Armela Krasniqi

Opinion

Shumë zhurmë për asgjë

8 Korrik 2021, 12:47| Përditesimi: 8 Korrik 2021, 12:49

  • Share

Partia Demokratike po e përjeton në mënyrë dramatike zgjedhjen e re nga mazhoranca socialiste të kryetares së Autoritetit të Mediave Shqiptare (AMA), zonjës Armela Krasniqi. Ajo vjen në këtë detyrë pas drejtimit të suksesshëm dhe pa asnjë kontestim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Zonja Krasniqi, nuk është ndonjë emër i njohur në opinionin publik, përveçse atë mediatik. Nëse do intervistoheshin njerëz të rastësishëm anembanë Shqipërisë, përfshi edhe në kryeqytetin Tiranë, se çfarë ju kujton emri i saj, të gjithë, pa diskutim, do të ngrinin supet e do përgjigjeshin njëzëri: Nuk e njohim, s’e dimë cila është, etj., etj.

Ky është një shembull shumë domethënës për të treguar se zonja Krasniqi, pavarësisht se shumë vite më parë ka qenë përkohësisht zëdhënëse e kryeministrit Rama (edhe këtu daljet në TV i ka pasur të pakta), ajo nuk ka treguar për asnjë çast protagonizëm në publik në ballafaqimet pozitë – opozitë.

Nuk gjen deri më sot asnjë prononcim të saj, qoftë edhe tërthorazi, as kundra opozitës e as pro qeverisë. Bile, personalisht kam vite që as e kam parë nëpër kronika televizive, qoftë edhe si e ftuar në evenimente të ndryshme të mediave, të selive diplomatike, etj., edhe nëse ka qenë prezent në to. Në evenimentet politike jo e jo.

Sa së sipër, si është e mundur që një zonjë që ka qëndruar kaq shumë e tërhequr nga mediatizimi i figurës dhe emrit të saj, të marrë mbi shpinë një sulm kaq brutal nga selia e PD-së?!

Më vjen çudi me delegacionin e BE-së dhe prezencën e OSBE-së, që bien në nivelin e ankesave qesharake të PD-së, e cila u kërkon të bëjnë ndërmjetësin tek mazhoranca që ajo të mos e kalonte emrin e zonjës Krasniqi.

Nëse do kishte kuptim kjo kërkesë e PD-së për BE e OSBE, do të ishte vetëm në rast se më 25 prill opozita do të ishte shpallur fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe Kuvendi i Shqipërisë që i mbylli punimet më 7 korrik, moralisht nuk i takonte ta zgjidhte kryetarin e ri të AMA-s, por duhet t’ia linte legjislaturës së re në shtator.

Sipas ligjit, kryetari i AMA-s zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve, pra duhen së paku 71 vota. Edhe në Kuvendin e ri, mazhoranca socialiste zotëron shumicën prej 74 mandatesh. Pra, për çfarë arsye duhet të shtyhej 2 muaj zgjedhja e kryetarit të ri të AMA-s?!

Shumëkush do të përgjigjej: Për konsensus pozitë – opozitë. Të më ndjeni, por më 25 prill, populli nuk vendosi për konsensus. Këtë fjalë “magjike” ai e la kur bëhet fjalë për ligje me shumicë të cilësuar. Por për ligje apo emërime që kërkojnë shumicë të thjeshtë votash, populli mandatoi Partinë Socialiste.

Po edhe sikur për një moment të marrim të mirëqenë se do ta zgjidhnin me konsensus kryetarin e ri të AMA-s, pyetja që lind është: Çfarë kupton me konsensus Partia Demokratike? Për ata që e njohin në vijueshmëri historinë e saj, kjo parti jo që nuk e njeh fjalën “konsensus”, por konsensusi për të janë vetëm emrat që janë pro saj dhe kundër palës tjetër.

Meqë jemi tek rasti i AMA-s, çfarë shembujsh na jep PD-ja kur ka zgjedhur me votat e saj kryetarët e mëparshëm të AMA-s? A e ka pyetur ajo dikur opozitën socialiste kur vendoste në krye të AMA-s, figura politike pranë PD-së?! Nuk dua të përmend emra të veçantë, se nuk kam asgjë me ta, por kush e di cilët e kanë udhëhequr dikur AMA-n, e dinë që ata kanë qenë pranë PD-së.

Po kur PD-ja zgjodhi dy presidentë republike gjatë periudhës 2007 – 2012, mos vallë u ul në tryezë me opozitën socialiste për ta pyetur a është dakord me emrin që formalisht do të përfaqësonte “unitetin e popullit”?! Absolutisht jo. Zgjodhi herën e parë numrin 2 të PD-së, dhe herën e dytë, ministrin e saj të Brendshëm.

Sërish lind pyetja: Po mirë, pse ka vepruar kështu PD-ja, mos vallë duhet ta kopjojë edhe PS-ja? Është bërë traditë që kur PD-ja është në pushtet, i shkon përshtat që sa herë zgjedh përfaqësues në institucionet e larta shtetërore, i vendos vetë pa pyetur për opozitën dhe ky quhet normalitet demokratik. Kur është PS-ja në pushtet, i shikohet me lupë çdo emërim dhe duhet doemos të ketë konsensus me PD-në.

Kjo nuk shkon më. Një mazhorancë duhet të ketë përgjegjësinë në çdo aspekt të jetës politike. Kjo përgjegjësi më pas përkthehet në kërkesë llogarie kur gabon, ose në duartrokitje kur ka sukses.

Zonja Krasniqi ende nuk është ulur në karrigen e kryetarit të AMA-s dhe paragjykimi ndaj saj po kalon nivelet e absurdit. Se si do e drejtojë ajo AMA-n, me profesionalizëm apo me militantizëm, këtë do ta tregojë koha. Po sido që të ndodhë, faqja e bardhë ose turpi nuk do të jetë i zonjës Krasniqi, por i mazhorancën socialiste që i besoi detyrën. Kurse detyra e opozitës është vetëm të monitorojë punën e zonjës Krasniqi e të bëjë denoncime publike kur konstaton shkelje. Çdo gjë tjetër mbetet thjesht, “shumë zhurmë për asgjë”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?