TIRANË- Shuhet shkrimtari disident Uran Kostreci! Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur kryetar i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve, Nebil Çika, teksa e ka cilësuar si "Legjendën e qendresës antikomuniste".
"Shuhet Uran Kostreci !Me pikëllim të thelle jo njoftojmë se legjenda e qendresës antikomuniste Uran Kostreci ndërroi jetë sot . Në emër tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet familjarëve miqve bashkëvuajtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Qofsh i parajsës kampion i qendrës dhe asketi i lirisë", shkruan Çika.
Kush është Uran Kostreci?
Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë. Ai u arrestua në 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për "tradhti ndaj atdheut", e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi se "ka fyer përfaqësuesin e pushtetit", dhe se ka bërë "agjitacion e propagandë", me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”
Kreu i PD Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit disident Uran Kostreci. Ndërsa e quan një lajm të trishtë ndarjen e tij nga jeta, Basha thotë se ka qenë privilegj për të që ta njohë nga afër kampionin e qëndresës antikomuniste.
"Lajm shumë i trishtë largimi nga jeta i Uran Kostrecit. Për mua ka qenë privilegj ta njoh nga afër kampionin e qëndresës antikomuniste, këtë dëshmi të gjallë të asaj kohe të errët, një burrë që shumë vite i kaloi në kalvarin e burgjeve komuniste, por që nuk u përkul kurrë në idetë e tij për lirinë. Urani i bëri regjimit komunist qëndresë me poezitë e tij, e deri ditën e fundit jetoi si shpirt i lirë, me dëshmitë dhe poezitë e tij, që në çdo rresht ishin dëshmi e një zemre të madhe, pa mëri e plot dëshirë për të dhënë më të mirën nga vetja. Do të na mungosh, u prehsh në paqe Uran", shkruan Basha.