Kronikë

Zjarri në Kukës, problematike vatra në Lakun e Thive, rrezikohen 5 banesa! Nis ndërhyrja nga toka dhe ajri! Shuhen gjatë natës flakët mbi tunelin e Kalimashit

10 Gusht 2021, 07:15| Përditesimi: 10 Gusht 2021, 14:26

  • Share

Pas përhapjes me përmasa të frikshme të zjarrit mbi tunelin e Kalimashit në Kukës, mëngjesin e  sotëm vatra janë fikur. Zjarri në faqen e malit mbi tunel është shuar pasi është punuar gjatë gjithë natës, ndërsa situata po mbahet nën monitorim nga forcat zjarrfikëse.Kritike është situata në Lakun e Thive, ku vatra e zjarrit është e përhapur, ndërsa në të prej orës 06:00 të mëngjesit po punohet nga toka dhe nga ajri për të bërë të mundur neutralizimin e tyre, pasi rrezikohen 5 banesa. Në Lakun e Thive kanë shkuara edhe forcat e ardhura në ndihmë nga Kosova.

Mëngjesin e sotëm po vijon operacioni për të shuar vatrat e zjarrit në Kukës, teksa një natë më parë flakët e zjarrit përpinë mijëra hektarë në Malin e Rrunës mbi Tunelin e Kalimashit. 34 zjarrfikës të Kosovës prej 9 njësive me 9 automjete për terren malor dhe mjete autocisterne për mbushjen me ujë do të angazhohen në ndihmesë të ekipeve të Kukësit  në zonën e quajtur Laku i Dhive në majën e Rrunës.

Flakët e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit mbrëmjen e djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm ishin të përmasave të frikshme dhe u përhapën deri në këto pamje apokaliptike për shkak të erës. Maja e Rrunës ofroi pamje ku zjarret kishin përpërirë të gjithë malin.

Në një transmetim live gjatë natës Report Tv raportoi hap pas hapi për situatën ku zjarri u afrua në Rrugën e Kombit. Në ndihmë të zjarrfikësve të Kukësit, të vetmit përballë kësaj situate, kanë shkuar forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëses së Kosovës të cilat u përqendruan kryesisht mbi tunelin e Kalimashit për të shmangur izolimin e tij nga tymi e zjarri. 

Ne përditësim...

 

 

 

 

 

Ora 10:57
Dy pamjet e Tunelit të Kalimashit, flakë e tym në njërën anë, 'qetësi' në anën tjetër (VIDEOLAJM)

Dy anë të kundërta, dy pamje të ndryshme. Kjo është pamja që të ofrohet nga Tuneli i Kalimashit në Kukës. Në njërën anë të tij vendi është i rrethuar nga tymi e flakët e ndërsa në anën tjetër situata është normale pa asnjë vatër aktive zjarri.

 

Ora 09:42
VIDEOLAJM/ ‘Shpëtoi’ nga flakët, pastrohet ajri në tunelin e Kalimashit

Një panoramë krejt ndryshe nga nata e kaluar na shfaqet këtë mëngjes në tunelin e Kalimashit, i cili dje ishte “pushtuar” nga flakët. Sot ajri është më i pastër dhe nuk vihet re tymi mbytës që ishte përhapur gjithandej mbrëmjen e kaluar.

Ora 08:55
Zjarri në Kukës, rrezikohen 5 banesa në Lakun e Thive, nëse flakët përhapen gati evakuimi i 30 banorëve të zonës

Operacioni në zonën e Kukësit për zjarret është përqendruar në dy vatra zjarri “Laku i thive" dhe "Qafa e Kumbulles” në Malin e Rrunës në njësinë administrative Malzi. Në këto dy vatra janë forcat e emergjencave civile, zjarrfikëset e Kukësit dhe forcat e ardhura në ndihmë nga Kosova.

Situata është kritike deri në këto momente dhe në rrezik janë 5 banesa me rreth 30 banorë të lagjes Lepraj në fshatin Shenmri. Aktualisht zjarri është larg banesave, por nëse flakët përhapen atëherë janë marrë masat për evakuimin e banorëve si dhe akomodimin e tyre në shkollën e fshatit Shenmri.

Ora 07:46
Zjarret në Kukës, Basha: Forcat ushtarake e civile prej ditësh po punojnë në kushte të vështira, mirënjohje Kosovës për ndihmën vëllazërore

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me zjarret në Kukës, ku flakët iu afruan mbrëmjen e djeshme Tunelit të Kalimashit. Teksa vlerëson sakrificën e forcave ushtarake shqiptare dhe civile shqiptare që po punojnë në kushte të rënda, ka shprehur mirënjohjen edhe për ndihmën që ka ardhur nga Kosova.

"Mirënjohje Kosovës për ndihmën vëllazërore në betejën me zjarret! Bashkëpunimi me forcat ushtarake dhe civile të Shqipërisë, që prej ditësh po sakrifikojnë me vetëmohim e në kushtet më të rënda,është jetik për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe të pasurive natyrore", shkruan Basha.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?