Politikë

“Shumë pak ndryshime”/ Gazetari komenton qeverinë ‘Rama 4’: Vetëm dy emra janë risi

12 Shtator, 13:46| Përditesimi: 12 Shtator, 13:55

  • Share

Ditën e djeshme, nga Asambleja e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama bëri me dije emrat e qeverisë, e cila për katër vitet e ardhshme do të drejtojë vendin tonë, ku spikatën disa emra të rinj dhe konfirmimet në kabinetin qeveritar të disa prej ministrave aktualë.

Gazetari Elton Metaj, i ftuar në emisionin ‘Shtypi i ditës dhe ju’ të moderuar nga Andi Kapxhiu në Report TV, ka komentuar qeverinë ‘Rama 4’. Sipas tij, Rama dje preku katër shtylla të rëndësishme si emrat e qeverisë, ndryshimet kushtetuese, reformën territoriale dhe mbyllja e karrierës politike të Veliajt.

“Kryeministri dje preku katër fusha të rëndësishme. Njëra prej tyre është shpallja e emrave të qeverisë. Pika e dytë është paralajmërimi për ndryshime kushtetuese, për sa i përket riformatimit të Kuvendit apo të aspekteve të tjera që kanë nevojë që të riformatojë kushtetutën. Pika e tretë është fakti që ne do të kemi një reformë territoriale të paralajmëruar nga kryeministri dhe një komision të posaçëm që do ta drejtojë procesin. Dhe pika e katërt është fakti që kryeministri e ka mbyllur karrierën politike të zotit Veliaj, me kërkesën apo vendimin e tij për ta shkarkuar nga këshilli bashkiak”, tha gazetari.

Më tej Elton Metaj ka deklaruar se qeveria e Ramës, ka pak ndryshime, me përjashtim të ndarjes që i ka bërë ministrisë së Ekonomisë Inovacionit dhe Kulturës, duke bashkuar Kulturën me Turizmin edhe Sportin.

“Tek qeveria ka dy elementë, struktura edhe emrat. Natyrisht vëmendja shkon tek emrat. Kryeministri ka vendosur të bëjë shumë pak ndryshime, me përjashtim të ndarjes që i ka bërë ministrisë së Ekonomisë Inovacionit dhe Kulturës, duke bashkuar Kulturën me Turizmin edhe Sportin. Pra nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në pjesën e strukturës. Unë nuk e shoh problemin tek numri i ministrive, por tek fryrja në stafe dhe struktura mbështetëse”, deklaroi Metaj.

 

Ndërsa po ashtu gazetari Metaj tha se dy emra janë risi, ku përmendi emrin e ministres së Brendshme Albana Koçiu dhe atë të Shëndetësisë, Evis Sala.

“Për sa i përket emrave, për mua  dy janë risitë: është fakti që ne kemi një zonjë në krye të ministrisë së Brendshme. Është një zgjedhje që duhet përshëndetur, pasi do ta ndihmojë Ministrinë e Brendshme, që do të çmilitarizohet nga ajo hija e rëndë që rrjedh nga fakti që ka brenda saj një strukturë si Policia e Shtetit.

Risia e dytë është Ministria e Shëndetësisë, e cila vjen nga një eksperiencë ndërkombëtare. Është një emër i njohur në fushën e saj, por pak i njohur në politikën tonë dhe unë e konsideroj si një sfidë të vështirë për sektorin që ajo do të drejtojë, pasi është një sektor i vështirë për tu administruar. Eksperienca personale mund ta ndihmojë, por është një sfidë jo e vogël për të.”, tha gazetari në Report TV.  

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?