Dyert e bankave po frekuentohen më shumë nga qytetarët dhe bizneset vitet e fundit, kur vendosi të blejnë pasuri të paluajtshme. Për shkak të çmimeve të larta të apartamenteve për banim, apo zyrave për biznes, burimi kryesor i financimit është kredia, që vitet e fundit po shtohet ndjeshëm për këtë sektor. 38% e kredisë së dhënë nga bankat nga janari deri në qershor ishte për pasuri të paluajtshme, me rritje të fortë në raport me vjet.
“Në fund të gjashtëmujorit, teprica e kredisë për këtë segment shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 7% dhe 13% në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar.
Por, kredidhënia për pasuri të paluajtshme, do të kufizohet për shkak të ekspozimit të madh që bankat kanë ndaj këtij sektori. Bankat kanë nisur të raportojnë se sa është ekspozimi i tyre në kredidhënie ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme, pra sa është totali i kredisë së dhënë për ekonominë, dhe sa prej saj i takon sektorit të pasurive të patundshme. Të dhënat po analizohen nga Banka e Shqipërisë dhe do të mund të përdoren për të vlerësuar nëse ky ekspozim paraqet rrezik për rritjen e kredive me probleme.
Pas kësaj faze, nëse do të jetë e nevojshme të dhënat do të mund të përdoren nga Banka e Shqipërisë për të caktuar tavane për masën e kredisë që do mund të japin bankat për blerje pasurie të patundshme. Përshembull, nëse një bankë financon deri në 80% blerjen e një banese, në rast rreziku ky financim mund të kufizohet edhe më poshtë në 60 apo 70%.
Nga analizat që Banka aktualisht po bën mund të ketë edhe masa shtesë në forcimin e kushteve të kreditimit për shtëpitë e dyta ose më shumë. Vëmendje e shtuar do të jetë edhe tek aftësia paguese, pra për të vlerësuar nëse të ardhurat e kredi marrësit mjaftojnë për të shlyer kredinë, dhe rreziku për tu kthyer në kredi marrës të keq.
Rregullorja e për monitorimin e Bankave ndaj ekspozimit në këtë sektor hyri në fuqi vjet, dhe rezultatet e para mbi këto tregues pritet të publikohen në muajit në vijim. Masa që do të ndërmerren do të seleksionojnë edhe kategoritë që do të mund të marrin kredi. Shumë qytetarë mund të mos kenë akses nëpër banka, por nga ana tjetër kështu thotë Banka rritet cilësia e portofolit të kredisë.
Referuar shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë prej vitit 2020 deri në fund të qershorit 2024, afro 51% e pronave që agjentët kanë shitur janë blerë me kredi bankare ku në shumicën prej tyre vlera e kredisë së marrë ka mbuluar deri në 65% të vlerës së pronës. Aktualisht sektori i pasurive të paluajtshme kryeson, me financimin më të madh të marrë nga bankat. Vetëm në 7 muajit e këtij viti është marrë 4.5 miliardë lekë kredi për pasuri të paluajtshme, nga 3.1 miliardë lekë që ishte vlera vjet.