Prej më shumë se një muaji Formula 1 duhet të kishte filluar sezonin e ri, por për shkak të koronavirusit ashtu si shumë aktivitete të rëndësishme sportive edhe ky kompeticion u shty.
“Nuk është frikë, ky është realiteti. Ekziston një rrezik i madh që shumë skuadra t’i humbasim për shkak të krizës”. E ka thënë Andreas Seidl, njeriu kryesor i skuderisë McLaren në një intervistë për “Bbc”. “Gjëja më e rëndësishme është të mbrojmë njerëzit tanë, ndaj nuk do të nisë sezoni deri kur të jenë kushtet e plota të sigurisë,” ka shpjeguar 44-vjeçari gjerman. “Ndaj do të varet kryesisht nga linjat që do të ndjekin vendet tona të origjinës dhe duhet të shohim nëse kjo do na lejojë që të garojmë,”- ka shtuar ai.
Më tej Seidl ka shtuar se duhet ndërhyrë menjëherë për të ulur buxhetet në rast se duam të shmangim një krizë të madhe në këtë sport: “Duhet vënë një limit më të ulët në buxhet. Kemi propozuar 100 milionë dollarët. Nuk shoh asnjë shenjë që FIA të mos jetë edhe sezonin tjetër. Rrezikun më të madh e kanë skuadrat dhe nëse nesër nuk marrin masa të rëndësishme mund të humbasim ekipe. Duhet të kursejmë shumë shpenzime dhe të vëmë një limit buxheti më të ulët për të krijuar një sport më të shëndetshëm nga pikëpamja financiare”.