Pasojat post-covid i morën jetën, shuhet Meri Lalaj, pa mundur të përurojë të fundit libër të saj me kujtime “Helena, Ismaili dhe unë”

10 Qershor 2022, 17:20| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 19:41

  • Share

Meri Lalaj, nuk ia doli dot të përuronte të fundit libër të saj “Helena, Ismaili dhe unë” të sapobotuar... U shua sot në moshën 79-vjeçare, shkrimtarja e përkthyesja e njohur, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore të shkaktuara nga Covid-19. 
Nga ditari “Lasgushi në Poradec” , romani “Kapërcyell”, vëllimi poetik “Gjethe vjeshte”  e deri tek “Instituti Femnor Nana Mbretneshë”, ku ajo u shkollua,  zonja e fjalës së ngrohtë ka lënë pas dhjetëra tituj, ku lëvroi në shkrim e përkthim qoftë romanin ashtu edhe poezinë.
Një zë intelektual aktiv, ku me penën e mprehtë trajtonte përmes artikujve problematika të ndryshme që preknin vendin, veçmas ato që i përkasin artit e kulturës. 

Pak ditë më parë autorja kishte njoftuar, botimin  e librit të saj të fundit me kujtime, që shpalosin miqësinë e ngushtë që Lalaj ruante me çiftin Kadare, që në rini të tyre...

Mendonte, se pas daljes nga spitali në fund të muajit prill, problemet me COvid ishin drejt fundit, e madje i shprehu publikisht mirënjohjen mjekëve të Spitalit Infektiv... Ishte optimiste e entuziazmi i botimit të përfunduar e kish bërë të harronte periudhën e vështirë të shtrimit, por pasojat që kishte lënë virusi u shfaqën në mënyrë agresive, duke i bërë edhe bluzat e bardha të dorëzoheshin para sëmundjes së rëndë. 
E megjithatë ikja e Lalajt do të jetë vetëm fizike, ajo la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në fushën e letrave, por edhe në shembullin që dha në emancipimin e gruas, ku lirinë ja jepte formimi e shpirti i saj i pasur.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?