Aktorë, regjisorë, kritik arti dhe shkrimtarë kanë reaguar të pikëlluar për ndarjen nga jeta të artistit të madh Rikard Ljarja. Josif Papagjoni, Zija Cela, Çun Lajçi, Visa Zhiti, etj shprehen se shuarja e aktorit është një humbje e madhe.
Çun Lajçi si një aktor i madh i njohur i skenës dhe ekranit i ka kushtuar disa vargje njohjes me aktorin e madh Rikard Ljarja.
*Qenka nda nga jeta artisti i madh Rikard Ljarja!
Shpirti i pastë dritë!
*Ti arti i zemrës sime*
( R.i.p Rikard Ljarja)
Kam ardhë natën
e dritë Tirana m'u ka ba
n'Myslim Shyri kur t'kam taku
viteve t'hershme t'skamjës
e t'vonshme t'kamjës pak
Ti yll i skenës i fjalës
art n'tel zemre që s'harrohësh
sonte e njiqind vjet
Shkodrançe m'ke pritë
a je burrë
t'paça me nder
rugovisht këthye ta kam
e çua m'ke n'konak
Zemrën shtrua n'sofër ma ke
me nji gotë raki
për Kosovën ngrykë jemi marrë
Kur folë kemi për artin n'ballë m'ke puthë
për Bekimin Farukun Melin
s'jemi ngi me Fishtën
zanin n'lahutë fort ma ke dashtë
Edhe nji si ti Oson se ngjallë as vajin e Avdisë
se vajton n'Vraninë
burrnisht n'Pogradec ma pate thanë
Marjeta t'përpiu me sy
fishtjan je vet edhe shkodran
pse ti se qanë Lahutën e Mrizin si ky
Dy herë s'bahet e mira moj e marrë
tue qeshë sa herë i ke thanë
Sonte paske ikë të Bujari Rikard
udhën e paç të mbarë
Unë s'paskom pse me ardhë
n'Myslim Shyri
ti s'qenke ma n'Tiranë
Prishtinë 21.04.2020
Kritiku i artit Josif Papagjoni kujton prapaskenat e xhirimit të filmit 'Rrugë të bardha' ku Rikard Ljarja ishte protagonisti kryesor. "Në ritualin tim të përditshëm, teksa hapa sytë lami i parë në facebook qe ikja e Rikard Ljarës. E mora dhimbjen fill nga një brengë e klithëm e Mevlan Shanajt, e gjitha aq lirike, që sikur ma shkundi qenien krejt e pastaj pashë me dhjetëra e dhjetëra statuse. Rikard Ljarja e trandi mëngjesin sot për gjithë ç’janë shqiptarë në këtë rruzull. Ai ishte një imazh. Imazh i heroit të luftës dhe punës. Imazh i sakrificës. Imazh i dashurisë. Imazh i burrit të bukur që ëndërrohej prej çdo vajze. Por përtej imazhit ai ishte një krijues plot frymëzime e përjetime humane.
Një aktor që solli në ekranin tonë thjeshtësinë e lojës, vërtetësinë gjer në plazmë të saj, natyrën kinematografike të aktrimit. Për herë të parë unë e kam takuar Rikardin në vitin 1974, kur diku në pjerrinat dhe pyjet e Fush Arësit, xhirohej filmi “Rruge te bardha”. Punoja asaj qyteze druvarësh asohere. Ekipi i xhirimit me të mrekullueshmin Viktor Gjika, kinoregjisorin e filmit, ishte grumbulluar në një dhomë te hoteli i vogël i qytezës së sharrëxhinjëve. Unë, fare i ri, rrija pranë tyre. Në mes qe një sobë e madhe sa një fuçi. Hidhnim dru aty dhe ajo brambullonte. U skuq e u bë si saç... E mbaj mend Rikardin. Ishte me po atë xhup, me po ato çizme si Deda mes borës, mbetur aty sipër në shtyllë, për të lidhur telat e zemrave, mirësisë, dashurive. Të gjithë kineastët kishin ngrirë nga të ftohtët. Sapo qenë kthyer nga xhirimet mes borës. Fërkonin duart.
Dhe thuajse njësoj si te skena me Zanën në sobë kur avujt i bënin poetike fytyrat e dy të dashuruarve shoqëruar nga muzika e Limoz Dizdarit, edhe Rikardi-Dedë apo Deda-Rikard “avullonte”. Xhupi, pantallonat, gjithçka qe lagur nga grimcat e borës që ende kishin mbetur aty. Më bënte përshtypje asohere e qeshura e tij. Një e qeshur e shpenguar, aq miqësore... Dhe pastaj dhjetëra episode e kujtime të tjera me këtë artist të madh të ekranit, që duket sikur ka lënë pas një epokë. Nëse Anagnosti, Gjika dhe emrat e tjerë autoritare të filmit shqiptar janë, si te thuash, pas ekranit, ai ishte para, ne syte tane te sperndritur prej fotogjenise se tij. Sepse ishte aktor. Dhe afërmendsh gëzonte gjithë famëm, imazhin dhe pekulet e artit të shtatë. Vështirë se ajo fytyrë e dashur mund të harrohet edhe paskëtaj. Breza të tjerë do kalojnë dhe ajo do jetë aty, si një vulë dhe dëshmi e papërsëritshme e kohës. E një epoke. Për miqtë e mi, më poshtë po hedh edhe disa nga të dhënat kryesore të krijimtarisë së tij si aktor. I lehtë i qoftë dheu këtij njeriu që futi aq shumë dritë, krenari dhe thjeshtësi në zemrat tona!...
LJARJA, Rikard (1943- )
Aktor, regjisor. Lindi në Shkodër më 1 prill. Mbaroi Shkollën e lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu”* (1965) dhe më pas u emërua në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës*. 1973-1996 punoi si regjisor në Kinostudion “Shqipëria e re”, ndërsa më pas deri në v. 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar. Qysh në fillim u shqua për talentin e tij si aktor i filmit dhe shpejt u aktivizua në rolin e parë, atë të Dritanit te Komisari i dritës (1966), me të cilin krijoi një portret të mëvetësishëm prej mësuesi atdhetar e të pushtuar nga idealet e bukura të diturimit të fëmijëve në malësi. Interpretimi i tij dha këtij personazhi besueshmërinë, natyrshmërinë dhe prerjen njerëzore, përkundër skemave të një heroizmi bërtitës, imponues dhe “madhështor”. Suksesi i merituar që arriti me rolin e Dritanit i çeli shtigje për t’u afirmuar si një nga aktorët më të kërkuar të kinematografisë në figurat e heronjëve të luftës e të punës, të cilët u interpretuan prej tij nga një pozitë e dukshme humane duke kërkuar në aktin heroik të thjeshtën dhe të domosdoshmen.
Një vit më pas interpretoi rolin e Skënder Gurit në filmin Dueli i heshtur (1967). Fotogjenia e tij, zëri i pastër bariton, vetësiguria dhe vetëpërmbajtja, të shoqëruara nga një qetësi e brendshme e veprimit psikik dhe aftësia për të krijuar suspansën dhe kontrapunktet e nevojshme gjatë procedimit të aksionit filmik, krijuan gjasat që R.L. të bëhet nga aktorët e parapëlqyer të regjisorëve. Maja më e lartë që ai mbërriti në aktrim ishte Deda te filmi Rrugë të bardha, 1974. Prirja për t’i dhënë lojës vërtetësinë deri në detaje të veprimit njerëzor, në një situatë të jashtëzakonshme, ku përkushtimi i pabujë ndaj detyrës së ngarkuar si fillrojtës për të lidhur linjat e këputura telefonike në kohë stuhie me borë, nga njëra anë dhe shpalosja e një shpirti të ndrojtur, të butë, poetik por këmbëngulës e vullnet-hekurt, nga ana tjetër, realizuan shkrirjen e të madhërishmes dhe heroikes me të thjeshtën dhe të zakontën. Ai përputhi me sens mase veprimet e vërteta fizike prej fillërojtësi me ndjeshmërinë dhe fjalën e ngarkuar me emocion. R.L. ka luajtur mbi 25 role në kinematografi, dhe veç figurave artistike të realizuara më sipër, spikati edhe tek Naimi (Plagë të vjetra, 1969), Rrema (Shtigje lufte, 1974), Dino (Radjostacioni, 1979) etj.
Loja e tij shënoi një stil të veçantë. Ajo u shqua për natyrshmëri dhe vërtetësi, kryesisht e trajtuar në tone të ulta, të qeta, me një zë të ngrohtë, bindës dhe një portret filmik tërheqës, fotogjenik, nga ku buron po ashtu një ndjeshmëri e thellë njerëzore, tonet meditative, ato lirike e poetike. R.L. hyri i mëvetshëm në regjinë filmike me filmin e tij të parë Në pyjet me borë ka jetë, 1978, ku edhe u njoh e u lidh në martesë me aktoren Marjeta Ljarja*. Vijoi mëpastaj me xhirime filmash të tjerë si regjisor, 10 të tillët, ku bien në sy veçanërisht filmat Radjostacioni (1980), - një tablo lufte dhe paslufte me përplasje kundërshtish, klasash (fitimtarë e të rrëzuar) nën një linjë subjektore përbashkuese: ngritjen e radiostacionit të ri që do t’i shërbente paskëtaj pushtetit të ardhur nga lufta; Skëterrë ’43 (1980), - veprimi dhe situata tragjike në një kamp përqëndrimi nazist, ku vuajtja, torturat, rezistenca për mbijetesë, të pleksura me faktorin politik vetëdijësues të kohës, krijojnë një tablo të kahut epiko-heroik, paçka se hasen aty edhe mbishtresime të koncepteve dhe miteve politike, që vinin nga estetika socrealiste.
Një qasje gjithësesi dramatike mundi të përditësojë ai në filmin Fundi i një gjakmarrjeje, 1983, ku armiqësia fisnore e personale ridimensionohen në miqësi dhe në hakmarrje tashmë kundër pushtetit dhe sipërmarrësve italianë, brenda optikës së njohur socrealiste. Nivelin më të mirë të realizuar si regjisor R.L. e mbërriti me filmin Kur hapen dyert e jetës, 1980, me të cilin fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu”.
Falë një situate të rëndë e të jashtëzakonshme (kryerja e një operacioni në një klinikë fshati, në kushte izolimi nga dëbora), filmi përcjell idenë e guximit, vullnetit dhe përkushtimit për punë, e pleksur në mënyrë organike me korrupsionin dhe abuzimet që vinin nga shfrytëzimi dhe tepria e pushtetit, me vetëdijen dhe qëndrimet patriarkale, sikurse edhe me linjën spekulative të “optimizmit” dhe thirrjes ndaj të rinjve për t’u ngulur dhe për të ndërtuar lumturinë e tyre në fshat. R.L. ka shkruar edhe letërsi, ndër ta romanet: Në një humbëtirë këtej rrotull, Kohë qensh, Josifopedia. Mban titullin Artist i merituar. Bibl.: Papagjoni, Josif. Aktorët, SHBLSH, Tiranë, 1999, f. 57-58, 193. Mehmetaj, Gani: Magjia e ekranit - kritikë filmi, Kosovafilmi, 2005, Prishtinë, f. 274-279. Papagjoni, Josif. Filmi artistik shqiptar - imazhi, historia, qenësia, Qendra e SËtudimeve Albanologjike, Tiranë 2017, f. 147-148, 236-243, 238-247, 560-561" shkruan Josif Papagjoni.
Rita Petro, e njohur gjithashtu edhe si Rita Filipi shprehet se për artistët si Rikard Ljarja është një vend i veçantë në parajsë. "Në Parajsë është një vend i veçantë për artistët si ty Rikard Ljarja. Të kemi dashur shumë, të harruam shumë, të sulmuam ca kohë (mbase jo ty direkt, por filmat shqiptarë në përgjithësi për ideologjizim e tyre, duke harruar pasionin dhe profesionalizmin e madh e të mundimshëm tëndin e të kolegëve të tu kineastë e aktorë) Tani përsëri do të të kujtojmë shumë, pasi do të na mungosh. Dhe sa herë të shohim në ekran portretin tënd të bukur e të gdhendur, përherë në paqe me vetveten, do të gjejmë kohë të ndalemi më gjatë. Lamtumirë Rikard Ljarja".
Shkrimtari Zija Çela ka bërë një postim prekës për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja. Ai kujton njohjen në gjimnaz, bashkëpunimin në film, por edhe faktin se ka qenë dëshmitar në celebrimin e martesës së tij me Marjetën, por sot e ka të pa mundur që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit për shkak të situatës.
"Ne mungese, Rikard...Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shume, sa shume na dha. Dhe ne perseri nuk do te mund t’i japim, ndersa Ai do te vazhdoje te na jape permes ekranit. Pikellimi ka ndricimin e vet dhe ne keto caste ka pikerisht ate te diamantit te zi. U njohem heret, ne vitet e rinise se gjimnazit, ne Shkodren e vendlindjes sone.
Nuk e parashihnim atehere se, nje dite, do te bashkepunonim ne nje film artistik, une si skenarist, ti regjisori dhe aktori protagonist. Eshte filmi ku gjete Marjeten, protagoniste gjithashtu. Prandaj me ftuat deshmitar ne celebrimin zyrtar te kurorezimit si bashkeshorte. E sot, ky deshmitari dhe ky kumbari, sot mungon ne mortin tend. E di Rikard, sic e dije fort mire edhe ti, miku im i ndier, shume plage marrim gjate rruges se jetes, vdekja eshte e fundmit qe na vret. Por qe, njekohesisht, na perball edhe me te ardhmen tjeter" shkruan ai.
Na shkun artistet e mdheje! Na skoi edhe Rikard Ljarja!Shkoi ne Naim Frasheri,Shkoi te Saanter Prosi,shkoi te Kadri Roshi,Shkoi artistet e klases se Tija. Por, Ju na keni lene veprat monumentale te artit dhe filmit shqiptare.Lavdia dhe urata e popullit dhe hsitories kombetare te vlerave shpirteror eshte tashigim qe Ju na keni lene per brezet qe jane dhe do vijne nder kohera.
Përgjigju