonobartësit të kishës së Evangjelizmos të Kalasë së Beratit; vepra të Onufrit, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske dhe ikona.